HUNDA, VRIMAT E HUNDËS
Pjesë e fytyrës që lejon kalimin e ajrit gjatë frymëmarrjes dhe organ i të nuhaturit.
Kur Perëndia krijoi Adamin, «i fryu në vrimat e hundës frymën [formë e fjalës neshamáh] e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë». (Zn 2:7) Kjo ‘frymë e jetës’ jo vetëm mbushi mushkëritë me ajër, por edhe i dha trupit forcën e jetës që mbështetet nga frymëmarrja. Fryma që futet në trup nëpërmjet vrimave të hundës është e domosdoshme për jetën; ajo mbështet forcën e jetës. Gjatë Përmbytjes, «çdo gjë, në të cilën forca e jetës vepronte në vrimat e hundës, domethënë gjithë sa ishin në tokë të thatë, vdiqën».—Zn 7:22.
Fjala hebraike për hundë ose vrimat e hundës (ʼaf) zakonisht përdoret për të treguar gjithë fytyrën. Adami u dënua ta nxirrte bukën duke punuar tokën ‘me djersën e ballit [fjalë për fjalë “hundë” ose “vrimat e hundës”]’. (Zn 3:19) Loti u përkul me fytyrë (hundë) përdhe para engjëjve që kishin vajtur ta vizitonin.—Zn 19:1.
Nuhatja dhe shija. Zona e nuhatjes gjendet në pjesën e sipërme të zgavrës së hundës, ku nervat e nuhatjes mbarojnë me funde nervore ngjashëm qimeve. Në këtë zonë gjenden edhe fundet e holla nervore të nervit të trefishtë. Njerëzit kanë nuhatje shumë të mprehtë. Në një artikull të një reviste shkencore thuhej: «Shqisa e të nuhaturit është dukshëm me natyrë kimike dhe ndjeshmëria e saj është shumë e famshme. Për një kimist aftësia e hundës për të dalluar e për të përcaktuar substancat është gati e pabesueshme. Ajo pikas përbërës kompleksë që një kimisti mund t’i duheshin muaj për t’i analizuar në laborator. Hunda i identifikon ato në çast, edhe në një sasi aq të vogël (deri në një të dhjetëmiliontën e gramit), saqë shpesh edhe instrumentet laboratorike më të ndjeshme moderne nuk arrijnë as t’i dallojnë, jo më t’i analizojnë e t’i klasifikojnë.»—Scientific American, shkurt 1964, f. 42.
Hunda luan një rol të rëndësishëm edhe te të shijuarit. Ka katër shije kryesore: e ëmbla, e kripura, e tharta dhe e hidhura. Ato dallohen nga puprritë e shijes që gjenden në gjuhë. Megjithatë, shija e ushqimit perceptohet kryesisht nga të nuhaturit. Për shembull, kush i ka hundët të bllokuara e ka të vështirë të dallojë një ushqim nga një tjetër, pasi shumica e gjërave i duken si pa shije.
Bukuria. Përderisa bie menjëherë në sy, një hundë e këndshme e zbukuron shumë fytyrën. Te Kënga e Solomonit (7:4), hunda e shulamites krahasohet me ‘kullën e Libanit’, dhe kjo mund t’i referohet rregullsisë së hundës që i shtonte dinjitet e bukuri fytyrës së saj. Perëndia kërkonte që priftërinjtë në Izrael, si përfaqësues të tij para popullit, të ishin pa të meta fizike, dhe një nga kërkesat ishte që asnjë prift të mos kishte hundë të çarë ose të gjymtuar.—Le 21:18.
Përdorimi metaforik dhe i figurshëm. Termi i përkthyer hundë, vrimë hunde ose flegër (ʼaf) shpesh përdoret në mënyrë të figurshme për të treguar zemërim (meqë njeriu i zemëruar merr frymë rëndë ose shfryn). (Shih ZEMËRIMI.) Gjithashtu, përdoret edhe për ndonjë veprim të Jehovait që motivohet nga zemërimi (Ps 18:8, 15), ose kur ai ushtron forcën e tij të fuqishme vepruese.—Da 14:21; 15:8.
Idhujtaria e neveritshme ku kishte rënë Izraeli provokoi zemërimin e zjarrtë të Jehovait kundër tyre, që e shprehu me anë të profetit Isaia kur tha: «Këta janë si tym në flegrat e mia, janë si zjarr që digjet gjatë gjithë ditës.»—Is 65:5.
Te Proverbat 30:32, 33 thuhet: «Po të kesh vepruar pa mend, duke lartësuar veten, madje edhe po ta kesh pasur në mendje një gjë të tillë, vëri dorën gojës. Sepse duke rrahur qumështin, del gjalpi; duke shtypur hundën, del gjak; dhe duke mos frenuar zemërimin, vjen sherri.» Kjo thekson dukshëm se ç’telashe shkakton ai që flet keq, ushqen zemërim ose e shfren atë. Këtu fjala ‘zemërim’ është një formë e fjalës «hundë».