SOKOHU, SOKOJA
[ndoshta: degë (peme)].
1. Qytet i Judës në Shefelah, që me sa duket quhej edhe Sokoh, edhe Soko. (Js 15:20, 33, 35) Para se Goliadi të ndeshej me Davidin, filistinët mblodhën ushtrinë në Sokoh e pastaj ngritën kampin në Efes-Damimin fqinj. (1Sa 17:1) Vite më pas, duket se ky Soko ishte ndër qytetet që fortifikoi Rehoboami. (2Kr 11:5-7; megjithatë, këto vargje mund të kenë lidhje me nr. 2.) Sidoqoftë, mbi 200 vjet më vonë, gjatë mbretërimit të Akazit, Sokon me fshatrat e tij i pushtuan filistinët. (2Kr 28:16-18) Mendohet se rrënojat e tij janë ato në Kirbet-ʽAbad (Horvat-Sokho), në ultësirën e Elahut, rreth 4 km në lindje-juglindje të Azekahut, ndonëse emri biblik me sa duket ruhet në atë të Kirbet-Shuveikehut, që është pak më në lindje.
2. Qyteti i Sokohut në rajonin malor të Judës. (Js 15:20, 48) Shpesh e lidhin me një vend që quhet Kirbet-Shuveikeh, rreth 17 km në jugperëndim të Hebronit. Ky është një tjetër Kirbet-Shuveikeh, jo ai te nr. 1.
3. Vend i njohur me emrin Sokoh, që e administronte një prej nëpunësve të Solomonit. (1Mb 4:7, 10) Mendohet se vendndodhja e tij është Kirbet-Shuveiket-er-Rasi, afro 15 km në perëndim-veriperëndim të Samarisë. Duket se kjo përputhet me tregimin biblik, pasi vendndodhjet e mundshme të Arubotit dhe të Heferit (që përmenden bashkë me Sokohun në librin e Mbretërve) janë aty pranë.
4. Në gjenealogjinë e Judës, Heberi quhet ‘ati i Sokos’. (1Kr 4:18) Soko mund të ishte emri i një pasardhësi të Heberit ose ndoshta ky shkrim tregon se Heberi ishte themeluesi i qytetit të Sokos a i popullsisë së tij. Në rast se ishte kjo e fundit, nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për nr. 1 apo nr. 2.