DETI I KUQ
Hapësira ujore që ndan Afrikën Verilindore nga Gadishulli Arabik dhe që përfshin dy mëngët e njohura si gjiri i Suezit dhe gjiri i ʽAkabës. Deti i Kuq, siç përdoret sot ky term, është i gjatë afro 2.250 km, ka gjerësi maksimale rreth 354 km dhe thellësi mesatare 610 m. Është pjesë e fundosjes së madhe gjeologjike të njohur si Lugina e Riftit. Për shkak të avullimit të shpejtë, ujërat e këtij deti janë mjaft të kripura. Erërat e forta, ndryshimi i shpejtë i drejtimit të tyre dhe shkëmbinjtë e mëdhenj nënujorë e bëjnë të rrezikshëm lundrimin në Detin e Kuq. Përgjatë bregut lindor ka vargmale të larta, kurse në bregun perëndimor mbizotërojnë rrafshnaltat shkëmbore dhe kodrinat.
Ka arsye të forta për të thënë se në gjuhët origjinale fjalët e përkthyera «Deti i Kuq» tregojnë Detin e Kuq në përgjithësi ose ndonjërën nga mëngët veriore të tij. (Da 10:19; 13:18; Nu 33:10, 11; Gjy 11:16; Ve 7:36) Jehovai i ndau ujërat e Detit të Kuq me anë të një mrekullie që izraelitët të kalonin në tokë të thatë, por i mbyti faraonin dhe ushtrinë e tij që po i ndiqnin. (Da 14:21–15:22; Lp 11:4; Js 2:10; 4:23; 24:6; Ne 9:9; Ps 106:7, 9, 22; 136:13, 15) Në vargjet biblike që tregojnë këtë ngjarje përdoren fjalët hebraike jam (det) ose jam-súf (det i kallamave ose i xunkthave). Duke u bazuar në kuptimin e mirëfilltë të termit jam-súf, disa studiues mendojnë se izraelitët kaluan thjesht një vend moçalor, si zona e Liqeneve të Hidhura, dhe jo Detin e Kuq (veçanërisht mëngën perëndimore, gjirin e Suezit, ku të tjerë besojnë se ka ndodhur kalimi). Mirëpo, duhet vërejtur se ujërat ishin aq të thella sa mbuluan forcat ushtarake të faraonit. (Da 14:28, 29) Kjo do të kishte qenë e pamundur në një moçal. Edhe Veprat 7:36 dhe Hebrenjve 11:29 e përjashtojnë këtë mundësi, pasi këto vargje përmendin të njëjtën ngjarje dhe përdorin fjalët greke erithrá thálassa, që do të thonë «Det i Kuq». (Shih DALJA.) Historiani Herodot (shekulli i 5-të p.e.s.) i përdori të njëjtat fjalë greke për «Oqeanin Indian, ku Deti i Kuq» bën pjesë, e jo për një moçal a hapësirë ujore të parëndësishme.—A Greek-English Lexicon, nga H. Xh. Lidëlli dhe R. Skoti, rishikuar nga H. Xhonsi, Oksford, 1968, f. 693; shih PIHAHIROTI.
Në shpalljen e dënimit ndaj Edomit, thuhet se klithma për gjëmën e tij do të dëgjohej deri në Detin e Kuq. (Jr 49:21) Kjo është e kuptueshme, pasi territori edomit kufizohej në jug me Detin e Kuq (1Mb 9:26), domethënë me mëngën verilindore të detit, gjirin e ʽAkabës. Deri në atë pikë shtrihej edhe kufiri i Izraelit.—Da 23:31.