RODOSI
[trëndafil].
Ishull afër skajit jugperëndimor të Turqisë dhe një nga më të mëdhenjtë në Egje, rreth 75 km i gjatë e 35 km i gjerë. Edhe kryeqyteti i tij quhet Rodos. Anija ku po udhëtonte Pavli erdhi nga Kosi në Rodos, aty nga fundi i udhëtimit të tretë misionar, rreth vitit 56 të e.s.—Ve 21:1.
Falë pozicionit strategjik dhe porteve të mira, që herët, Rodosi spikati si qendër e tregtisë. Gjithsesi, duket se me kohë, qyteti i Rodosit u bë më shumë i njohur si qendër kulturore.
Kolosi i Rodosit, një statujë bronzi e perëndisë-diell Helios, qëndronte pranë portit të qytetit. Konsiderohej një nga «shtatë mrekullitë» e antikitetit dhe thuhet se ishte rreth 70 kute (31 m) e lartë. Në kohën e Pavlit, kjo statujë nuk ndodhej më aty, sepse ishte rrëzuar për shkak të një tërmeti në shekullin e tretë p.e.s. Gjithsesi, fragmente shumë të mëdha të Kolosit ekzistuan për një kohë të konsiderueshme edhe gjatë erës sonë. Ideja se statuja që ndodhej në hyrje të portit kishte njërën këmbë në një anë e një në tjetrën dhe se anijet lundronin midis këmbëve, nuk vërtetohet dot.