Pamje nga Toka e Premtuar
Eja të vizitosh Detin e Galilesë!
PAK vende si Deti i Galilesë kujtohen pa vështirësi nga shkrimtarët e Biblës. Por, a mund të mbyllësh sytë dhe ta përfytyrosh këtë det, duke përcaktuar vendet më të rëndësishme si pikën në të cilën hyn dhe del Jordani ose Kafarnaumin dhe Tiberin?
Merr kohë për të studiuar pamjen e mëposhtme imagjinare dhe kuadrin me numra. Sa prej vendeve të cituara mund të identifikosh? Sa më shumë vende të njohësh, aq më interesant, i vërtetë dhe me kuptim do të të duket tregimi. Për këtë le të bëjmë një udhëtim të shkurtër ndërtues.
Kjo pamje imagjinare është parë nga verilindja. Le të fillojmë me numrin 1. Për cilën pjesë të detit bëhet fjalë? Po, është pika jugore ku rrjedh Jordani, duke kaluar përmes Samarisë dhe Galaadit për t’u derdhur në Detin e Vdekur. Në të djathtë shihet më nga afër kjo pikë e detit që tregohet gjithashtu në Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1993.
Deti i Galilesë gjendet në Luginën e Çarë rreth 200 m nën nivelin e Detit Mesdhe. Duke shqyrtuar pamjen imagjinare do të vëresh malet që lartësohen nga bregu i tij lindor (rreth numrit 7). Kodra dhe male ngrihen edhe nga bregu perëndimor, ai që gjendet më afër, duke vënë në dukje se ky det gjendet në një pellg me gjatësi rreth 21 km dhe me një gjerësi maksimale 12 km. Në këto brigje kishte vend për fshatra madje edhe qytete, si Tiberia (numri 2). Kujto se një grup njerëzish nga Tiberia kaloi me barkë detin për në vendin ku Jezui ushqeu në mënyrë të mrekullueshme 5.000 njerëz.—Gjoni 6:1, 10, 17, 23.
Nëse lëviz përgjatë vijës bregdetare veriore nga Tiberia, kalon në rajonin pjellor Genesaret (numri 3).a Në këtë zonë Jezui mbajti Predikimin në Mal dhe mbase në bregun e afërt ai thirri Pjetrin dhe tre të tjerë që të bëheshin «peshkatarë njerëzish» siç është pikturuar këtu. (Mateu 4:18-22) Duke vazhduar arrin në Kafarnaum, që ishte qendra e aktivitetit të Jezuit, aq sa u quajt «qyteti i tij». (Mateu 4:13-17; 9:1, 9-11; Luka 4:16, 23, 31, 38-41) Duke vazhduar drejt lindjes përgjatë detit, kalon (numrin 5) ku derdhet në det rrjedha e sipërme e Jordanit (poshtë). Kështu, arrin në zonën e Betsaidës (numri 6).
Mund të përdorim edhe këto pak vende për të ilustruar se si njohuria jote për Detin e Galilesë mund të të ndihmojë për të ndjekur dhe përfytyruar tregimet biblike. Pasi Jezui ushqeu 5.000 vetë në zonën e Betsaidës dhe një grup u përpoq ta bënte atë mbret, ai i dërgoi apostujt përpara me barkë drejt Kafarnaumit. Gjatë udhëtimit të tyre, papritur zbritën nga mali erëra të forta që tërbonin valët, duke frikësuar apostujt. Por Jezui shkonte drejt tyre duke ecur mbi ujë, qetësoi stuhinë dhe bëri të mundur që apostujt të arrinin shëndoshë e mirë në Genesaret. (Mateu 14:13-34) Ata që erdhën nga Tiberia kaluan përsëri detin për në Kafarnaum.—Gjoni 6:15, 23, 24.
Duke vazhduar përgjatë bregut lindor të detit, kalon në atë që ndoshta është quajtur «vendi i gadarenëve [ose i gerasenëve]». Kujto se këtu Jezui dëboi demonët nga dy burra. Këto frymëra hynë në një kope të madhe derrash, të cilët duke vrapuar drejt një humnere u hodhën në det. Njëri prej burrave më pas dha dëshmi në qytetet e afërta të Dekapolit ku flitej greqisht. Jezui erdhi në këtë zonë dhe u nis përsëri me barkë për të kaluar Detin e Galilesë.—Mateu 8:28-9:1; Marku 5:1-21.
Ndërkohë që vazhdon udhëtimin tënd drejt anës së poshtme të detit, kalon në një zonë ku një nga lumenjtë më të rëndësishëm (i quajtur Yarmuk) bashkohet në rrjedhën e poshtme të Lumit Jordan, duke sjellë një sasi të konsiderueshme uji.
Bibla nuk përcakton me hollësi vendin e disa ngjarjeve që ndodhën në afërsi të Detit të Galilesë si shfaqjen e Jezuit të ringjallur kur Pjetri dhe apostujt e tjerë po peshkonin (poshtë). Mendon se ndodhi në afërsi të Kafarnaumit? Në çdo rast, njohuria jote për këtë det të rëndësishëm të ndihmon të përfytyrosh atë mundësi.
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Genesareti—Mrekulli dhe Bukuri», në Kulla e Rojës, 1 janar 1992, angl.
[Figurat në faqen 24]
1
2
3
4
5
6
7
V
J
L
P
[Burimi i figurës në faqen 24]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Burimi i figurës në faqen 24]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Burimi i figurës në faqen 24, 25]
Garo Nalbandian
[Burimi i figurës në faqen 25]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.