Parlamenti botëror i feve—A do të ketë sukses ai?
QINDRA udhëheqës fetarë u mblodhën në Parlamentin e dytë botëror të feve në Çikago, SH.B.A., në verën e 1993-shit. Ishin të pranishëm përfaqësuesit e budizmit, të krishterimit, hinduizmit, judaizmit dhe islamizmit. Gjithashtu ishin të pranishëm magjistarë dhe adhurues të perëndeshave. Ata diskutuan për rolin e tyre në eliminimin e luftërave. Drejtuesi i parlamentit pranoi se «dy të tretat e konflikteve botërore kanë një nënkuptim fetar».
Njëqind vjet më parë
A ka pasur sukses ky parlament? Le të shohim ç’ndodhi njëqind vjet më parë në të parin Parlament botëror të feve. Edhe ai u mbajt në Çikago në verën e 1893-shit me përfaqësues të më shumë se 40 feve. Këshilli për Parlamentin botëror të feve pranon se ata që morën pjesë në 1893-shin «besonin se do të ishte i pari në serinë e mbledhjeve ndërkombëtare të bashkimit të feve që do të kontribuonte për mirëkuptimin, paqen dhe përparimin. Por nuk doli ashtu. Intoleranca fetare dhe dhuna kanë qenë pjesë e luftërave për këta 100 vjet të kaluar dhe vazhdojnë po njëlloj». Përse ka dështuar? Sepse koncepti i bashkimit të fesë nuk aprovohet prej Perëndisë. Bibla thotë: «Mos u lidhni me të pafetë e mos u përpiqni të bashkëpunoni me ta.»—2. Korintasve 6:14-17, ECM.
Në mënyrë të përshtatshme, në numrin e shtatorit të 1893-shit, jo pa ironi, Kulla e Rojës e Sionit theksoi mungesën e përkrahjes biblike për Parlamentin botëror të feve duke thënë: «Ata [arkeologët] kanë nxjerrë prej dheut nga rrënimet e Babilonisë dhe të qyteteve të lashta shumë cilindra argjile, por akoma mbeten disa që nuk janë gjetur. . . . S’kanë gjetur asnjë në të cilin të flitet për një ‘Parlament të feve’ me moabitët, amonitët dhe edomitët të organizuar prej Moisiut dhe Josiut. . . . S’kanë gjetur asnjë në të cilin flitet për të lashtin Samuel të fortë që të ketë ftuar një delegacion të priftërinjve të Dagonit nga Gathi dhe Ekroni që të vinin në Silo për të mbajtur një konferencë me priftërinjtë e Jehovait. . . . S’kanë gjetur asnjë që flet për një ‘kongres’ njëjavor me priftërinjtë e Baalit dhe Molekut, të propozuar prej të vjetrit Elia, të veshur me rripin e tij prej lëkure, në të cilin do të diskutonin dogmat e feve përkatëse, me qëllim që të tregonin respekt reciprok për fenë e njëri-tjetrit.»
Mbretëria e Perëndisë—E vetmja shpresë
Parlamenti botëror i feve nuk do të ketë sukses. Gazetat dhe delegatët përdornin shprehje si «kaos», «trazirë» dhe «çmendinë» në lidhje me parlamentin. Sipas një raporti, nevojitej madje policia për të qetësuar dy çrregullime për shkak të ndarjeve politike. Në një dokument të 1952-shit, parlamenti vendosi në renditjen e qëllimeve të tij: «Të themelojmë një Parlament botëror të qëndrueshëm të feve, që të punojë me KOMBET E BASHKUARA për arritjen e paqes dhe për mirëkuptimin në mes të gjithë popullit.» Në kontrast, Jezui tha se Mbretëria e tij nuk është pjesë e kësaj bote. Bibla tregon se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit.—Danieli 2:44; Gjoni 18:36.