NAAMANI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «të jesh i këndshëm»].
1. Nip i Beniaminit nga Belahu, i parëlinduri i tij. (1Kr 8:1-4, 7) Duke qenë se prej Naamanit erdhi familja e namitëve në fisin e Beniaminit (Nu 26:40), ai renditet gjetkë si një nga «bijtë» e Beniaminit.—Zn 46:21.
2. Kreu i ushtrisë siriane të shekullit të 10-të p.e.s., kur në Izrael mbretëronte Jehorami dhe në Siri Ben-Hadadi II. Naamani, një burrë ‘i madh, trim, i fuqishëm e i vlerësuar’, ishte njeriu nëpërmjet të cilit «Jehovai i kishte sjellë shpëtimin Sirisë». (2Mb 5:1) Bibla nuk jep asnjë hollësi se si ose pse e përdori Jehovai Naamanin për të shpëtuar Sirinë. Një mundësi është se Naamani u printe trupave siriane që u bënë ballë sulmeve të Shalmaneserit III, mbretit të Asirisë, kur u sul kundër Sirisë. Duke qëndruar e pavarur, Siria ishte një gardh mbrojtës mes Izraelit dhe Asirisë, dhe kjo mund të ketë ngadalësuar shtrirjen e Asirisë në perëndim, derisa të vinte koha që Jehovai të lejonte mërgimin e mbretërisë veriore.
Shërohet nga lebra. Naamani ishte i sëmurë me lebër. Ndryshe nga izraelitët, sirianët nuk i izolonin të lebrosurit siç kërkonte ligji i Jehovait. Megjithatë, kur mori vesh se mund të shërohej nga kjo sëmundje e neveritshme, pa dyshim u kënaq pa masë. Këtë e mësoi nga skllavja izraelite e gruas së tij, e cila i foli për një profet në Samari që mund të shëronte lebrën. Pa vonuar, Naamani u nis për në Samari me një letër shoqëruese nga Ben-Hadadi II. Pasi e priti me ftohtësi dhe dyshim, Jehorami, mbreti i Izraelit, e nisi tek Eliseu. Eliseu nuk doli vetë për ta takuar, por çoi shërbëtorin e vet t’i thoshte të lahej shtatë herë në lumin Jordan. I prekur në sedër dhe me siguri i bindur se nuk e kishin nderuar siç duhej e se po e sorollatnin kot lart e poshtë, Naamani iku i tërbuar. Po të mos kishin arsyetuar me të shërbëtorët e tij dhe po të mos i kishin treguar se udhëzimet e profetit ishin të arsyeshme, Naamani do të ishte kthyer në vendin e tij akoma i lebrosur. Kështu, u la shtatë herë në Jordan dhe, me anë të një mrekullie, u pastrua. Ai ishte i vetmi i lebrosur që shëroi Eliseu.—2Mb 5:1-14; Lu 4:27.
Bëhet adhurues i Jehovait. Plot mirënjohje, vlerësim e përulësi, kreu i ushtrisë siriane bëri ndoshta 50 km rrugë për t’u kthyer tek Eliseu e për t’i ofruar një dhuratë shumë bujare, të cilën profeti e refuzoi me vendosmëri. Atëherë Naamani kërkoi të merrte me vete ca dhé nga Izraeli, ‘aq sa mund të mbartnin dy mushka’, që t’i bënte flijime mbi të Jehovait, dhe u betua se që nga ai moment nuk do të adhuronte perëndi tjetër. Mbase ai kishte ndër mend t’i bënte flijime Jehovait mbi një altar dheu.—2Mb 5:15-17; krahaso Da 20:24, 25.
Më pas, Naamani kërkoi që Jehovai ta falte kur, gjatë përmbushjes së detyrave të tij, të përkulej para perëndisë Rimon bashkë me mbretin që, me sa duket, ishte plak e i ligshtë dhe mbështetej te Naamani. Nëse ishte kështu, përkulja e tij do të ishte thjesht mekanike, vetëm për të mbajtur mbretin siç e kishte për detyrë, e jo një akt adhurimi. Eliseu besoi te sinqeriteti i Naamanit, prandaj i tha: «Shko në paqe.»—2Mb 5:18, 19.
Pasi iku, Naamanin e arriti Gehazi, shërbëtori i pangopur i Eliseut, që duke e gënjyer i la të kuptonte sikur Eliseu kish ndërruar mendje dhe si përfundim i pranonte disa nga dhuratat. Naamani i dha me kënaqësi dhurata argjendi e veshje. Për lakminë dhe mashtrimin e tij, Jehovai e ndëshkoi Gehazin duke goditur përgjithmonë me lebër atë dhe pasardhësit e tij, pasi abuzoi me detyrën si shërbëtor i Eliseut dhe përfitoi nga ajo që bëri fryma e Jehovait.—2Mb 5:20-27.