PELETITËT
Luftëtarë besnikë të mbretit David; përmenden gjithnjë me keretitët. Kur Davidi iku nga Jerusalemi për shkak të rebelimit të Absalomit (që e mbështeti një pjesë e madhe e ushtrisë), peletitët kaluan Kidronin bashkë me Davidin. (2Sa 15:18, 23) Ata ndihmuan edhe për të shtypur kryengritjen e Shebës. (2Sa 20:7) Më vonë mbështetën Solomonin, që Davidi e kishte zgjedhur si pasuesin e vet, e nuk morën anën e Adonijahut siç bëri Joabi. (1Mb 1:38, 44) Keretitët dhe peletitët nuk bënin pjesë në ushtrinë normale, por ishin trupa të veçantë në shërbim të mbretit David. Në fakt, për Joabin thuhet se ishte në krye të ushtrisë, kurse Benajahu përmendet veçmas si ai që ishte në krye të keretitëve e të peletitëve. (2Sa 8:18; 20:23; 1Kr 18:17) Meqë peletitët nuk përmenden as para e as pas mbretërimit të Davidit, ka mundësi të kenë qenë truproja e tij personale, dhe jo në shërbim të përhershëm të pallatit mbretëror.—Krahaso 2Sa 8:18 dhe 23:22, 23.
Në mungesë të një identifikimi të saktë të peletitëve, janë ngritur hipoteza të shumta, ndër të cilat spikatin dy rryma kryesore mendimi: (1) Ngjashmëria e madhe në hebraisht e emrave peletit dhe filistin (fjala פלתי [peletit] me vetëm një germë më shumë del פלשתי [filistin]) është baza për të thënë se kishin të njëjtën prejardhje ose ndoshta se peletitët ishin një degë e filistinëve. Disa e hedhin poshtë hipotezën se truproja e Davidit përbëhej nga filistinë, megjithëse nuk mund të përjashtohet fare si mundësi. (2) Nga ana tjetër, emrat keretit dhe peletit ndoshta tregonin detyrën ose rangun e pjesëtarëve të truprojës së Davidit: keretitët si ekzekutues, kurse peletitët si vrapues. Një ndarje e tillë vrapuesish përmendet gjatë mbretërimit të Saulit dhe të mbretërve të tjerë pas tij. (1Sa 22:17; 2Mb 11:4; 2Kr 30:6) Gjithsesi, kjo hipotezë gjen më pak mbështetje se e para.