Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Ata veshën personalitetin e ri
BIBLA urdhëron: «Zhvisheni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishuni me personalitetin e ri, që nëpërmjet njohurisë së saktë të ripërtërihet sipas shëmbëllimit të Atij që e krijoi.» (Kolosianëve 3:9, 10, BR) Shumë prej atyre që sot janë Dëshmitarë të Jehovait, njëherë e një kohë ishin pjesë e botës së padrejtë të Satanait. Duke fituar njohurinë e saktë mbi atë që kërkon Perëndia nga të krishterët, ata kanë ndryshuar dhe kanë veshur personalitetin e ri. Përvojat vijuese ilustrojnë se si mund të bëhen ndryshime të tilla.
◻ Në Spanjë, një hajdut i regjur filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Shtëpia e tij ishte plot me sende të vjedhura. Dora dorës që përparonte në njohurinë e saktë të parimeve biblike, filloi ta brente ndërgjegjja dhe vendosi që gjërat e vjedhura t’ua kthente të zotërve.
Shkoi tek punëdhënësi i tij i mëparshëm dhe i tregoi se i kishte vjedhur një lavatriçe të re. Ky i fundit, i habitur nga arsyet e ndryshimit të sjelljes së tij, i lejoi që ta paguante lavatriçen me një çmim rreth 28.500 lekë dhe i tha se nuk do ta denonconte.
Më tej, shkoi tek kryetari i bashkisë së qytetit dhe i tregoi se i kishte thyer dy llampa të çmueshme të komunës dhe i ofroi t’i zhdëmtonte dëmin. Duke parë se ky njeri falë studimit të Biblës kishte veshur «personalitetin e ri», kryetari i bashkisë e fali dhe nuk ia pranoi zhdëmtimin.
Pastaj shkoi edhe tek persona të tjerë në lagje për t’u kthyer sendet e vjedhura dhe të gjithë u çuditën me ndryshimin e madh që ai kishte bërë nga vënia në praktikë e parimeve biblike.
Por të zotët e shumë sendeve të tjera që ai akoma zotëronte, ishin të panjohur. Kështu, pasi iu lut Jehovait, shkoi në komisariat dhe dorëzoi të gjashtë magnetofonët që kishte vjedhur nga makinat e parkuara. Policia u habit, pasi ky njeri nuk kishte patur raste të mëparshme. I thanë që të paguante një gjobë dhe të vuante një dënim të shkurtër me heqje lirie.
Tani, ky njeri e ka ndërgjegjen të pastër përpara Jehovait. Në harmoni me Efesianëve 4:28, (BR)—«vjedhësi të mos vjedhë më»,—dhe duke kuptuar që vjedhësit «nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë», ai pushoi së vjedhuri dhe veshi «personalitetin e ri».z—1. Korintasve 6:9, 10.
◻ Një përvojë e ardhur nga ishujt Marshall, tregon se si e vërteta e Biblës mund ta bashkojë dhe ta bëjë me të vërtetë të lumtur një familje. Burri ishte një pijanec dhe një duhanxhi i fortë edhe pse ishte një katolik i zjarrtë dhe praktikues. Dy të rinj Dëshmitarë i bënë një vizitë dhe ai pranoi një studim biblik. Për tre vjet, gruaja e pengonte. Por, duke vënë re se e vërteta e kishte ndryshuar—nuk po pinte më duhan, nuk dehej më dhe kishte filluar t’i bënte gjërat bashkë me familjen—më së fundi e dëgjoi lajmin e mirë dhe filloi t’u fliste edhe të tjerëve për ato që mësonte. Të dy e legalizuan martesën e tyre dhe së bashku e simbolizuan dedikimin ndaj Jehovait me pagëzim. Tani, ky njeri shërben si plak kongregacioni, ndërsa e shoqja mezi pret që të fillojë shërbimin si pioniere.
Po, Jehovai i bekon ata që e ‘zhveshin personalitetin e vjetër’ dhe ‘veshin personalitetin e ri’.—Efesianëve 4:22-24, BR.