Vonesa ishte vdekjeprurëse!
TRI familje, shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë, vraponin të dëshpëruar për të shpëtuar jetën. Duket se kishin kërkuar të mbroheshin të gjithë së bashku në shtëpinë e dikujt, me shpresë se do t’i shpëtonin atij breshëri të tmerrshëm gurësh. Por, kur gjëmimi i gurëve që binin reshti, ia behu një tmerr i ri—një re e zezë mbytëse hiri. Tashmë, nuk iu mbetej tjetër, veç të vraponin.
Në krye gjendej një burrë, ndoshta një shërbëtor, i cili rendte me një thes me ushqime në sup. I shkonin pas dy fëmijë, njëri rreth katër vjeç dhe tjetri pesë, që vraponin të zënë për dore. Të tjerët vinin prapa, të kapur nga paniku, duke gulçuar, duke u penguar, duke kërkuar me dëshpërim një rrugë shpëtimi. Përpiqeshin të merrnin frymë, por në vend të ajrit thithnin hi të lagësht. Njëri pas tjetrit, të trembëdhjetë u shembën përdhe të pajetë dhe u varrosën nën një shi hiri. Kufomat e tyre të mjera mbetën të fshehura për gati 2.000 vjet, para se të zbuloheshin nga arkeologët që deshifruan hollësirat tragjike të çasteve të tyre të sprasme të jetës.
Këto trembëdhjetë viktima ishin vetëm disa nga pothuajse 16.000 njerëzit që humbën jetën në Pompein e lashtë, më 24 gusht të vitit 79 të e.s. Shumë veta mbijetuan, duke e braktisur qytetin kur mali Vezuv shpërtheu për herë të parë. Ata që u vonuan, shumica pasanikë që nuk donin të linin shtëpitë dhe pasurinë e tyre, u varrosën nën një shtresë shkëmbinjsh dhe hiri, gjashtë metra të lartë.
Ajo çka ndodhi në Pompei gati 2.000 vjet më parë, mund të jetë vetëm një histori e lashtë. Por në shumë aspekte, ajo është e ngjashme me gjendjen në të cilën ndodhet sot mbarë njerëzimi. Një shenjë botërore, shumë më e rrezikshme se ulërimat e Vezuvit, lajmëron se rregulli i tanishëm botëror po ballafaqohet me shkatërrimin e pashmangshëm. Për të mbijetuar, duhet të veprojmë pa humbur kohë. Vonesa është vdekjeprurëse. Në artikullin vijues do të shohim se për çfarë shenje bëhet fjalë dhe se si mund të veprojmë me zgjuarsi në bazë të saj.
[Burimi i figurës në faqen 2]
Cover photo by National Park Service
[Burimi i figurës në faqen 3]
Soprintendenza Archeologica di Pompei