UZIAHU
[forca ime është Jehovai].
1. Levit kehathit; ‘bir’ i Urielit.—1Kr 6:22-24.
2. Babai i Jonatanit që ishte zyrtar i mbretit David.—1Kr 27:25.
3. Mbret i Judës që quhet edhe Azariah; bir i Amaziahut nga gruaja e tij, Jekolia. Mbretëroi 52 vjet (829-778 p.e.s.). Gjatë kësaj kohe, në mbretërinë veriore mbretëruan njëri pas tjetrit Jeroboami (II), Zakaria, Shalumi, Menahemi, Pekahiahu dhe Pekahu. (2Mb 15:1, 2, 8, 10, 13, 14, 17, 23, 25, 27; 2Kr 26:3) Profetët Isaia (1:1; 6:1), Hozea (1:1), Amos (1:1) e mbase edhe Joeli ishin bashkëkohës të Uziahut. Gjatë mbretërimit të tij pati një tërmet jashtëzakonisht të fortë.—Za 14:5.
Populli i Judës e bëri Uziahun mbret në moshën 16-vjeçare, pas vdekjes së të atit. (2Mb 14:21; 2Kr 26:1) Megjithatë, sipas 2 Mbretërve 15:1, Uziahu u bë mbret vitin e 27-të Jeroboamit (II), mbretit të Izraelit. Duke u nisur nga kjo, Uziahu filloi të mbretëronte rreth 12 vjet pas vdekjes së të atit; kjo do të thotë se ai duhet të jetë ‘bërë mbret’ në një kuptim të veçantë. Ndoshta vitin e 27-të të mbretërimit të Jeroboamit mbretëria dyfisëshe e Judës u lirua nga zgjedha e mbretërisë veriore, që ka të ngjarë të ketë filluar kur Jehoasi, mbreti i Izraelit, mundi të atin e Uziahut, Amaziahun. (2Kr 25:22-24) Pra, ka mundësi që Uziahu të jetë bërë mbret për herë të dytë në kuptimin që theu zgjedhën e mbretit izraelit Jeroboami (II).
Uziahu bëri «atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait». Kjo ishte kryesisht falë këshillave të mira të një burri me emrin Zakaria (jo profeti me të njëjtin emër që jetoi më vonë). Sidoqoftë nënshtetasit e tij vazhduan të paraqitnin flijime të papërshtatshme në vendet e larta.—2Mb 15:3, 4; 2Kr 26:4, 5.
Uziahu u bë i famshëm për fitoret e tij ushtarake të arritura me ndihmën e Jehovait. Ai i riktheu mbretërisë së Judës Elathin (Elothin) që shtrihej në skaj të gjirit të ʽAkabës dhe e rindërtoi. Korri fitore kundër filistinëve, duke hapur një të çarë në muret e Gathit, Jabnehut e Ashdodit dhe ngriti qytete në territorin e Ashdodit. Gjithashtu mundi arabët e meunimët dhe i detyroi amonitët t’i paguanin haraç Judës. Ushtria e tij e fuqishme dhe e armatosur mirë përbëhej nga 307.500 burra nën komandën e 2.600 krerëve të shtëpive atërore. Uziahu forcoi fortifikatat e Jerusalemit dhe ngriti atje makina lufte.—2Mb 14:22; 2Kr 26:2, 6-9, 11-15.
Ky mbret shfaqi interes të madh edhe për bujqësinë e blegtorinë. Ai gërmoi shumë sterna që bagëtia të kishte ujë me bollëk dhe ngriti kulla në shkretëtirë, ka shumë të ngjarë për të mbrojtur bagëtitë nga kusarët. Nën drejtimin e tij, morën hov bujqësia dhe vreshtaria në zonat malore dhe në Karmel.—2Kr 26:10.
Duket se sukseset e bujshme e bënë Uziahun aq fodull sa mori guximin të futej tek e Shenjta e tempullit për të djegur temjan. Kryeprifti Azariah bashkë me 80 priftërinj shkuan pas mbretit në tempull, e qortuan për këtë akt të paligjshëm dhe e urdhëruan të dilte nga shenjtërorja. Me temjanicë në dorë dhe i tërbuar me priftërinjtë, Uziahu u godit me lebër në ballë nga Jehovai. Të tronditur, priftërinjtë e nxorën nga tempulli. Duke qenë i papastër nga lebra, Uziahu u përjashtua nga çdo formë adhurimi në shenjtërore dhe s’mund të kryente më funksionet mbretërore. Kështu, ndërsa Uziahu qëndroi në një shtëpi deri ditën e vdekjes, frerët e shtetit i mori në dorë i biri, Jotami.—2Kr 26:16-21.
Te 2 Kronikave 26:23 thuhet për vdekjen dhe varrosjen e tij: «Në fund Uziahu u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën me ta, por ama në fushë, jashtë varreve të mbretërve, sepse thanë: ‘Ai është i lebrosur.’» Kjo mund të nënkuptojë se, për shkak të lebrës, Uziahu u varros në një fushë ngjitur me varrezën mbretërore dhe jo në një varr të hapur në shkëmb.
Në një pllakë guri gëlqeror të gjendur në Jerusalem, që mendohet se daton nga shekulli i 1-rë i e.s., shfaqet ky mbishkrim: «Këtu prehen eshtrat e Uziahut, mbretit të Judës. Mos e hap.»—FIGURA, vëll. 1, f. 960 në botimin anglisht.
4. Prift levit nga «bijtë e Harimit». (1Kr 24:8; Ezd 2:36, 39) Një ndër ata që larguan gratë e huaja sipas këshillës së Ezdrës.—Ezd 10:10, 11, 21, 44.
5. Pasardhës i Judës nga Perezi. I «biri», Atajahu, renditet mes banorëve të Jerusalemit në kohën e Nehemisë.—Ne 11:4.