URI
[1-4: nga rrënja e fjalës që do të thotë «dritë»].
1. Pasardhës i Judës nga Perezi, Hezroni, Kalebi dhe Huri. Djali i Urit, Bezaleli, ishte një nga mjeshtërit me emër që ndërtuan tabernakullin.—Da 31:2; 35:30; 38:22; 1Kr 2:4, 5, 9, 18-20; 2Kr 1:5.
2. ‘I ati’ i Elifalit, njërit prej burrave të fuqishëm të forcave ushtarake të Davidit. (1Kr 11:26, 35) Uri me sa duket quhej edhe Ahasba.—2Sa 23:34.
3. I ati i Geberit, njërit prej nëpunësve që i siguronte ushqim Solomonit.—1Mb 4:7, 19.
4. Një nga tre derëtarët levitë që larguan gratë e huaja dhe bijtë e tyre sipas këshillës së Ezdrës.—Ezd 10:10, 11, 24, 44.
5. ‘Uri i kaldeasve’, qyteti i Mesopotamisë ku lindi vëllai i Abramit (Abrahamit), Harani (e ndoshta edhe vetë Abrahami). (Zn 11:28; Ve 7:2, 4) Jehovai iu shfaq Abrahamit dhe e urdhëroi të ikte nga Uri. Meqë Terahu ishte kryefamiljari, Bibla thotë se ishte ai që e mori të birin, Abrahamin, të renë e tij, Sarën, dhe të nipin, Lotin, dhe u shpërngulën nga Uri në Haran.—Zn 11:31; 12:1; Ne 9:7.
Në përgjithësi, Urin e lidhin me Mukaijirin, që ndodhet në perëndim të shtratit të sotëm të Eufratit dhe afro 240 km në juglindje të Babilonisë. Rrënojat atje zënë një sipërfaqe rreth 910 m me 730 m. Edhe sot e kësaj dite, karakteristika kryesore e këtij vendi, që dikur ishte qendër e adhurimit të perëndisë-hënë Nana (ose Sin), mbetet një kullë-tempull ose zigurat rreth 61 m i gjatë, 46 m i gjerë dhe 21 m i lartë.—FIGURA, vëll. 2, f. 322 në botimin anglisht.
Sot lumi Eufrat rrjedh afro 16 km në lindje të vendndodhjes së Urit, por dëshmitë tregojnë se në lashtësi Eufrati kalonte tamam në perëndim të qytetit. Historiani dhe gjeografi Henri Gober shkruan në një libër të tij: «Në kohën e Abramit, tre lumenjtë e mëdhenj (Karuni, Tigri dhe Eufrati) kishin tri grykëderdhje të ndryshme në Gjirin Persik. Vlen të përmendet këtu se qyteti i Urit ndodhej . . . në bregun e majtë [lindor] të Eufratit. Pra ishte plotësisht e saktë që fisi hebre i Abramit, i cili vinte nga qyteti-shtet i Urit, të quhej ‘populli nga matanë lumit’.»—Abraham, Loved by God, 1968, f. 8.
Gjithashtu, në botimin e rishikuar dhe të përditësuar të një vepre të sër Leonard Uollejit (Excavations at Ur), tregohet se Eufrati ndodhej pa pikë dyshimi në perëndim të Urit. Atje thuhet për sistemin mbrojtës të Urit: «Këto fortifikata masive ishin edhe më të sigurta ngaqë rrëzë ledhit perëndimor rridhte lumi Eufrat (siç mund të shihet nga gjurma e thellë e shtratit të vjetër), ndërkohë që 50 jardë [afro 45 m] larg ledhit lindor ishte hapur një kanal i gjerë që ndahej prej lumit tamam mbi skajin verior të qytetit, kështu që Urin e rrethonte nga tri anë një hendek.» (Ur ‘of the Chaldees’, nga P. R. S. Mureji, 1982, f. 138) Pra mund të thuhej me të drejtë se Jehovai e mori Abrahamin «nga matanë Lumit», domethënë Eufratit.—Js 24:3.
Nga gërmimet në varret mbretërore të Urit kanë dalë në dritë shumë sende prej ari, argjendi, lazuriti e materialesh të tjera të çmuara, si edhe dëshmi që tregojnë se mbretëreshat e mbretërit e lashtë sumerianë të qytetit varroseshin me gjithë shpurën e shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tyre.
Rrënojat e disa ndërtesave të zbuluara në Ur që duken si shtëpi private (që sipas disave i përkasin periudhës nga shekulli i 20-të deri në shekullin e 16-të p.e.s.) tregojnë se shtëpitë ndërtoheshin me tulla, suvatoheshin e lyheshin me gëlqere dhe kishin 13 a 14 dhoma përqark një oborri të shtruar. Disa pllaka argjile të gjetura atje përdoreshin për të mësuar shkrimin kuneiform. Pllaka të tjera tregojnë se nxënësit kishin tabela shumëzimi e pjesëtimi dhe bënin veprime me rrënjë katrore e kubike. Shumë prej pllakave janë dokumente tregtare.
Kështu, nga gërmimet e bëra në Ur shihet qartë se Abrahami bëri sakrifica të mëdha nga ana materiale kur u largua nga ai qytet. Megjithatë, me besim, patriarku «priste qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia».—He 11:8-10.