PULI
1. Emri i një mbreti të Asirisë që përmendet te 2 Mbretërve 15:19 dhe 1 Kronikave 5:26. Kur në Izrael mbretëronte Menahemi, Puli hyri në Palestinë dhe Menahemi i pagoi haraç. Për një kohë të gjatë nuk dihej se kush ishte Puli. Megjithatë, sot shumica e studiuesve thonë se Puli dhe Tiglath-Pileseri III i Asirisë janë i njëjti person, pasi në pllakën dinastike që quhet «Lista A e mbretërve babilonas» del emri Pulu (Pul), ndërsa në «Kronikën sinkronike» del emri Tukultiapilesharra (Tiglath-Pileseri). (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 272, 273) Ndoshta «Puli» ishte emri i lindjes ose emri me të cilin njihej në Babiloni, kurse Tiglath-Pileseri (Tilgath-Pilneseri) ishte emri që mori kur u bë mbret i Asirisë. Për këtë arsye, mund të themi se te 1 Kronikave 5:26 bëhet fjalë për të njëjtin person, ‘Pulin, mbretin e Asirisë, pra . . . Tilgath-Pilneserin, mbretin e Asirisë’.—Shih TIGLATH-PILESERI (III).
2. Vend ose popull që përmendet vetëm tek Isaia 66:19, bashkë me Tarshishin (me sa duket Spanja Jugore) dhe Ludin (në Afrikën Veriore). Duket se këto tri vende ishin të njohura për harkëtarët e tyre të zotë. Vendndodhja e saktë e Pulit nuk dihet. Tek Isaia 66:19, Septuaginta greke përdor «Fudi» ose «Puti» në vend të «Pulit», dhe në vargje të tjera Puti (që lidhet me libianët në Afrikë) dhe Ludi dalin bashkë. (Ezk 27:10; Jr 46:9; shih PUTI.) Gjithsesi, forma «Puli», që përdoret në tekstet masoretike, mbështetet nga Rrotulla e Isaisë e Detit të Vdekur dhe nga Peshita siriake. Disa studiues mendojnë se «Puli» ishte ishulli i Files në lumin Nil.