Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Republika e Filipineve
TË 7.083 ishujt shkëmborë tropikalë që formojnë Republikën e Filipineve janë pjesa e sipërme e një zinxhiri malesh pjesërisht të zhytura.a Dhe të 62.000.000 banorët e Filipineve dëshirojnë të flasin thuajse mbi çdo temë. Kjo frymë dashamirëse rezulton në një fushë pjellore për mesazhin e Mbretërisë.
Dëshmi në shkollë
Në ishullin Masbate, një studente e re e shkollës së lartë mundi t’i dëshmonte klasës dhe mësueses së saj gjatë një provimi ku studentëve u duhej të përcaktonin se çfarë ishte e rreme dhe çfarë ishte e vërtetë. Ajo raporton:
«Deklarata ishte: ‘Nëse Perëndia më do, ai nuk do të më jepte probleme apo nuk do të më linte të vuaja.’ Kur mësuesja kontrolloi fletët tona, ajo gjeti se të gjithë përveç meje ishin përgjigjur se kjo ishte e vërtetë. Mësuesja më la t’i shpjegoja klasës përse u përgjigja ‘e rreme’. Unë u thashë se nuk ishte Perëndia që na i shkakton problemet, megjithëse ai i lejon vuajtjet dhe lejon që të provohemi. Duke përdorur Biblën time, të cilën gjithmonë e marr në shkollë, unë arsyetova me klasën mbi fjalët tek 1. Gjonit 4:8: ‘Perëndia është dashuri.’ Pas shpjegimit tim mësuesja u bind, preku tavolinën dhe tha: ‘Marilou ka të drejtë.’ Unë isha e vetmja që gjeta përgjigjen e saktë të kësaj pyetjeje dhe mora notën më të lartë.»
Lajmi i Mbretërisë është kudo
Ndërsa vazhdonte shërbimin nga shtëpia në shtëpi, në një zonë tjetër të Filipineve, një pioniere e rregullt (në shërbim të plotë kohor) takoi nënën e tre fëmijëve të vegjël. Gruaja tregoi shumë interes për mesazhin e Mbretërisë dhe kjo bëri të mundur fillimin e një studimi biblik me të. Megjithëse burri i saj nuk ishte i kënaqur që ajo studionte Biblën, aq më tepër me Dëshmitarët e Jehovait, studimi vazhdoi.
Burri e transferoi familjen e tij në një qytet tjetër, duke menduar se kjo do t’i jepte fund shoqërisë së gruas së tij me Dëshmitarët. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë para se ata të zbulonin këtë grua dhe ajo rifilloi studimin e Biblës. Është e tepërt të themi se burri i saj ishte shumë i shqetësuar. Ai e mori zemërimin me vete në punë, ku ia zbrazi ndjenjat e tij një klienti të cilit po i riparonte makinën. Burri nuk e dinte se ky klient ishte Dëshmitar i Jehovait.
Dëshmitari i shpjegoi se do të ishte shumë e dobishme për të gjithë familjen nëse gruaja e tij vazhdonte me studimin e Biblës. Ajo mund të fillojë t’i zbatojë parimet e Biblës në mënyrë të drejtë në shtëpi. Gjithashtu, iu sugjerua se vetë burri mund të kishte dobi po të mësonte mbi Mbretërinë e Perëndisë.
Çfarë rezultoi nga ky diskutim? Gruaja pati më shumë liri për të studiuar Biblën dhe ai vendosi ta transferonte përsëri familjen në shtëpinë e tyre të mëparshme. Atje gruaja përparoi frymësisht, aq sa u bë një lajmëtare e Mbretërisë e pa pagëzuar. Burri i saj gjithashtu pranoi një studim biblik dhe e gjithë familja filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere.
[Shënimi]
a Për informacione të mëtejshme shiko kalendarin e vitit 1994 të Dëshmitarëve të Jehovait.
[Kutia në faqen 8]
STATISTIKA E VENDIT
Viti i shërbimit 1993
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 116.576
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 549 banorë
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 357,388
MESATARJA E PIONERËVE: 22.705
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 94.370
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 7.559
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 3.332
ZYRA E DEGËS: MANILA
[Figura në faqen 9]
Dëshmia në treg sjell rezultate të shkëlqyera
[Figura në faqen 9]
Zyra e degës së shoqatës Watchtower