PRISKA
[plakë]; Prishila [plakë e vogël].
Forma e shkurtuar e emrit gjendet në shkrimet e Pavlit, kurse e gjata në ato të Lukës. Ishte e zakonshme që emrat romakë t’i kishin të dyja format.
Prishila ishte gruaja e Akuilës dhe përmenden gjithmonë bashkë. Të dy bënë vepra të shkëlqyera të krishtere dhe u treguan mikpritës jo vetëm me individë, por edhe me kongregacionin, duke i mbajtur mbledhjet në shtëpinë e tyre si në Romë, edhe në Efes.
Rreth vitit 50 të e.s., për shkak të dekretit të perandorit Klaud, Akuila dhe gruaja e tij ikën nga Roma e shkuan në Korint. Jo shumë kohë pasi mbërritën atje, Pavli punoi me ta si tendëbërës. (Ve 18:2, 3) Ata shoqëruan Pavlin në Efes, qëndruan ca kohë atje dhe ndihmuan Apolin gojëtar ‘duke i shtjelluar më saktë udhën e Perëndisë’. (Ve 18:18, 19, 24-28; 1Ko 16:19) Për njëfarë kohe u kthyen në Romë (Ro 16:3-5) dhe më vonë shkuan përsëri në Efes. (2Ti 4:19; 1Ti 1:3) Lidhja e tyre me Pavlin zgjati rreth 15 vjet, pak a shumë nga viti 50 i e.s. deri sa Pavli vdiq. Gjatë kësaj periudhe, ata «vunë kokën në rrezik» për shpirtin e apostullit.—Ro 16:3, 4; shih AKUILA.