SHARONI
1. Rrafshina bregdetare mes rrafshinës së Dorit (në jug të Karmelit) dhe rrafshinës së Filistisë. Rrafshina e Sharonit kufizohet në veri me Lumin Krokodil (Nahr-ez-Zerkën), pastaj shtrihet drejt jugut për afro 60 km deri në zonën e Jopës. Gjerësia e saj shkon nga 16 deri në 19 km. Përgjatë bregut ka duna të mëdha rëre. Nëpër këtë zonë kalonin rrugë kryesore, prandaj në lashtësi kishte goxha rëndësi ushtarake dhe tregtare.
Sharoni ishte i famshëm për tokën pjellore (krahaso Is 35:2), pasi ishte një zonë e ujitur mirë nga disa rrjedha. Aty kullotnin dhen e gjedhë. (1Kr 27:29; krahaso Is 65:10.) Dikur, pjesa veriore e Sharonit ishte e veshur me pyje të mëdhenj lisash, ndërsa pjesa jugore ka të ngjarë të ishte më e kultivuar, njësoj si sot. Duket se një pjesë e mirë e rajonit u shkretua gjatë pushtimit asirian në shekullin e 8-të p.e.s.—Is 33:9.
Te Kënga e Solomonit, shulamitja e përshkruan veten thjesht si «një shafran i rrafshinës bregdetare», që siç duket nënkuptonte se ishte veç një lule e zakonshme mes luleve të shumta që rriteshin në Sharon.—Kng 2:1.
2. Te 1 Kronikave 5:16 thuhet se fisi i Gadit banonte «në Galaad, në Bashan e në fshatrat e tij dhe në gjithë kullotat e Sharonit». Sipas disa studiuesve, kjo tregon që gaditët i kullotnin kopetë në rrafshinën bregdetare të Sharonit. Mirëpo territori i Gadit ishte në lindje të Jordanit dhe qoftë Galaadi, qoftë Bashani janë në atë anë të lumit. Prandaj shumë arrijnë në përfundimin se kishte edhe një rajon në territorin e Gadit që quhej Sharon.