RIBLAHU
1. Vend në kufirin lindor të ‘Kanaanit’ që nuk dihet ku ndodhej.—Nu 34:2, 10, 11.
2. Qytezë në veri të Izraelit, «në vendin e Hamathit». (Jr 52:9) Në përgjithësi pranohet se Riblahu i lashtë gjendej afër Riblehut të sotëm, siç dëshmojnë rrënojat aty pranë. Ky vend ndodhet në bregun lindor të lumit Orontes, afro 60 km në verilindje të Baalbekut, në luginën mes maleve të Libanit dhe Anti-Libanit. Me sa duket, faraoni Neko fushoi në Riblah pasi mundi mbretin Josia, rreth vitit 629 p.e.s. Në atë kohë ai po marshonte drejt veriut që të luftonte kundër babilonasve, të cilët sundonin mbi Asirinë. Pas Josisë erdhi në fron Jehoahazi, por pas tre muajsh Nekoja e zëvendësoi me Eliakimin (Jehojakimin). Faraoni Neko urdhëroi që mbretin Jehoahaz ta çonin tek ai, në Riblah, para se të merrej rob në Egjipt. (2Mb 23:29-34) Riblahu ishte vend strategjik për kamp ushtarak. Nga aty kontrollohej një udhë veri-jug që lidhte Egjiptin me Eufratin dhe përdorej për qëllime tregtare e ushtarake. Uji gjendej lehtësisht, ushqimi dhe lëndët djegëse siguroheshin kollaj nga lugina dhe pyjet aty rrotull.
Të njëjtat avantazhe ushtarake u hynë në punë babilonasve më vonë. Pasi filloi rrethimin e Jerusalemit në fund të vitit 609 p.e.s., Nabukodonosori me sa duket ngriti një kamp në Riblah që t’i drejtonte nga aty operacionet ushtarake. Nga ai pozicion mund të sulmonte Damaskun ose të kthehej shpejt në Babiloni nëse do të lindte nevoja. Kur Zedekia u kap rob në vitin 607 p.e.s., e çuan te Nabukodonosori në Riblah, siç çuan pak paskëtaj edhe burra të tjerë të rëndësishëm të qytetit.—2Mb 25:1, 5-7, 18-21; Jr 39:5; 52:9-11, 26, 27.
Shumë studiues kanë arritur në përfundimin që «Diblah» tek Ezekieli 6:14 duhej të ishte «Riblah» dhe i referohet Riblahut buzë Orontesit.—Shih DIBLAHU.