BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/9 f. 24-30
  • Ruhuni nga muzika e dëmshme

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ruhuni nga muzika e dëmshme
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shpërdorimi i muzikës
  • Duhet të kemi kujdes
  • Rap​—Muzika e rebelimit
  • Heavy Metal: seks, dhunë dhe satanizëm
  • Korrim atë që mbjellim
  • Vazhdoni të vigjëloni
  • A do të bësh zgjedhje të mençura?
    Zgjohuni!—2011
  • Sa rëndësi t’i jap muzikës?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • A ka rëndësi çfarë muzike zgjedh?
    Të rinjtë pyesin
  • Fuqia e muzikës
    Zgjohuni!—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/9 f. 24-30

Ruhuni nga muzika e dëmshme

«Shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si prej njerëzish të paditur, por si të urtë, duke blerë për veten tuaj kohën e duhur, sepse ditët janë të këqija.»​—EFESIANËVE 5:15, 16, NW.

1. Përse muzika mund të quhet «një dhuratë hyjnore»?

«MUZIKA . . . është një dhuratë hyjnore.» Kështu shkruante Lulu Rumsey Wiley në librin e saj Bible Music. Që prej kohëve më të vjetra, burra dhe gra me frikë Perëndie e kanë njohur këtë ndjenjë. Nëpërmjet muzikës njeriu ka shprehur emocionet e veta më të thella​—gëzimin, dhimbjen, zemërimin dhe dashurinë. Prandaj, muzika ka luajtur një rol të rëndësishëm në kohët biblike, pasi është përmendur në gjithë librin e shenjtë.​—Zanafilla 4:21; Zbulesa 18:22.

2. Si është përdorur muzika për të lavdëruar Jehovain në kohët biblike?

2 Muzika gjeti shprehjen e saj më fisnike në adhurimin e Jehovait. Disa prej shprehjeve më të larta të lavdisë që janë bërë për Perëndinë Jehova, fillimisht kanë qenë me muzikë. «Do ta lavdëroj emrin e Perëndisë me këngë»,—shkroi psalmisti David. (Psalmi 69:30) Muzika përdorej si shoqëruese, kur dikush meditonte i vetëm në lutje. «Do ta kujtoj muzikën time natën; me zemër do të tregoj përkujdesje dhe fryma ime do të kërkojë me kujdes»,—shkroi Asafi. (Psalmi 77:6) Në tempullin e Jehovait muzika ishte mjaft e organizuar. (1. Kronikat 23:1-5; 2. Kronikat 29:25, 26) Disa herë, radhiteshin grupe të mëdha muzikore, si për shembull në dedikimin e tempullit, kur morën pjesë 120 trumbetistë. (2. Kronikat 5:12, 13) Nuk e dimë se çfarë tingulli mund të ketë pasur ajo muzikë madhështore, por një libër ka vërejtur: «Nuk është e vështirë të krijojmë një ide të efektit të përgjithshëm të muzikës së Tempullit në raste solemne . . . Nëse dikush prej nesh do të gjendej tani në mes të asaj skene, do të ishte e pamundur që të mos pushtohej nga një ndjenjë e thellë nderimi dhe madhështie.»​—The Music of the Bible.a

Shpërdorimi i muzikës

3, 4. Në ç’mënyrë dhurata e muzikës shpërdorohej prej popullit të Perëndisë dhe fqinjëve të tij?

3 Megjithatë, jo gjithmonë muzika është përdorur për qëllime të tilla të larta. Në malin Sinai, muzika u përdor për të nxitur adhurimin idhujtar të një viçi të artë. (Të Dalët 32:18) Herë-herë muzika është lidhur, gjithashtu, me dehjet dhe madje edhe me prostitucionin. (Psalmi 69:12; Isaia 23:15) Fqinjët paganë të Izraelit, nuk ishin më pak fajtorë në shpërdorimin e kësaj dhurate hyjnore. «Në Feniki dhe Siri,—thotë një fjalor biblik,—pothuajse e gjithë muzika popullore pasqyronte adhurimin e Ishtarit, perëndeshës së pjellorisë. Prandaj, këngët popullore ishin zakonisht prelud i orgjive seksuale.» (The Interpreter’s Dictionary of the Bible) Edhe grekët e lashtë e përdornin muzikën për të shoqëruar «valle erotike» popullore.

4 Po, muzika ka fuqinë për të nxitur, për të joshur dhe për të ndikuar. Dekada më vonë, John Stainer, në librin e tij Muzika e Biblës, shkoi aq larg, saqë tha: «Asnjë art nuk ushtron mbi racën njerëzore një ndikim të tillë të fuqishën në kohën tonë, sa arti i Muzikës.» (The Music of the Bible) Sot, muzika vazhdon të ushtrojë një ndikim të fuqishëm. Prandaj, një lloj i gabuar muzike mund të përbëjë një rrezik të vërtetë për të rinjtë që i frikësohen Perëndisë.

Duhet të kemi kujdes

5. (a) Çfarë roli të madh luan muzika në jetën e shumë adoleshentëve? (b) Cila është pikëpamja e Perëndisë mbi zbavitjet e të rinjve?

5 Nëse je një i ri, e kupton mirë se sa rëndësi ka muzika​—veçanërisht format e ndryshme të muzikës pop dhe rock—​për shumicën e bashkëmoshatarëve të tu. Muzika është quajtur, madje, «pjesë e metabolizmit të adoleshentëve». Është llogaritur se në gjashtë vitet e fundit të shkollës, një i ri i mesëm amerikan do të dëgjojë mbi katër orë muzikë rock në ditë! Sigurisht, kjo tregon një mungesë ekuilibri. Dhe kjo, jo sepse është e gabuar të dëgjosh diçka që të bën të ndihesh mirë dhe i lumtur. Krijuesi i muzikës së gëzueshme, Jehovai, sigurisht nuk pret që të rinjtë të jenë të trishtuar dhe të mjerë. Në fakt, ai u urdhëroi shërbëtorëve të vet: «Gëzohuni me Jehovain dhe kënaquni, ju të drejtët; dhe bërtisni me gëzim, të gjithë ju që jeni me zemër të drejtë.» (Psalmi 32:11) Të rinjve Fjala e tij u thotë: «Gëzohu, i ri, në rininë tënde dhe zemra jote le të bëjë mirë në ditët e rinisë sate.»​—Eklisiastiu 11:9.

6. (a) Përse të rinjtë duhet të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e muzikës (b) Përse pjesa më e madhe e muzikës së sotme është më e kritikueshme, se muzika e brezave të kaluar?

6 Megjithatë, ka arsye të mira për t’u treguar të kujdesshëm në zgjedhjen e muzikës. Apostulli Pavël tha në Efesianëve 5:15, 16: «Shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si prej njerëzish të paditur, por si të urtë, duke blerë për veten tuaj kohën e duhur, sepse ditët janë të këqija.» Disa të rinj mund të kundërshtojnë, siç bëri një vajzë e re: «Prindërit tanë, kur ishin të rinj e dëgjonin muzikën e tyre. Përse ne nuk mund të dëgjojmë tonën?» Një pjesë e muzikës që prindërit dëgjonin në moshën tuaj, mund të ketë pasur aspektet e saj të dyshimta. Nga një shqyrtim i hollësishëm, shumë prej motiveve më të njohura dolën me një numër të madh insinuatash seksuale dhe zbuluan nënkuptime imorale. Por ajo që një herë e një kohë vetëm nënkuptohej, tani përshkruhet hapur. Një shkrimtar ka vërejtur: «Sot, fëmijët janë të bombarduar nga mesazhe të hapura, në një masë që s’ka pasur precedent në kulturën tonë.»

Rap​—Muzika e rebelimit

7, 8. (a) Çfarë është muzika rap dhe si shpjegohet popullariteti i saj? (b) Si mund të njihet dikush se është pasues i mënyrës rap të jetesës?

7 Le të shqyrtojmë, për shembull, përhapjen aktuale të muzikës rap. Sipas revistës Time, rap-i është bërë «në kuptimin e plotë të fjalës një revolucion global i ritmit» dhe gëzon një popullaritet të madh në Brazil, Evropë, Japoni, Rusi dhe Sh.B.A. Tekstet e muzikës rap, shpesh pa asnjë farë melodie, recitohen, nuk këndohen, nën një ritëm të fortë. Duket se ky ritëm energjik është sekreti i suksesit të madh të rap-it në treg. «Kur dëgjoj muzikë rap,—thotë një vajzë japoneze,—ndihem e ngacmuar dhe kur kërcej ndihem e lirë.»

8 Tekstet e rap-it​—që shpesh janë një përzierje blasfemish dhe zhargoni rrugësh—​duket se janë një arsye tjetër e popullaritetit të rap-it. Në ndryshim nga tekstet e këngëve tradicionale rock, shumica e të cilave përqëndrohen mbi tema romantike të adoleshentëve, tekstet e muzikës rap shpesh përmbajnë një mesazh serioz. Disa pjesë rap flasin kundër padrejtësisë, racizmit dhe egërsisë së policisë. Por disa herë, rimat janë të formuluara me gjuhën më të ndyrë dhe më tronditëse që mund të imagjinohet. Rap-i duket, gjithashtu, sikur përbën një rebelim kundër normave të krehjes, veshjes dhe moralit seksual. Nuk të habit, pra, që rap-i është bërë me të vërtetë një stil jetese. Pasuesit e tij njihen prej gjesteve të tyre pompoze, zhargonit të rrugës, prej jeans-eve mjaft të gjera, atleteve të basketbollit të mëdha dhe të palidhura, prej kapeleve tip bejsbolli dhe syzeve të errëta.

9, 10. (a) Cilët faktorë duhet të shqyrtojnë të rinjtë për të përcaktuar nëse muzika rap dhe mënyra e saj e jetesës janë «të pranueshme prej Zotërisë»? (b) Çfarë duket se nuk kishin vlerësuar disa të rinj të krishterë?

9 Në Efesianëve 5:10, të krishterëve iu tha që «të vazhdonin të siguroheshin për çka është e pranueshme prej Zotërisë». (NW) Duke menduar për namin që rap-i i ka nxjerrë vetes, a mendon se është «e pranueshme prej Zotërisë» që të merresh me të? A do të dëshironte një i ri i krishterë që të ishte i njohur për një stil jetese që është gjykuar si i papranueshëm edhe prej njerëzve nga bota? Vërej se si e ka përshkruar një komentues, një koncert rap: «Këngëtarët rap konkuronin me njëri-tjetrin për të qenë njëri më tronditës se tjetri me blasfemi dhe tekste të hapura seksuale. . . . Valltarët meshkuj dhe femra simulonin veprime seksuale mbi skenë.» Në lidhje me një nga pjesët e forta të koncertit, një prej sponsorizuesve të koncertit tha: «Në çdo dy fjalë që dalin prej gojës së tyre, njëra është (e ndyrë).»

10 Megjithatë, muzika e asaj mbrëmjeje mund të konsiderohej një rap normal. Drejtori i sallës së koncertit tha: «Ky që po dëgjoni është rap normal, i njëjti që blihet nëpër dyqane.» Sa e trishtueshme është të themi se në mes të të 4.000 e ca pjesëmarrësve në atë koncert, gjendeshin edhe disa që pohonin se ishin Dëshmitarë të Jehovait! Me sa duket, disa nuk e kishin vlerësuar faktin se Satanai është «qeveritari i autoritetit në ajër». Ai qeveris «frymën [ose qëndrimin mendor sundues] që vepron tani tek bijtë e mosbindjes.» (Efesianëve 2:2, NW) Interesave të kujt do t’i shërbeje nëse do të përfshiheshe në muzikën rap apo në stilin e jetesës rap? Është e vërtetë se një pjesë e rap-it mund të jetë më pak e kundërshtueshme. Por, a ka kuptim që të kultivojmë interes për një lloj muzike që në pjesën më të madhe është kundër rregullave të krishtere?

Heavy Metal: seks, dhunë dhe satanizëm

11, 12. Çfarë është muzika heavy metal dhe cilat janë karakteristikat negative të saj?

11 Një tjetër lloj i njohur muzike është edhe heavy metal. Heavy metal është më tepër se një hard rock me volum të lartë. Një revistë mjekësore thotë: «Muzika heavy metal . . . përbëhet nga një ritëm i lartë goditës dhe është plot me tekste që lavdërojnë urrejtjen, abuzimin, mbrapshtësitë seksuale dhe disa herë satanizmin.» Vetë emrat e disa prej grupeve më të njohura dëshmojnë për zvetënimin e këtij lloj rock-u. Përfshihen fjalë të tilla si «helm», «pistoleta» dhe «vdekje». E megjithatë, heavy metal duket mjaft i shtruar në krahasim me thrash metal (një lloj heavy me prirje drejt punk rock-ut) dhe death metal (heavy që përqëndrohet mbi tema makabre)​—fenomene muzikale që rrjedhin prej heavy metal. Emrat e këtyre grupeve kanë fjalë të tilla si «kanibal» dhe «nekrologji». Në shumë vende, të rinjtë ndoshta nuk e kuptojnë se sa të pështirë janë këta emra, sepse janë në anglisht apo në ndonjë gjuhë tjetër të huaj.

12 Muzika heavy metal vazhdimisht është vënë në lidhje me vetëvrasje adoleshentësh, depresion dhe përdorim droge. Lidhjet e saj me sjelljen e dhunshme, e kanë nxitur një konsulent radioje që ta quajë «muzikë për ata që dëshirojnë të vrasin prindërit». Por është lidhja e saj me satanizmin ajo që shqetëson më shumë prindërit dhe disa funksionarë policie. Një dedektiv pohon se disa të rinj që praktikojnë kulte satanike, e kanë filluar okultizmin nëpërmjet kësaj muzike. «Ata nuk e dinë se ku po përfundojnë»,—tha ai.

13. Çfarë rrezikojmë nëse përfshihemi në heavy metal?

13 Por, të rinjtë e krishterë duhet «t’i njohin planet e [Satanait].» (2. Korintasve 2:11, NW) Mbi të gjitha «kemi një betejë . . . kundër forcave të liga në vendet qiellore». (Efesianëve 6:12, NW) Sa e çmendur do të ishte që të ftoheshin demonët në jetën tonë me anë të muzikës që zgjedhim! (1. Korintasve 10:20, 21) E megjithatë, është e qartë se disa të rinj të krishterë janë të apasionuar pas kësaj lloj muzike. Disa, madje, kanë përdorur taktika për të plotësuar shijet e tyre muzikore. Një e re ka pranuar: «Dëgjoja heavy metal, disa herë gjithë natën. Blija revista për heavy metal-in dhe i fshihja në kutitë e këpucëve që të mos m’i gjenin prindërit. I gënjeja prindërit. E dija që Jehovai nuk ishte i kënaqur me mua.» E zgjoi një artikull i revistës Zgjohuni! (angl.) Sa të rinj të tjerë janë ende të joshur prej kësaj muzike?

Korrim atë që mbjellim

14, 15. Përse mund të jemi të sigurt se dëgjimi i muzikës së dëmshme do të ketë një ndikim negativ? Ilustroje.

14 Mos e nënvlerëso rrezikun që mund të vijë nga kjo muzikë. Është e vërtetë se ndoshta nuk do të ndihesh i shtyrë për të vrarë dikë apo për të kryer imoralitet seksual vetëm sepse ke dëgjuar një këngë. Megjithatë Galatasve 6:8 thotë: «Kush mbjellë me pamjen nga trupi i tij, nga trupi do të korrë prishjen.» (NW) Dëgjimi i muzikës tokësore, kafshërore, madje edhe demonike, mund të ketë vetëm një ndikim negativ mbi ty. (Krahaso Jakovit 3:15) Profesori i muzikës, Joseph Stuessy, do të kishte thënë: «Çdo lloj muzike ndikon mbi gjendjen tonë shpirtërore, qëndrimet dhe mbi sjelljen tonë konsekuente . . . Cilido që thotë: “Mund të dëgjoj heavy metal dhe të mos ndikohem” gabon. Ai thjesht ndikon mbi njerëz të ndryshëm në masë dhe mënyra të ndryshme.»

15 Një i ri i krishterë pranoi: «Isha tërhequr kaq keq prej thrash metal, saqë i gjithë personaliteti im ndryshoi.» Shpejt, ai filloi të kishte probleme me demonët. «Përfundimisht u lirova prej albumeve të mia dhe rash rehat nga demonët.» Një i ri tjetër tha: «Muzika që dëgjoja rregullisht kishte të bënte me spiritizmin, drogën dhe seksin. Shumë të rinj thonë se ajo nuk ndikon fare mbi ta, por në fakt nuk është e vërtetë. Praktikisht, unë isha jashtë së vërtetës.» Një proverb pyet: «A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?»​—Proverbat 6:27, Zanafilla, Fjalët e urta, Dhjetë Urdhërimet e Zotit.

Vazhdoni të vigjëloni

16. Çfarë mund të thuhet për autorët dhe ekzekutuesit e pjesës më të madhe të muzikës së sotme?

16 Të krishterëve në Efesin e lashtë, Pavli u shkroi: «Këtë, pra, them e dëshmoj në Zotërinë, që ju të mos ecni më siç ecin edhe kombet, në kotësinë e mendjes së tyre, pasi janë në errësirë mendore dhe të përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë, për shkak të paditurisë që është ndër ta, për shkak të pandjeshmërisë së zemrave të tyre.» (Efesianëve 4:17, 18, NW) A nuk mund ta themi këtë edhe për autorët dhe ekzekutuesit e pjesës më të madhe të muzikës së sotme? Sot më shumë se kurrë, muzika e çdo lloji pasqyron ndikimin e «perëndisë së këtij sistemi gjërash», Satana Djallit.​—2. Korintasve 4:4, NW.

17. Si mund ta gjykojnë, ose shijojnë, të rinjtë muzikën?

17 Në lidhje me «ditët e fundit» Bibla parashikoi: «Njerëzit e këqij dhe gënjyes do të përparojnë prej së keqes në më zi.» (2. Timoteut 3:1, 13) Më shumë se kurrë, pra, duhet të jesh i vëmendshëm për muzikën që zgjedh. Shpesh, mjafton një titull i papëlqyeshëm për të nxjerrë si të papërshtatshëm një album. Jobi 12:11 pyet: «A nuk i shquan veshi fjalët, sikundër qiellza ndien shijen e gjellës?» Në mënyrë të ngjashme, mund të shijosh muzikën, duke dëgjuar një fragment me vesh kritik. Çfarë ndjenjash ngjall melodia tek ti? A nxit një sjellje të ashpër, dekadente​—një frymë dëfrimi? (Galatasve 5:19-21) Ç’mund të themi për tekstet? A nxisin imoralitet seksual, përdorim droge apo gjëra të tjera të gabuara që janë «të turpshme edhe për t’u treguar»? (Efesianëve 5:12) Bibla thotë se këto gjëra nuk duhet «as të përmenden» mes shërbëtorëve të Jehovait, aq më tepër të shoqëruara nga ritmi dhe të përsëritura herë pas here. (Efesianëve 5:3) Po për kapakët e albumeve? A përfshijnë tema spiritiste apo fotografi provokuese seksuale?

18. (a) Çfarë ndryshimesh duhet të bëjnë disa të rinj kur bëhet fjalë për muzikën? (b) Si mund ta kultivojnë të rinjtë shijen për një muzikë më të mirë?

18 Ndoshta duhet të bësh disa ndryshime në llojin e muzikës që zgjedh. Nëse ke disqe, shirita dhe kompakt disqe që përçojnë tema imorale dhe demonike, duhet që menjëherë të lirohesh prej tyre. (Krahaso Veprat 19:19.) Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të dëgjosh muzikë; muzika pop nuk është e gjitha e keqe. Disa të rinj kanë mësuar që t’i zgjerojnë shijet e tyre muzikore dhe tani dëgjojnë me gëzim pjesë klasike, folk, light jazz dhe lloje të tjera muzike. Kasetat me Meloditë e Mbretërisë kanë ndihmuar shumë të rinj që të rrisin shijen e tyre për muzikën orkestrale me një nivel të mirë.

19. Përse është e rëndësishme që ta mbajmë muzikën në vendin e saj?

19 Muzika është një dhuratë hyjnore. Por për shumë veta ajo bëhet një shqetësim i dëmshëm. Këta janë si izraelitët e vjetër, të cilëve u pëlqente loja e «instrumentave me tel, e tambureve dhe flauteve, . . . por aktivitetin e Jehovait nuk e shikonin». (Isaia 5:12) Vëri synim vetes që ta mbash muzikën në vendin e saj dhe që aktiviteteve të Jehovait t’u japësh rëndësinë kryesore. Ji seleksionues dhe i kujdesshëm në muzikën që zgjedh. Kështu do të kesh mundësi që ta përdorësh​—jo ta shpërdorosh—​këtë dhuratë hyjnore.

[Shënimi]

a Duket sikur kombi izraelit ka shkëlqyer në artin e muzikës. Një basoreliev asirian zbulon se mbreti Sennacherib i kërkoi mbretit Hezekia instrumentistë izraelitë si haraç. Grove’s Dictionary of Music and Musicians shënon: «Të kërkoje muzikantë si haraç . . . ishte me të vërtetë e pazakontë.»

Pyetjet për përsëritje

◻ Përse muzika mund të quhet një dhuratë hyjnore?

◻ Si shpërdorohej muzika në kohët e lashta?

◻ Çfarë rreziku përbëjnë rap-i dhe heavy metal për të rinjtë e krishterë?

◻ Si mund të tregojnë kujdes të rinjtë e krishterë në zgjedhjen e muzikës së tyre?

[Figura në faqe 28]

Në kohët biblike, muzika përdorej shpesh si një mjet për t’i dhënë lavdi Jehovait

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo