ONANI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «fuqi riprodhuese; energji dinamike»].
Një nga bijtë e Judës, i dyti i lindur nga vajza kananite e Shuait. (Zn 38:2-4; 1Kr 2:3) Pasi Eri, vëllai më i madh i Onanit, i cili nuk kishte fëmijë, vdiq nga dora e Jehovait për shkeljet e tij, Juda i tha Onanit të martohej me Tamarën, vejushën e Erit, dhe të kryente detyrën që i takonte kunatit. Nëse lindte një djalë, ai nuk do të ishte ati i familjes së Onanit, por do të ishte trashëgimtar i Erit, dhe si i tillë, trashëgimia e të parëlindurit do t’i takonte djalit; përkundrazi, nëse nuk kishte trashëgimtar, Onani do ta merrte trashëgiminë për vete. Kur kryente marrëdhënie me Tamarën, që të mos e linte shtatzënë, Onani «e derdhte farën përtokë». Ky nuk ishte masturbim nga ana e Onanit, pasi tregimi thotë se, «kur kryente marrëdhënie me gruan e të vëllait», ai e derdhte farën jashtë. Me sa duket, Onani e ndërpriste aktin seksual, duke mos lejuar qëllimisht derdhjen e farës në organet riprodhuese të Tamarës. Pra, Onani, edhe ai pa fëmijë, vdiq nga dora e Jehovait, jo për masturbim, por për mosbindjen e tij ndaj të atit, për lakminë e tij dhe për mëkatin kundër rregullit hyjnor të martesës.—Zn 38:6-10; 46:12; Nu 26:19.