Si mund të jetë Ungjilli i dobishëm për ty?
BIBLA respektohet shumë për vlerat e saja letrare, madje edhe nga disa ateistë. Por, pak e lexojnë që të vënë në zbatim atë që thotë ajo. Veç kësaj, pasi lajmi i mirë që ajo përmban daton gati dy mijë vjet më parë, shumë veta besojnë se Bibla ka nevojë të modernizohet dhe përditësohet. A është Ungjilli arkaik apo i vjetruar? Aspak!
Miliona burra e gra të çdo moshe e dinë se Bibla është një burim i paçmuar ndihme. Parathënia e një botimi të Biblës (Today’s English Version) pohon: «Bibla nuk është vetëm një vepër e shkëlqyer letrare për t’u admiruar dhe nderuar; është një Lajm i Mirë për njerëz nga çdo vend, një mesazh për t’u kuptuar dhe zbatuar në jetën e përditshme.»
Ç’do të thotë për ty Ungjilli? A udhëhiqesh prej tij në jetën e përditshme? Vërej se në ç’mënyrë lajmi i mirë ndihmoi disa veta që e dëgjuan në shekullin e parë dhe se si kanë nxjerrë dobi disa të tjerë në ditët tona.
Njerëz të ndihmuar nga Ungjilli
Shumë njerëz në kohën e Jezuit, për shembull peshkatarë si dhe nëna familjesh, u tërhoqën nga lajmi i mirë dhe mësuan të vërtetën mbi qëllimin e Perëndisë për njerëzit. Lajmi i mirë ndryshoi rrënjësisht jetën e tyre dhe shpesh u solli një lehtësim të madh. Për shembull, Marija Magdalena u lirua prej zotërimit demonik. Zakeu, që fillimisht qe një tagrambledhës, braktisi mënyrën e tij lakmitare të jetesës. (Luka 8:2; 19:1-10) Të verbërit dhe lebrosët gjenin ndihmë kur i afroheshin Jezuit, atij që predikonte lajmin e mirë. (Luka 17:11-19; Gjoni 9:1-7) Me të drejtë Jezui tha: «Të verbërit po shohin, paralitikët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhët po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u predikohet lajmi i mirë.»—Mateu 11:5, Dhiata e Re dhe Psalmet.
Por më e rëndësishme se shërimi i tyre, ishte mënyra në të cilën lajmi i mirë ndryshonte shumë nga ata të varfër. Njerëzit me zemër të drejtë mbusheshin me shpresë për të ardhmen. E vinin besimin e tyre tek Mbretëria e Perëndisë që është më e mirë se çdo ungjill shoqëror. (Mateu 4:23) Shpresa e tyre nuk u errësua me vdekjen e Jezuit. Duke përshkruar gjendjen që ekzistonte në periudhën që pasoi këtë ngjarje, Veprat 5:42 thotë për dishepujt e Jezuit: «Çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, vazhdonin pa pushim të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë mbi Krishtin, Jezu.» (NW) Në shekullin e parë, njerëz nga shumë vende e pranuan këtë predikim dhe morën kështu ndihmë frymore.
Në atë kohë Mbretëria ishte lajmi më i mirë. A është akoma mesazhi i Mbretërisë një lajm i mirë?
Ç’do të thotë lajmi i mirë sot?
Nëse dëshiron me gjithë zemër një botë të sigurt dhe paqësore, lajmi i Mbretërisë është pa dyshim një lajm i mirë. Madje, në një botë ku qindra e miliona njerëz janë të ushqyer keq dhe të uritur, ku sëmundje të frikshme kërcënojnë këdo, ku kriminaliteti rritet me ritme alarmante dhe ku paqëndrueshmëria politike po përhapet, ky është i vetmi lajm i mirë i vërtetë dhe i qëndrueshëm. Është e vetmja shpresë për një të ardhme me të vërtetë më të mirë.
Për këtë arsye Jezui profetizoi mbi ditët tona: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, NW) Këto fjalë po përmbushen në mënyrë të denjë, duke parë se si Dëshmitarët e Jehovait predikojnë lajmin e mirë në më shumë se 200 vende. Një botim katolik, Nova Evangelização 2000, i lavdëron Dëshmitarët për këtë, duke thënë: «Ku i takojmë Dëshmitarët e Jehovait? Nëpër dyert e shtëpive. Dhe për të qenë një Dëshmitar i Jehovait, përveçse t’i përkasësh Jehovait, duhet të dëshmosh. Prandaj i shohim të punojnë, të lajmërojnë dhe të prezantojnë atë që kanë provuar vetë.»
Megjithatë, askush nuk përfiton automatikisht prej lajmit të mirë. Ai ndihmon vetëm ata që e dëgjojnë dhe i binden. Për të ilustruar këtë pikë, Jezui dha tregimin e njeriut që doli për të mbjellë. Llojet e ndryshme të terrenit ku ra fara, përfaqësonin gjendjet e ndryshme të zemrës që shfaqnin ata që dëgjonin lajmin e mirë. Jezui tha: «Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. . . . E i mbjelli në ’tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.»—Mateu 13:18-23.
Si në shekullin e parë, sot pjesa më e madhe e njerëzve nuk përpiqet shumë për të kuptuar lajmin e mirë. Nuk e kap kuptimin e tij dhe kështu humbasin. Të tjerë, tregojnë se e çmojnë lajmin e mirë dhe mësojnë se si ta vënë jetën e tyre në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Në këtë mënyrë janë të bekuar. Po ti, cilit grup i përket?
Fuqia e Ungjillit sot
Përvoja dëshmon se të kuptuarit e lajmit të mirë i ndihmon ata që fillimisht «nuk kishin asnjë shpresë dhe ishin pa Perëndi.» (Efesianëve 2:12; 4:22-24, NW) Për shembull, Roberti që jeton në Rio de Zhaneiro, kishte nevojë për ndihmë. Qysh i ri, kish ndjekur një jetë të shthurur, i ngatërruar në drogë, imoralitet dhe vjedhje. Më në fund u gjend në burg. Atje studioi Biblën me një Dëshmitar të Jehovait që e vizitonte dhe bëri një përparim të tillë frymor, saqë dënimi i tij u ul shumë.
Pasi u lirua, Roberti takoi një vajzë që në të kaluarën e kishte grabitur, duke e kërcënuar me pistoletë. Edhe ajo po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Çfarë ndodhi? Fjalët që vijojnë, janë pjesë e një letre që i referohet kësaj ndodhie: «Kur u takuan në Sallën e Mbretërisë, ishte hera e parë që shiheshin pas agresionit. Takimi qe prekës. Sytë e të dyve qenë të mbushur me lotë dhe u përqafuan si motër e vëlla. Tani, ish-grabitësi dhe viktima e tij, lavdëronin së bashku Jehovain.»
Edhe Izabela kishte nevojë për ndihmë. Kjo grua, e njohur për karakterin e saj të keq, ishte përfshirë thellësisht në spiritizëm dhe magji; mundohej gjithashtu edhe nga demonët. Duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, zbuloi se lajmi i mirë po e ndihmonte me të vërtetë. Pas disa kohësh u lirua prej kontrollit demonik dhe ndryshoi personalitetin e vet, duke mësuar më në fund të përmbahej. Tani Izabela është një e krishtere besnike, e njohur për mirësjelljen e saj.
Po, lajmi i mirë nuk është diçka thjesht teorike. Ai ka me të vërtetë fuqi të ndryshojë jetërat e njerëzve. (1. Korintasve 6:9-11) Por bën edhe më shumë: tregon për bekime të ardhshme.
Bekime që priten të vijnë
Sipas Fjalës së Perëndisë, e ardhmja ruan gjëra të mrekullueshme. Do të shohim të përmbushet lutja e Jezuit për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë dhe bërjes së vullnetit të Perëndisë mbi tokë, ashtu si edhe në qiell. (Mateu 6:10) Edhe pak dhe sistemi i tanishëm i gjërave me korruptimin dhe dhunën e tij shtypëse, do të eliminohet dhe qeveria qiellore e Perëndisë, Mbretëria e tij, do të ushtrojë autoritet mbi njerëz të drejtë, të gatshëm për të dëgjuar dhe për t’iu bindur lajmit të mirë.—Danieli 2:44.
Pastaj gjërat do të përmirësohen rrënjësisht, dora-dorës që krijesat besnike njerëzore do të mësojnë se si ta transformojnë tokën në një parajsë, ku të butët do të jetojnë përgjithmonë. (Psalmi 37:11, 29) Patjetër që është një lajm i mirë fakti se kriminaliteti, sëmundjet, ndotja dhe luftërat do të zhduken përgjithmonë! A e përfytyron dot që të jesh bashkë me familjen tënde në atë botë të re, ku do të mund të jetosh në paqe dhe shëndet të plotë, pa u frikësuar nga sëmundjet ose vdekja?—Zbulesa (Apokalipsi) 21:4.
Është e vërtetë se shumëkush e konsideron këtë lajm të mirë naiv apo utopik. Por gabohen. Lajmi i mirë mbështetet mbi baza mjaft të forta dhe ka ndryshuar tashmë jetën e miliona njerëzve. Prandaj, mos u druaj nga fakti se të tjerët nuk besojnë.
Ta zëmë, se një person largpamës blen tokë në një terren që është duke u zhvilluar, me shpresë se do të nxjerrë përfitim nga ky investim. A do ta qortonte, vallë, dikush se përse po i investon në këtë mënyrë paratë? Jo. Ka më shumë të ngjarë që njerëzit të thonë se po vepron me mençuri. Përse atëherë të mos jemi largpamës në lidhje me Mbretërinë dhe të investojmë, nëse mund të themi, në lajmin e mirë? Pasi të pranosh lajmin e mirë do të thotë shpëtim, asnjë investim tjetër nuk do të ishte më frytdhënës, sesa ky.—Romakëve 1:16.
Por, si mund të investosh në lajmin e mirë? Së pari, ji i gatshëm për t’u mësuar nga Perëndia. Pastaj, vepro në përputhje me atë që ke mësuar. Plotëso kërkesat themelore që janë renditur nga profeti i lashtë hebre: «Dhe çfarë kërkon prej teje Jehovai, përveç se të ushtrosh të drejtën e të duash mirësinë e të jesh i thjeshtë në ecjen me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:8) Për të mësuar që të ecim me Perëndinë, duhet kohë dhe përpjekje. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait, që ndihmuan Robertin dhe Izabelën, do të jenë të gëzuar që të të ndihmojnë për këtë, ashtu siç kanë ndihmuar tashmë edhe miliona të tjerë gjatë viteve.
Ndërsa pret përmbushjen e premtimeve të Perëndisë, rrite investimin tënd, duke jetuar në harmoni me lajmin e mirë, duke gëzuar paqe mendore dhe duke lidhur një marrëdhënie më të fortë me Perëndinë. Investimi yt do të jetë i sigurt: asnjë rënie ekonomike dhe asnjë pështjellim politik, nuk do të mund ta rrezikojë. Dhe në fund, do të japë fryte në mënyrë të mrekullueshme. Por çfarë frytesh? Apostulli Gjon shkruajti: «Bota kalon dhe lakmia e saj, kurse mbetet në amshim ai që kryen vullnetin e Hyut.»—1. Gjonit 2:17.
[Figura në faqen 7]
Fara e lajmit të mirë bie në lloje të ndryshme terreni
[Burimi]
Garo Nalbandian