MORIAHU
Emri i vendit të lartë shkëmbor ku Solomoni ndërtoi një tempull madhështor për Jehovain. I ati, Davidi, ia kishte blerë më parë atë truall jebusitit Araunah (Ornan) për të ngritur atje një altar, pasi Perëndia tregoi se kështu do të ndalej plaga e rënë për shkak të mëkatit të Davidit kur regjistroi popullin.—2Sa 24:16-25; 1Kr 21:15-28; 2Kr 3:1; shih ARAUNAHU.
Sipas traditës së lashtë judaike, tempulli u ngrit në atë mal të ‘vendit të Moriahut’ ku Abrahami u orvat të flijonte Isakun sipas urdhrit të Perëndisë. (Zn 22:2; shih Antikitete judaike, VII, 329-334 [xiii, 4].) Kështu, ‘vendi i Moriahut’ do të ishte rajoni malor rreth Jerusalemit. Nga rrethinat e Beer-Shebës, Abrahami udhëtoi për në «vendin e Moriahut» dhe ditën e tretë pa nga larg vendin që i kishte treguar Perëndia.—Zn 21:33, 34; 22:4, 19.
Disa nuk pajtohen me mendimin se mali i Moriahut është Mali i Tempullit në Jerusalem, ngaqë nuk ndodhet afër Beer-Shebës dhe nuk duket «nga larg». Megjithatë, Abrahami duhej të udhëtonte «për në vendin e Moriahut». Ditën e parë ai u çua herët, i vuri samarin gomarit, çau dru, ngarkoi kafshën e pastaj u nis për udhë. (Zn 22:2, 3) «Ditën e tretë, Abrahami ngriti sytë dhe për herë të parë nisi të shihte nga larg vendin [vendin e Moriahut].» Kështu, vetëm dita e dytë ishte ditë e plotë udhëtimi. Ja ç’thotë një fjalor biblik për çështjen nëse dukej apo jo nga larg mali i Moriahut dhe për distancën që duhej përshkuar: «Sidoqoftë, distanca nga Filistia Jugore deri në Jerusalem është rr. 80 km, për të cilat mund të jenë dashur fare mirë tri ditë udhë. Gjithashtu, te Zanafilla nuk bëhet fjalë për ‘malin e Moriahut’, por për njërin nga malet e vendit me atë emër, dhe kodrat mbi të cilat ngrihet Jerusalemi duken nga larg. Prandaj s’ka arsye për të dyshuar se Abrahami e bëri flijimin në vendin ku u ndërtua më pas Jerusalemi, në mos në kodrën ku u ngrit Tempulli.» (The Illustrated Bible Dictionary, nga Xh. Dagllasi, 1980, vëll. 2, f. 1025) Pra, për të përshkuar më këmbë rreth 80 km nga Beer-Sheba deri në malin e Moriahut, logjikisht mund të jenë dashur më shumë se dy ditë të plota.
Mali i Moriahut duhet të ketë qenë aq larg nga Salemi i kohës së Abrahamit, sa orvatja për të flijuar Isakun nuk u bë në sy të banorëve të qytetit. Nuk ka asnjë të dhënë që ata të kenë qenë dëshmitarë të ngjarjes ose të jenë munduar të ndërhyjnë. Edhe shekuj më pas, ai vend ishte disi i izoluar, siç mund të kuptohet nga fakti që në kohën e Davidit, në malin e Moriahut kishte një lëmë, por nuk thuhet gjë për ndërtesa.—2Kr 3:1.
Sot, lart në malin e Moriahut gjendet një faltore e quajtur Kubeja e Shkëmbit.—Shih JERUSALEMI (Në periudhat e mëvonshme).