MORDEKAI
1. Një nga ata që u kthyen në Jerusalem dhe në Judë në vitin 537 p.e.s., pas 70 viteve të mërgimit në Babiloni. (Ezd 2:1, 2) Mordekai ishte izraelit i shquar e drejtues përkrah Zorobabelit dhe u përmend me emër në regjistrimin e parë gjenealogjik të grupit që u kthye në Judë.—Ne 7:5-7.
2. «Biri i Jairit, biri i Shimeit, biri i Kishit, një beniaminit» (Es 2:5), një kushëri i madh i Esterës, për të cilën u kujdes. (Es 2:7) Për Mordekain flitet vetëm në librin biblik të Esterës. Atje tregohet ç’rol të rëndësishëm luajti në çështjet e Perandorisë Perse në fillimin e shekullit të pestë p.e.s. Sipas dëshmive, ai duhet të ketë qenë shkrimtari i librit të Esterës.
Disa ngrenë dyshimin nëse ky libër është autentik ose nëse Mordekai ishte një personazh real. Kundërshtimi i tyre—që Mordekai duhet të ketë qenë të paktën 120 vjeç dhe kushërira e tij e bukur 100 vjet më e re—mbështetet në hamendjen e gabuar se, sipas Esterës 2:5, 6, Mordekai kishte mërguar në Babiloni njëkohësisht me mbretin Jekonia. Megjithatë, qëllimi i këtyre vargjeve biblike nuk është të tregojnë historinë e Mordekait, por të japin prejardhjen e tij. Kishi mund të ketë qenë stërgjyshi i Mordekait a ndoshta një paraardhës më i lashtë i tij, që «kishte mërguar». Sipas një pikëpamjeje tjetër, që është në harmoni me gjuhën biblike, Mordekai, ndonëse i lindur në mërgim, konsiderohej sikur ishte mes atyre që mërguan në vitin 617 p.e.s., meqë ishte në ijët e paraardhësve nga të cilët do të lindte.—Krahaso He 7:9, 10.
Besnik në shërbim të mbretit. Në tregimin biblik thuhet se Mordekai, edhe pse një mërgimtar jude, ishte në shërbim të mbretit. Ai mori vesh se mbreti Asuer i Persisë e kishte hequr Vashtin si mbretëreshë dhe se do të mblidheshin gjithë virgjëreshat e reja e të bukura anekënd perandorisë, për të gjetur mes tyre një që të zinte vendin e mbretëreshës. Kushërira e Mordekait, Estera, një vajzë me ‘trup të hijshëm dhe e bukur’, u paraqit si kandidate për mbretëreshë, por nuk tregoi se kishte prejardhje judaike. (Es 2:7, 8) Ajo u zgjodh mbretëreshë. Mordekai vazhdonte të kryente detyrën e tij teksa «rrinte ulur te porta e mbretit» dhe mori vesh se dy zyrtarë të oborrit, Bigtani e Tereshi, po komplotonin që të vritnin mbretin Asuer. Me anë të Esterës, ai e paralajmëroi mbretin dhe «në librin e ngjarjeve të atyre ditëve» u shkrua për veprimin e tij besnik.—Es 2:21-23.
Nuk pranon të përkulet para Hamanit. Pas kësaj, Asueri bëri kryeministër Hamanin, agagitin, dhe urdhëroi që të gjithë ata që rrinin te porta e mbretit, të binin përmbys para Hamanit, meqë ishte ngritur në atë post të lartë. Me vendosmëri, Mordekai nuk pranonte ta bënte këtë, e dha si arsye faktin që ishte jude. (Es 3:1-4) Duke dhënë atë shpjegim për veprimin e tij, ai tregoi se ishte në mes marrëdhënia me Perëndinë e tij, Jehovain, si jude i kushtuar. E kuptonte se të binte përmbys para Hamanit do të thoshte më tepër se të përkulej me fytyrë përdhe para një njeriu me pushtet, siç kishin bërë disa izraelitë në të kaluarën, duke pranuar thjesht pozitën e lartë të ndonjë sundimtari. (2Sa 14:4; 18:28; 1Mb 1:16) Në rastin e Hamanit, kishte arsye të forta pse Mordekai nuk përkulej. Ka të ngjarë që Hamani të ishte amalekit dhe Jehovai kishte deklaruar se ishte në luftë me Amalekun «brez pas brezi». (Da 17:16; shih HAMANI.) Për Mordekain kjo ishte çështje integriteti ndaj Perëndisë, jo çështje politike.
Hamani u xhindos, sidomos pasi mori vesh që Mordekai ishte jude. Aq shumë vlonte nga urrejtja, saqë nuk i shijonte dot pushtetin e privilegjet që kishte, për sa kohë që Mordekai rrinte ulur te porta dhe nuk pranonte të përkulej para tij. Hamanit nuk i mjaftonte të hakmerrej vetëm kundër Mordekait, ndaj i mbushi mendjen mbretit të nxirrte një dekret për të shuar krejt popullin e Mordekait në Perandorinë Perse.—Es 3:5-12.
Përdoret për të çliruar Izraelin. Kur u gjend para dekretit për të shfarosur mbarë judenjtë në perandori, Mordekai shprehu besimin se Estera kishte arritur në atë pozitë mbretërore tamam në kohën e duhur për të shpëtuar judenjtë. Ai i theksoi Esterës përgjegjësinë e rëndë që kishte dhe e udhëzoi të kërkonte hir prej mbretit e t’i lutej për ndihmë. Estera pranoi të ndiqte udhëzimet e tij, ndonëse kështu vinte kokën në rrezik.—Es 4:7–5:2.
Tamam në kohën e duhur për Mordekain dhe judenjtë (pasi ishte vënë në dyshim pikërisht besnikëria e Mordekait ndaj mbretit), një natë kur mbreti Asuer s’po vinte gjumë në sy, me anë të ndërhyrjes hyjnore vëmendja iu kthye nga libri zyrtar ku regjistroheshin çështjet shtetërore. Kështu mbretit i kujtuan se Mordekai nuk ishte shpërblyer për shërbimin që kishte bërë në të shkuarën, duke nxjerrë në shesh komplotin vrastar të Bigtanit dhe Tereshit. Si rrjedhojë, mbreti donte ta nderonte Mordekain në mënyrë madhështore, dhe kjo e mbuloi me turp Hamanin, i cili mori urdhrin të organizonte dhe të shpallte publikisht nderimet që i bëri mbreti.—Es 6:1-12.
Estera arriti të tregonte se Hamani ishte fajtor për shtrembërime të rënda dhe shpifje dashakeqe kundër judenjve, si edhe për intrigën e pabesë në dëm të interesave të mbretit. I tërbuar, Asueri urdhëroi që Hamani të ekzekutohej, dhe kufoma e tij u var në shtyllën 22 m të lartë që Hamani e kishte ngritur për të varur Mordekain.—Es 7:1-10.
Atëherë Mordekai zuri vendin e Hamanit si kryeministër dhe mbreti i dha unazën e vet me nënshkrim, që të vuloste dokumentet shtetërore. Estera e caktoi Mordekain të drejtonte shtëpinë e Hamanit, që mbreti ia kishte lënë në dorë asaj. Pastaj Mordekai, me autorizimin e mbretit, nxori një kundërdekret që u jepte judenjve të drejtën ligjore të mbroheshin. Për judenjtë kjo ishte një dritë çlirimi e gëzimi. Shumë veta në Perandorinë Perse morën anën e judenjve dhe, kur erdhi 13 adari, dita që hynin në fuqi ligjet, judenjtë ishin gati. Falë pozitës së lartë të Mordekait, autoritetet iu bënë krah judenjve. Në Shushan luftimet zgjatën edhe një ditë më shumë. Në mbarë perandorinë, u shfarosën më se 75.000 armiq të judenjve, ndër të cilët edhe dhjetë bijtë e Hamanit. (Es 8:1–9:18) Me miratimin zyrtar të Esterës, Mordekai urdhëroi që të kremtoheshin çdo vit dita e 14-të dhe e 15-të e adarit, «ditët e Purimit», si ditë gëzimi e gostie, kur judenjtë t’i dërgonin dhurata njëri-tjetrit e të varfërve. Judenjtë pranuan dhe vendosën që pasardhësit e tyre dhe gjithë ata që do të bashkoheshin me ta, të kremtonin atë festë brez pas brezi. Mordekai, që ishte i dyti në perandori, respektohej nga populli i kushtuar i Perëndisë, nga judenjtë, dhe vazhdoi të punonte për të mirën e tyre.—Es 9:19-22, 27-32; 10:2, 3.
Njeri plot besim. Mordekai ishte njeri plot besim, si ata për të cilët flet apostulli Pavël në kapitullin e 11-të të Hebrenjve, edhe pse nuk përmendet me emër atje. Ai tregoi guxim, vendosmëri, integritet dhe besnikëri ndaj Perëndisë dhe popullit të tij. Gjithashtu, veproi sipas parimit që tha më vonë Jezui: «Paguajini pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Mt 22:21) Ai dhe Estera ishin nga fisi i Beniaminit, për të cilin patriarku Jakob kishte profetizuar: «Beniamini do të shqyejë si një ujk. Në mëngjes do të hajë kafshën e kapur dhe në mbrëmje do të ndajë prenë.» (Zn 49:27) Veprimtaria e atyre beniaminitëve u zhvillua në mbrëmjen ose muzgun e kombit të Izraelit, kur izraelitët nuk kishin më mbretër në fron dhe ishin nën sundimin e jojudenjve. Ndoshta Mordekai dhe Estera patën privilegjin të shfarosnin amalekitët e fundit të urryer. Meraku i Mordekait për mirëqenien e bashkatdhetarëve tregon që ai kishte besim se Fara e Abrahamit, që do të bekonte gjithë familjet e tokës, do të vinte nga bijtë e Izraelit.—Zn 12:2; 22:18.