BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/2 f. 8-11
  • Të dimë si të mësojmë për të pritur

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të dimë si të mësojmë për të pritur
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Është e mençur që të mësojmë të presim
  • Një sfidë e re për shumë veta
  • Të mësojmë prej të tjerëve
  • Të luftojmë luftën e mirë
  • Të mësojmë të presim në çdo aspekt
  • A je i gatshëm të presësh me durim?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • A mund të shpresojmë për një sistem ekonomik të drejtë?
    Tema të tjera
  • Duhet të presim Jehovain
    Këndojini lavdi Jehovait
  • Beqaria në kohë të vështira ekonomike
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/2 f. 8-11

Të dimë si të mësojmë për të pritur

TË MËSOJMË të presim për gjërat që na duhen, ndoshta është një nga mësi met më të vështira që duhet të pranojmë ne njerëzit. Fëmijët e vegjël janë nga natyra të padurueshëm. Ata duan çdo gjë që ju sheh syri dhe në çast, madje! Por, siç mund ta dish dhe nga përvoja, është fakt jetësor se jo çdo gjë mund ta kemi sapo ta kërkojmë. Edhe atëherë kur bëhet fjalë për dëshira të ligjshme, duhet të mësojmë që të presim një kohë më të përshtatshme për t’i plotësuar ato. Shumë veta e përvetësojnë këtë mësim; të tjerë nuk e mësojnë kurrë.

Njerëzit që duan të kenë miratimin hyjnor kanë arsye të veçanta që të mësojnë për të pritur. Jeremia, një shërbëtor i Jehovait në kohët para krishterimit, theksoi: «Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.» Më vonë, dishepulli i krishterë Jakovi, tha: «Ushtroni durim, pra, vëllezër, deri në praninë e Zotërisë.»​—Vajtimet 3:26; Jakovit 5:7, BR.

Jehovai ka orarin e tij për të plotësuar më së miri qëllimet e tij hyjnore. Nëse nuk jemi në gjendje të presim deri në ditën e caktuar prej tij për të bërë disa gjëra, do të jemi të pakënaqur, gjë që do t’i zërë frymën gëzimit. Dhe pa gëzimin, një shërbëtor i Perëndisë dobësohet frymësisht, siç u thotë Jeremia bashkëkombasve të tij: «Gëzimi i ZOTIT do të jetë fuqia juaj.»​—Nehemia 8:10, The New English Bible.

Është e mençur që të mësojmë të presim

Është një dëshirë e natyrshme për beqarët që të duan të martohen ose që çiftet pa fëmijë të duan të ngrenë një familje. Veç kësaj, nuk është e gabuar që të duam të përmbushim dëshirat dhe nevojat tona materiale. Megjithatë, pasi besojnë se ditët e këtij sistemi gjërash janë të numëruara dhe se në sistemin e ri të Perëndisë që po vjen Perëndia do të «hapë dorën e tij dhe do të plotësojë dëshirën e çdo gjëje të gjallë», shumë të krishterë kanë vendosur të presin për t’i plotësuar disa prej dëshirave të tyre në një kohë më të përshtatshme.​—Psalmi 145:16.

Megjithatë, njerëzit që nuk e kanë këtë shpresë të krishterë të bazuar mirë, do të shohin shumë pak arsye për t’i shtyrë gjërat. Pasi nuk kanë besim në Jehovain, prej të cilit vjen «çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur», ata nuk janë të sigurt nëse është e mençur që t’ia lënë gjërat një të ardhmeje për të cilën ata dyshojnë se do të vijë. Ata jetojnë sipas kredos: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.»​—Jakovit 1:17; 1. Korintasve 15:32; Isaia 22:13.

Në vendet e zhvilluara, bota e reklamave përfiton prej prirjes së qartë për të shpërblyer vetveten menjëherë. Njerëzit inkurajohen që të llastohen. Tregtia dëshiron që të besojmë se kollajllëqet dhe rehatitë moderne janë nevoja të domosdoshme. Përse të bëjmë pa to, mbështesin ata, sidomos kur letrat e kreditit, blerjet me këste dhe skemat «bli tani​—paguaj më vonë» bëjnë të mundur që të kemi gjithçka dhe menjëherë? Veç kësaj: «Ti meriton më mirë; Ji i mirë me veten! Mos harro, ose gëzohu tani, ose kurrë!» Këto janë thirrjet e sloganeve të njohura.

Ndërkohë, dhjetra miliona njerëz në vendet e zhvilluara mezi bëjnë një jetë me minimumin e gjërave të domosdoshme, ose ndoshta edhe me më pak. A ka diçka tjetër që do të theksonte më qartë papërsosmërinë dhe padrejtësinë e sistemeve njerëzore politike dhe ekonomike?

Që është e mençur të mësojmë të presim duket nga fakti që miliona njerëz, duke mos dashur të veprojnë kështu​—apo duke mos parë asnjë arsye për këtë—​janë zhytur deri në grykë në borxhe për të plotësuar dëshirat e tyre imediate. Rrethana të paparashikuara, si sëmundjet dhe papunësia, mund të jenë shkatërrimtare. Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung shpjegon se përse në Gjermani, me sa thuhet, gjenden një milion të pastrehë: «Në përgjithësi, mbetesh i pastrehë kur je i papunë dhe i zhytur në borxhe.»

Duke mos mundur të paguajnë borxhet, shumë të mjerë të tillë vuajnë tragjikisht prej humbjes së shtëpisë dhe pasurive. Shumë shpesh, stresi në rritje sjell tensione në familje. Martesa të lëkundshme fillojnë të thyhen. Periudhat e dëshpërimit dhe probleme të tjera shëndeti bëhen diçka e zakonshme. Në rastin e të krishterëve, mund të dëmtohet karakteri frymor, që si pasojë sjell mendime të gabuara dhe sjellje të papërshtatshme. Njerëzit që fillojnë duke kërkuar pa mençuri çdo gjë, përfundojnë duke mos pasur pothuajse asgjë.

Një sfidë e re për shumë veta

Jezui e bëri të qartë se duhet të kemi kujdes prej «shqetësimeve të këtij sistemi gjërash dhe prej fuqisë mashtruese të pasurive dhe dëshirave, sepse gjërat e tjera hyjnë dhe i zënë frymën fjalës». (Marku 4:19) Duhet të mbajmë në mendje se asnjë sistem politik nuk ka pasur sukses në zhdukjen e shqetësimeve, duke përfshirë edhe ato ekonomike për të cilat foli Jezui.

Komunizmi, të cilin vendet e Evropës Lindore tashmë e kanë flakur, u përpoq t’i balanconte gjërat me anë të ekonomisë së kontrolluar nga shteti. Në kontrast me sistemin e ndërmarrjes së lirë, sistemi i mëparshëm u siguronte individëve një farë sigurie ekonomike, të cilën kapitalizmi shpesh nuk mund ta jepte. Megjithatë, shqetësimet për të cilat foli Jezui ekzistonin në formën e mungesës së të mirave për konsum dhe kufizimeve të lirisë personale.

Tani, shumë prej këtyre vendeve po fusin ekonominë e tregut, gjë që paraqet një sfidë të re për qytetarët e tyre. Një raport i kohëve të fundit thotë: «Naiviteti ndërthuret me dëshirën për të arritur shpejt standardet perëndimore të konsumit.» Për t’ia arritur kësaj «një numër gjithnjë në rritje njerëzish nëpër Länder të rinj në perëndim të Gjermanisë po rrëshqasin në vorbullën e borxheve». Raporti shton: «Pas euforisë fillestare mbi lirinë e re ekonomike, tani po përhapet frika dhe dëshpërimi.» Shqetësimet mbeten, por tani nën një veshje kapitaliste.

Liritë më të mëdha politike dhe ekonomike kanë hapur mundësi të reja për përmirësime ekonomike. Prandaj, shumë veta mund të tundohen për ta parë seriozisht idenë për të filluar biznesin privat apo për të shkuar në një vend tjetër me mundësi më të mira punësimi.

Vendime të tilla janë çështje personale. Nuk ka asgjë të gabuar që një i krishterë të dojë të përmirësojë gjendjen e tij ekonomike. Mund të motivohet nga dëshira për t’u kujdesur për familjen e tij, duke ditur se «nëse dikush nuk kujdeset për ata që janë të tijtë dhe veçanërisht për familjen e vet, ai e ka çnderuar besimin dhe është më i keq se një person pa besim».​—1. Timoteut 5:8, BR.

Pra, është e papërshtatshme të kritikojmë vendimet që marrin të tjerët. Në të njëjtën kohë, të krishterët nuk duhet të harrojnë se nuk është e mençur të kërkojnë siguri ekonomike duke pasur borxhe të tilla që mund t’i zënë në grackë. Do të ishte po aq e gabuar të kërkosh siguri ekonomike në ndonjë mënyrë që do të kërkonte lënien pas dore të detyrimeve dhe interesave frymore.

Të mësojmë prej të tjerëve

Në vitet që pasuan Luftën e Dytë Botërore, mijëra gjermanë emigruan nga Evropa e shkatërruar prej luftës në vende të tjera, sidomos në Australi dhe Kanada. Në këtë mënyrë, shumëkush qe në gjendje të përmirësonte gjendjen ekonomike, por askush prej tyre nuk mundi të shpëtonte plotësisht prej shqetësimeve ekonomike mbi të cilat foli Jezui. Zgjidhja e problemeve ekonomike, disa herë krijonte probleme të reja—mall për shtëpinë, një gjuhë e huaj, mësimin me lloje të reja ushqimi, zakone të ndryshme, përshtatje me miq të rinj ose ballafaqime me qëndrime të ndryshme.

Disa prej këtyre emigrantëve ishin Dëshmitarë të Jehovait. Është për t’u lavdëruar se pjesa më e madhe nuk lejoi që problemet e emigrimit t’i zinin frymën karakterit të tyre frymor. Por pati edhe përjashtime. Disa ranë viktima të fuqisë mashtruese të pasurisë. Përparimi i tyre teokratik nuk mundi të ecë në një hap me mirëqenien e tyre ekonomike.

Sigurisht kjo ilustron mençurinë e një analize të kujdesshme të gjendjes sonë, para se të marrim vendime që mund të jenë pak të mençura. Prirjet materialiste do të na ngadalësonin në veprën e papërsëritshme të bërjes së dishepujve që u është caktuar të krishterëve. Kjo është e vërtetë pavarësisht nga vendi ku jetojmë, pasi nuk ka asnjë vend qytetarët e të cilit të jenë të lirë prej shqetësimeve ekonomike.

Të luftojmë luftën e mirë

Pavli e nxiti Timoteun: «Jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtnisë, fesë, dashurisë, qendresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre.» Të krishterëve në Korint ai u tha: «Jini të fortë e të palëkundur, gjithmonë duke pasur shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.»​—1. Timoteut 6:11, 12; 1. Korintasve 15:58, BR.

Ndjekja e kësaj këshille të shkëlqyer është mënyra më e mirë për të luftuar me sukses materializmin dhe sigurisht që për një të krishterë ka shumë për të bërë! Në disa vende ku numri i lajmëtarëve të Mbretërisë nuk është i madh, shumë njerëz kanë mundësi të kufizuara për të rënë në kontakt me të vërtetën. Jezui parashikoi me saktësi: «Të korrat janë të shumta, por punëtorët pak.»​—Mateu 9:37, BR.

Në vend se të lejojnë që shqetësimet ekonomike t’i devijojnë nga vepra frymore që kanë, Dëshmitarët e Jehovait në këto vende përfitojnë nga situata për të përdorur plotësisht çdo rast. Kur gjenden përkohësisht të papunë, shumë prej tyre zgjerojnë aktivitetin e predikimit. Shërbimi i tyre, përveçse lartëson britmën e lavdisë për Jehovain, u jep atyre edhe gëzimin e duhur për të përballuar problemet ekonomike.

Këta Dëshmitarë i japin përparësi veprës së predikimit dhe i vënë vështirësitë ekonomike në plan të dytë, gjë që i tregon mbarë vëllazërisë ndërkombëtare se ata besojnë në mënyrë absolute se Jehovai do të kujdeset për ta. Ai premton: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»​—Mateu 6:33, BR.

Që prej rivendosjes së adhurimit të pastër në 1919-ën, Jehovai nuk ka lejuar që populli i tij të dështojë. Ai i ka ruajtur ata gjatë persekutimeve të ashpra dhe në disa vende gjatë dekadave të një aktiviteti fshehurazi. Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se atë që nuk e arriti dot me persekutime, Djalli nuk do të mund ta kryejë nëpërmjet grackës më të pakapshme të materializmit!

Të mësojmë të presim në çdo aspekt

Sallat e mëdha të Mbretërisë, pajisjet e kushtueshme akustike, Sallat e Asambleve dhe shtëpitë tërheqëse Bethel i sjellin lavdi Perëndisë dhe japin një dëshmi të heshtur se ai po e bekon popullin e tij. Dëshmitarët e Jehovait në vendet ku vepra ka qenë për shumë kohë e ndaluar mund të mendojnë se në këtë drejtim ata kanë shumë për të bërë që të arrijnë nivelin e vendeve të tjera. Por ajo që është më e rëndësishme, ata duhet të jenë në një hap frymësisht. Treguesit e jashtëm të bekimeve materiale të Perëndisë do të vijnë në kohën e duhur.

Shërbëtorët e dedikuar të Jehovait duhet të jenë të kujdesshëm në plotësimin e interesave personale, pasi mund të mendojnë se mjaft kanë qenë pa disa gjëra materiale. Dëshira për të hequr pabarazitë ekonomike dhe shoqërore është e kuptueshme, por populli i Jehovait nuk harron se të gjithë shërbëtorët e Perëndisë dëshirojnë lehtësim. Të verbërit dëshirojnë të shohin prapë, të sëmurët kronikë dëshirojnë të shërohen, të dëshpëruarit dëshirojnë perspektiva më të shkëlqyera dhe ata që kanë humbur dikë dëshirojnë të shohin sërish të vdekurit e tyre të dashur.

Për shkak të rrethanave, çdo i krishterë mezi pret në një farë mënyre botën e re të Jehovait për të zgjidhur problemet e tij. Kjo na bën të pyesim veten: «Nëse kam për të ngrënë dhe strehë mbi kokë, a nuk duhet të jem i kënaqur me këto gjëra dhe të kem vullnet për të pritur lehtësim nga problemet ekonomike?»​—1. Timoteut 6:8.

Të krishterët që besojnë plotësisht në Jehovain mund të jenë të sigurt se nëse kanë vullnet për të pritur, të gjitha dëshirat dhe nevojat e tyre të përshtatshme do të plotësohen së shpejti. Askush nuk do të presë më kot. Përsëritim fjalët e Pavlit: «Jini të fortë e të palëkundur, gjithmonë duke pasur shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke ditur se puna juaj nuk është më kot në lidhje me Zotërinë.»​—1. Korintasve 15:58, BR.

A duhet të jetë, pra, një problem edhe kaq i madh të mësojmë për të pritur?

[Figura në faqen 10]

Nëse mësojmë të presim mund të na shpëtojë jetën

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo