Veprat e sotme jetëshpëtuese të Jehovait
BIBLA na thotë për Jehovain: «Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha» dhe «Zoti di t’ i lirojë besimtarët nga prova».—Psalmi 34:19; 2. Pjetrit 2:9.
Si u vjen në ndihmë Jehovai njerëzve të tij kur gjenden në vështirësi? Jo duke ndalur me ndonjë mrekulli forcat e natyrës apo duke ndërhyrë me ndonjë vepër tjetër mbinatyrore, si do të dëshironin shumë veta të bënte, por me anë të një force tjetër që shumica e njerëzve nuk e kupton mirë: dashurisë. Po, Jehovai i do shërbëtorët e tij dhe ka bërë që mes tyre të lulëzojë një dashuri kaq e fortë, saqë i lejon Atij të kryejë për ta gjëra që gati-gati duken të mrekullueshme.—1. Gjonit 4:10-12, 21.
Disa do të thoshin se ajo që nevojitet në një situatë urgjente janë ushqimet, ilaçet dhe mjetet, jo dashuria. Është e qartë se ushqimet, ilaçet dhe mjetet kanë rëndësinë e tyre. Megjithatë, apostulli Pavël arsyeton kështu: «Po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’ u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!»—1. Korintasve 13:2, 3.
Kemi lexuar shpesh për ndihma humanitare që kalben skelave të porteve apo që i hanë minjtë, ndërsa ata që kanë nevojë vdesin nga uria dhe sëmundjet. Dhe më keq akoma, ndihmat mund të përfundojnë në duart e njerëzve lakmitarë dhe pa skrupuj që përfitojnë personalisht nga ato. Prandaj, të dërgosh ndihma është një gjë, dhe të bësh që ato të arrijnë me të vërtetë në duart e atyre që kanë nevojë është diçka tjetër krejt e ndryshme. Dashuria dhe interesi i vërtetë mund ta ndryshojnë këtë.
Dashuria në veprim
Në shtator 1992, uragani Iniki goditi ishullin Kauai, në Havai, me një popullsi prej 55.000 banorësh. Dy njerëz u vranë, 98 u plagosën, 75 për qind e banesave u shkatërruan, 8.000 njerëz mbetën të pastrehë dhe dëme që kapnin shumën prej një miliard dollarësh u shkaktuan nga erërat që kishin një shpejtësi prej 210 km/orë dhe nga shpërthimet që arrinin deri në 260 km/orë. Midis banorëve të këtij ishulli të vogël ndodheshin edhe 800 Dëshmitarë të Jehovait, të organizuar në gjashtë kongregacione. Ç’ndodhi me ta?
Përpara se uragani Iniki të përplasej mbi ishullin, pleqtë e kongregacionit, nën drejtimin e mbikëqyrësit qarkor, ishin tashmë në lidhje me të gjithë anëtarët e kongregacioneve për t’u siguruar nëse ishin mirë dhe në siguri, gati për t’i bërë ballë përplasjes. Ky kujdes i dashur ndihmoi që të shmangeshin dëmet dhe vdekjet midis Dëshmitarëve.—Krahaso Isaia 32:1, 2.
Edhe pse komunikimi apo transporti pothuajse ishte mbyllur, tre përfaqësues të degës së Shoqatës Watch Tower Bible and Tract në Honolulu ishin ndër të parët që mbërritën në vend pas uraganit, falë një lejeje speciale nga mbrojtja civile që u lejoi të shkonin në Kauai me avion. U vunë menjëherë në kontakt me Dëshmitarët vendas dhe mëngjesin tjetër mbajtën një mbledhje për të organizuar ndihmat. U ngrit një komitet i ndihmës, që u ngarkua për të vlerësuar nevojat dhe për të siguruar materialet e nevojshme me anë të zyrës së degës në Honolulu. Duke punuar pa pushim, drejtuan dorëzimin e gjërave më të nevojshme për ata që ishin më në hall, si edhe punën për pastrimin dhe riparimin e shtëpive të dëmtuara.
Dëshmitarët nga ishujt e tjerë u erdhën menjëherë në ndihmë vëllezërve në nevojë. Sapo u hap aeroporti i Kauait, mbërritën 70 Dëshmitarë që mezi pritnin të jepnin ndihmesën e tyre. U dërguan ndihma me një vlerë prej 100.000 dollarësh, midis të cilave gjeneratorë, stufa fushimi, fenerë dhe ushqime. Një prej Sallave të Mbretërisë të ishullit u përdor si magazinë. Por kishin frikë nga plaçkitjet e mundshme. Në atë çast, në parkingun e Sallës së Mbretërisë hynë disa kamionë të ushtrisë dhe shoferët e tyre kërkuan nëse mund të parkonin aty. Në këtë mënyrë ushtarët që u vendosën në rojë të kamionëve eliminuan edhe problemin e plaçkitjes.
Vëllezërit i çuan gjeneratorët nga njëra shtëpi në tjetrën, duke i mbajtur të ndezur për dy ose tre orë në çdo banesë, me qëllim që frigoriferët të vazhdonin të funksiononin. Grupe vëllezërish u dërguan në shtëpi të ndryshme për të ndihmuar në pastrimin e tyre, si dhe në riparimin e dëmtimeve. Ndërsa po punonin në shtëpinë e një motre, i shoqi, që në të kaluarën kishte qenë një kundërshtar i ashpër, u prek aq shumë sa nuk mundi të bënte gjë tjetër veçse të shihte e të qante. Një vizitues që kishte ardhur nga kontinenti pa një grup tjetër Dëshmitarësh në punë dhe u prek kaq shumë nga sjellja dhe organizimi i tyre, saqë u afrua dhe i pyeti se çfarë i bënte ata kaq të ndryshëm. Kur një vëlla i shpjegoi se ishte dashuria për Perëndinë dhe për bashkëbesimtarët e krishterët, ai njeri u përgjigj: «Si mund ta njoh edhe unë Perëndinë?» (Mateu 22:37-40) Pastaj shtoi: «Jeni kaq të organizuar, saqë ka mundësi që kur të kthehem në Florida dikush nga ju do të jetë duke më pritur!»
Dëshmitarët e Jehovait ndihmuan në pastrimin dhe riparimin e gjithsej 295 banesave në Kauai. Nga këto, 207 kishin nevojë vetëm për disa riparime të vogla, por 54 ishin dëmtuar rëndë dhe 19 të tjera ishin shkatërruar plotësisht. Veç kësaj, u kërkua edhe çdo Dëshmitar për të cilin kishin dijeni mbi ishull, për të qenë të sigurt se të gjithë e kishin marrë ndihmën e nevojshme. Kur u dorëzuan ndihmat tek një motër, një komshi budist tha se bashkëbesimtarët e tij nuk i kishin dhënë as edhe një qeskë çaji. Një grua tjetër, shtëpia e së cilës u pastrua nga një grup Dëshmitarësh, tha: «Prej shumë kohësh trokitni në derën time dhe ju konsideroj si fqinj të mirë, por kjo shfaqje e dashurisë për të afërmit më bëri të kuptoj se çfarë është organizata juaj. Ju falënderoj për gjithë punën tuaj të palodhur.»
Përveç kujdesit për nevojat materiale të vëllezërve të tyre të krishterë, përgjegjësit e ndihmave u interesuan edhe për mirëqenien e tyre frymore. Më pak se dy ditë pas uraganit, disa kongregacione rifilluan mbledhjet. Shumë shpejt, grupe të vogla të studimit të librit rifilluan të funksiononin. Dhjetë pleq kongregacioni nga ishujt e tjerë u dërguan në Kauai për të ndihmuar pleqtë lokalë që të bënin vizita baritore në çdo Dëshmitar të ishullit. Të dielën vijuese që të gjashta kongregacionet bënë studimin e Kullës së Rojës, një fjalim prej 30 minutash mbi masat e marra për ndihmat, të mbajtur nga një anëtar i Komitetit të Ndihmave dhe një fjalim përmbyllës prej 30 minutash nga një anëtar i Komitetit të Degës, që kishte ardhur posaçërisht për këtë gjë nga Honoluluja. Një dëshmitar okular tregon: «Të gjithë u ngushëlluan nga drejtimi i shkëlqyer që u dha dhe u ndienë frymësisht të gatshëm për të përballuar problemet e tjera që duheshin zgjidhur. Në përfundim të programit pak sy ishin pa lotë dhe pati një duartrokitje spontane.»
Një vëllazëri botërore
Kjo dashuri dhe ky interes janë një karakteristikë e popullit të Jehovait në të gjithë botën. Gati një vit më parë, cikloni Val kishte goditur Samoan Perëndimore dhe kishte sjellë shumë dëme, por Dëshmitarët e Jehovait nga vende të tjera të botës erdhën menjëherë në ndihmë të vëllezërve lokalë. Në vazhdim, kur qeveria u dha fonde të gjitha grupeve fetare—duke përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait—për të riparuar objektet e tyre të kultit, Dëshmitarët i kthyen paratë bashkë me një letër në të cilën thoshin se i kishin riparuar tashmë dëmtimet e tyre dhe se ato para mund të përdoreshin për riparimin e disa ndërtesave qeveritare. Lajmi u botua nga një gazetë lokale. Pasi e lexoi, një funksionar i qeverisë i tha një Dëshmitari se i vinte pak turp për kishën e vet, sepse i kishte pranuar paratë nga qeveria edhe pse ndërtesat e saj të dëmtuara nga cikloni i kishte mbuluar një sigurim.
Po kështu, kur në shtator 1992 në Francën jug-lindore lumi Uvez doli nga shtrati dhe përmbyti Vaison-la-Romaine dhe 15 komuna fqinje, Dëshmitarët ndërhynë menjëherë. Gjatë natës përmbytja kishte bërë 40 viktima, kishte shkatërruar 400 shtëpi, kishte dëmtuar me qindra banesa të tjera dhe kishte lënë mijëra familje pa ujë të pijshëm dhe pa elektricitet. Ditën tjetër, herët në mëngjes, Dëshmitarët e kongregacioneve lokale ishin të parët që u erdhën në ndihmë viktimave të përmbytjes. Ata që kishin nevojë për strehim u mikpritën me dashuri në familjet e Dëshmitarëve që jetonin në zonat përreth. Me qindra Dëshmitarë erdhën nga zona të afërta dhe të largëta për të ofruar ndihmë. Në qytetin e afërt Orange u ngrit një komitet ndihmash për të bashkërenditur punën e katër skuadrave me vullnetarë, që hoqën llucën dhe pastruan ndërtesat, lanë male me rroba gjithë baltë dhe përgatitën e shpërndanë ushqime dhe ujë të pijshëm në të gjithë zonën e goditur. Vullnetarët pastruan edhe një shkollë dhe ndërtesa të tjera të komunës. Përpjekjet e tyre të palodhura u vlerësuan nga vëllezërit dhe nga njerëzit e bashkësisë.
Edhe në shumë vende të tjera, Dëshmitarët e Jehovait, si edhe shumë të tjerë, janë goditur prej gjëmave të tilla si përmbytje, shtrëngata shiu dhe tërmete. Duke e kuptuar se kjo ndodh për shkaqe të paparashikuara dhe që nuk mund të shmangen, ata nuk fajësojnë as Perëndinë dhe askënd tjetër. (Eklisiastiu 9:11) Përkundrazi, ata kanë besim se dashuria altruiste e shokëve të tyre të besimit do t’i ndihmojë në çfarëdo situate të vështirë në të cilën mund të ndodhen. Këto vepra dashurie vijnë nga besimi që kanë të përbashkët. Dishepulli Jakov shpjegon: «Do të ishte njësoj sikur mes jush të ishin bashkëbesimtarët dhe bashkëbesimtaret që nuk kishin asgjë as për të veshur dhe as për të ngrënë. Dhe njëri nga ju do të thoshte: ‘Ju uroj gjithë të mirat; shpresoj që të visheni sa më ngrohtë dhe të hani sa të ngopeni!’ dhe nuk u jep ato që u nevojiten për të jetuar. Ç’dobi ka vetëm urimi ose qëndrimi miqësor? Kështu është edhe me fenë: kur nga ajo nuk del asnjë vepër e mirë, kjo provon se ajo është e vdekur.»—Jakovit 2:15-17, ECM.
Burimi i mbrojtjes së vërtetë
Në vend se të presin që Perëndia të ndërhyjë në mënyrë të mrekullueshme, Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se mbrojtja qëndron në vëllazërinë e tyre botërore. Në fakt, ajo çka arrijnë të bëjnë vëllezërit në kohë mjerimesh, ngjan gati një mrekulli. Ata kujtojnë fjalët e Jezuit që gjenden në Mateun 17:20: «Në qoftë se besimi juaj do të ishte vetëm si një kokërr sinapi, këtij mali do të mund t’i thoshit: ‘Dil këndej e shko atje!’ dhe ashtu do të bëhej. Atëherë për ju nuk do të ishte asgjë e pamundur!» (ECM) Po, pengesa të tilla sa malet zhduken kur besimi i vërtetë i krishterë, bashkë me dashurinë, është në veprim.
Shërbëtorët e Jehovait në të gjithë botën ndiejnë dorën mbrojtëse të Perëndisë së tyre në këto kohë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme. Ata ushqejnë po ato ndjenja të psalmistit që thotë: «Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.» (Psalmi 4:8) Me besim ata përqendrohen mbi veprën që duhet të kryejnë: «Më parë do të shpallet lajmi i mirë në mbarë tokën, që të gjithë të dëgjojnë për ftesën në mbretërinë e Zotit. Vetëm atëherë do të vijë mbarimi.» (Mateu 24:14, ECM) Dhe me siguri presin realizimin e premtimit të Jehovait, për të sjellë një botë të re paqësore dhe të drejtë, në të cilën nuk do të ketë më gjëma të asnjë lloji, as natyrore dhe as të shkaktuara nga njeriu.—Mikea 4:4.
[Figurat në faqen 12]
Dëshmitarët erdhën nga larg dhe nga afër për të ndihmuar viktimat e përmbytjes