SERAJAHU
[Jehovai është ndeshur (ka ngulmuar)].
1. Bir i Kenazit në fisin e Judës; vëllai i gjykatësit Otniel dhe nip i Kalebit që shkoi si zbulues në Tokën e Premtuar. Pasardhësit e Serajahut nga i biri, Joabi, u bënë artizanë.—1Kr 4:13, 14.
2. Sekretar në administratën e mbretit David. (2Sa 8:15, 17) Nëse nuk ka pasur shumë ndryshime në personelin që kryente këtë detyrë, në vargje të tjera Serajahu quhet Sheva (2Sa 20:25), Shavsha (1Kr 18:16) dhe Shisha. Sipas 1 Mbretërve 4:3, dy bijtë e Shishës më vonë kryen të njëjtin funksion gjatë mbretërimit të Solomonit. Emrat e pjesës më të madhe të zyrtarëve të tjerë qeveritarë janë të njëjtë në të tria listat e njerëzve që shërbenin në kohën e Davidit.
3. Bir i Asielit nga fisi i Simeonit. Pasardhësit e tij, bashkëkohës të Hezekisë, u bashkuan me ata që sulmuan kamitët e meunimët dhe u morën vendin që ta përdornin për kullota.—1Kr 4:24, 35, 38-41.
4. Një nga tre burrat që mbreti Jehojakim dërgoi nga fundi i vitit 624 p.e.s., të kapnin Jereminë dhe Barukun. Arsyeja ishte profecia kundër Jerusalemit dhe Judës që kishte shkruar Baruku nën diktimin e Jeremisë. Serajahu ishte bir i Azrielit.—Jr 36:9, 26.
5. Intendenti i mbretit Zedekia; bir i Nerjahut dhe vëlla i Barukut. (Jr 32:12; 51:59) Në vitin 614 p.e.s., vitin e 4-t të mbretërimit të Zedekisë, Serajahu shkoi me Zedekinë në Babiloni. Jeremia i kishte dhënë një rrotull me shpallje profetike kundër Babilonisë dhe i kishte thënë ta lexonte me zë buzë lumit Eufrat, pastaj ta lidhte me një gur e ta hidhte në lumë për të ilustruar rënien e Babilonisë njëherë e përgjithmonë. (Jr 51:59-64) Ka të ngjarë që Serajahu t’u ketë përçuar të mërguarve izraelitë që ishin tashmë atje disa pjesë nga profecia. Është me interes të përmendim se arkeologët kanë gjetur një vulë me mbishkrimin «I përket Serajah (ben) Nerjahut».—Israel Exploration Journal, Jerusalem, 1978, vëll. 28, f. 56.
6. Kreu i priftërinjve gjatë shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. Serajahun e vranë me urdhër të Nabukodonosorit, kurse të birit, Jehozadakut, ia kursyen jetën dhe e morën rob në Babiloni. (2Mb 25:18-21; Jr 52:24-27) Biri i Serajahut, Jehozadaku, siguroi vazhdimësinë e linjës së kryepriftërinjve që vinin nga Aaroni; biri i Jehozadakut, Jeshuai, shërbeu në këtë detyrë në kohën kur judenjtë u liruan dhe u kthyen në atdhe. (1Kr 6:14, 15; Ezd 3:2) Serajah quhet edhe i ati i Ezdrës, por përderisa nga vdekja e Serajahut deri te kthimi i Ezdrës kaluan 139 vjet, ata duhet t’i kenë ndarë të paktën dy breza anonimë, krejt e zakonshme në gjenealogjitë biblike.—Ezd 7:1.
7. Një nga krerët ushtarakë që mbetën në Judë pas dëbimit të popullsisë në Babiloni; bir i Tanumetit. Serajahu dhe burrat e tjerë të rangut të tij mbështetën emërimin e Gedaliahut si guvernator, e paralajmëruan që Ismaeli donte ta vriste dhe më vonë u munduan të merrnin hak për vdekjen e tij. Megjithatë, nga frika e babilonasve, Serajahu dhe krerët e tjerë i çuan në Egjipt judenjtë që kishin mbetur.—2Mb 25:23, 26; Jr 40:8, 13-16; 41:11-18; 43:4-7.
8. Një nga burrat, me sa duket prijës, që u kthyen nga mërgimi me Zorobabelin në vitin 537 p.e.s. (Ezd 2:1, 2) Në listën paralele të Nehemisë 7:7 quhet Azariah.
9. Prift që u kthye nga mërgimi me Zorobabelin. Në brezin pasardhës, shtëpinë e tij atërore e përfaqësoi Merajahu. (Ne 12:1, 12) Edhe Serajahu që përmendet mes nënshkruesve të besëlidhjes në kohën e Ezdrës dhe të Nehemisë mund të ketë qenë përfaqësues i së njëjtës familje, ose një prift tjetër me të njëjtin emër. (Ne 10:1, 2, 8) Një burrë me emrin Serajah, mbase po nga kjo shtëpi atërore ose një prift me të njëjtin emër, jetoi në Jerusalem pas rindërtimit të mureve.—Ne 11:1, 10, 11.