FENIKIA
[ka mundësi nga rrënja e fjalës që do të thotë «palmë»].
Rripi i tokës përgjatë bregdetit lindor të Mesdheut, mes Sirisë dhe Izraelit, i kufizuar në lindje nga malet e Libanit. Në vija të përgjithshme, korrespondon me Libanin e sotëm. Për shumë vjet, qyteti kryesor i Fenikisë së lashtë ishte Sidoni, por më vonë ia kaloi Tiri, qytet i themeluar nga një koloni sidonitësh.—Shih SIDONI, SIDONITËT; TIRI.
Veçoritë gjeografike. Rrafshinat bregdetare të këtij vendi të ngushtë e të gjatë ndërpriteshin tek-tuk nga kodrat rrëzë maleve, të cilat zbritnin deri në det. Ato rrafshina ujiteshin mirë nga rrëketë që buronin nga vargmali, i cili shërbente si kufi natyror përgjatë lindjes. Disa maja të këtij vargmal arrinin mbi 3.000 m lartësi (më e larta arrinte mbi 3.350 m) dhe gati tërë vitin ishin të mbuluara me borë. Njëherë e një kohë, pjesa më e madhe e vendit ishte e mbuluar me pyje të mëdha dhe pemishte—cedra e pisha, si edhe lisa, ahe, mana, fiq, ullinj dhe hurma Arabie.
Origjina dhe emri. Historia e fenikasve fillon pas Përmbytjes, me nipin e Noesë, Kanaanin, birin e Kamit. Kanaani ishte paraardhës i 11 fiseve. Një nga këto fise, sidonitët, ishin pasardhësit e të parëlindurit të Kanaanit, Sidonit. (Zn 10:15-18; 1Kr 1:13-16) Pra, sidonitët ishin kananitë. (Js 13:4-6; Gjy 10:12) Ata vetë, si edhe disa të tjerë, e quajtën vendin e tyre Kanaan. Në një monedhë të kohës të Antiokut Epifan, qyteti sirofenikas i Laodicesë përshkruhet si «qytet-mëmë i Kanaanit».
Mirëpo, me kalimin e kohës, grekët parapëlqyen t’i quanin këta kananitë sidonitë me një emër tjetër: fenikas. Kështu, kananitë, sidonitë dhe fenikas ishin emra që herë-herë përdoreshin si sinonime për të njëjtin popull. Për shembull, në profecinë e Isaisë, Fenikia quhet «Kanaan».—Is 23:11; Dio; DSF; shën., NW.
Vend tregtarësh të deteve. Fenikasit ishin ndër detarët më të zotë të lashtësisë. Për madhësinë që kishin, anijet e tyre ishin goxha të mira për lundrim. Ishin të gjera, të larta si në bash edhe në kiç, dhe mund të lundronin me vela e me rrema. (Ezk 27:3-7) Shumicën e tregtisë në Mesdhe e bënin anijet fenikase. Në shekullin e 11-të p.e.s., Solomoni punësoi ‘shërbëtorë [fenikas] të Hiramit’ që të shoqëronin anijet e veta për në Tarshish (Spanjë). (2Kr 9:21) Detarët fenikas shërbenin edhe në flotën e anijeve të Solomonit që shkonte nga Ezion-Geberi në Ofir. (1Mb 9:26-28; 10:11) Në shekullin e 7-të p.e.s., anijet fenikase vazhdonin të shkonin në Tarshish dhe të sillnin argjend, hekur, kallaj e plumb.—Ezk 27:12.
Mjeshtëri dhe zeje. Metalpunuesit fenikas ishin të zotë të derdhnin, të rrihnin me çekan dhe të skalitnin objekte prej ari e argjendi. Zejtarë të tjerë ishin të aftë të gdhendnin drurin e fildishin, të punonin qelqin, të endnin leshin e lirin dhe të ngjyrosnin pëlhura. Fenikia shquhej veçanërisht për industrinë e ngjyerjes me purpur. Veshjet e purpurta mbretërore ose tirase ishin tejet të shtrenjta, pasi për të ngjyer pak metra pëlhurë duheshin mijëra murekse, butakë deti, dhe çdonjëri prej tyre jepte vetëm një pikë bojë. Boja kishte nuanca të ndryshme, sepse varej në ç’bregdet të Mesdheut ishin gjetur butakët. Ky fakt, bashkë me aftësinë e veçantë të mjeshtrave ngjyrues fenikas, të cilët shpesh e përsëritnin ngjyerjen 2 a 3 herë, bënte që të prodhoheshin lloj-lloj pëlhurash të kushtueshme të kërkuara nga njerëz të rangut të lartë dhe fisnikë.—Ezk 27:2, 7, 24.
Në kohën e Davidit dhe të Solomonit, fenikasit ishin të famshëm si gurprerës dhe druvarë të aftë të rrëzonin pemët madhështore të pyjeve të tyre.—2Sa 5:11; 1Mb 5:1, 6-10, 18; 9:11; 1Kr 14:1.
Feja. Meqë ishin kananitë, fenikasit praktikonin një fe tejet të ulët që përqendrohej në kultin e Baalit, perëndisë së pjellorisë; përfshinte sodominë, marrëdhëniet seksuale me kafshët e prostitucionin ceremonial, si dhe ritet e urryera të flijimit të fëmijëve. (Shih FIGURËN, vëll. 1, f. 739 në botimin anglisht; KANAANI, KANANITËT nr. 2 [Pushtimi nga Izraeli].) Qyteti fenikas i Baalbekut (rr. 65 km në verilindje të Bejrutit) u bë një nga qendrat e mëdha të adhurimit politeist në botën e lashtë. Në epokën romake atje u ngritën tempuj të mëdhenj për perëndesha e perëndi të ndryshëm; rrënojat e tyre ekzistojnë deri më sot.
Në pranverë të vitit 31 të e.s., banorë nga Fenikia treguan besim duke shkuar deri në Galile që të dëgjonin Jezuin dhe të shëroheshin nga sëmundjet. (Mr 3:7-10; Lu 6:17) Pak a shumë një vit më vonë, Jezui vizitoi rrafshinat bregdetare të Fenikisë dhe atje i bëri aq përshtypje besimi i një gruaje sirofenikase sa, me anë të një mrekullie, i shëroi vajzën e pushtuar nga demonët.—Mt 15:21-28; Mr 7:24-31.
Pas martirizimit të Stefanit, në Jude filloi përndjekja, ndaj disa të krishterë ikën në Feniki. Atje ua shpallën lajmin e mirë për ca kohë vetëm judenjve. Por, pasi u kthye në besim Korneli, përgjatë bregdetit të Fenikisë, ashtu si dhe në pjesë të tjera të Perandorisë Romake, lindën kongregacione të përbëra nga judenj e jojudenj. Apostulli Pavël vizitoi disa nga këto kongregacione në Feniki gjatë udhëtimeve të tij. Vizita e fundit e dokumentuar që u bëri besimtarëve atje ishte ajo në Sidon, ndërsa po e çonin në Romë si të burgosur rreth vitit 58 të e.s.—Ve 11:19; 15:3; 21:1-7; 27:1-3.