Ngritja e Marijes në qiell një dogmë e zbuluar nga Perëndia?
NGRITJA e Marijes në qiell—doktrina që thotë se Marija, nëna e Krishtit u ngrit në qiell me trup—është e shtrenjtë për zemrat e miliona katolikëve. Historiani Xhorxh Uilliam Daglas, thotë: «Ngritja e Marijes në qiell, ose marrja në qiell e Virgjëreshës Marije, është nderuar [që prej shumë kohësh] si një nga festat më të mëdha dhe një nga ceremonitë solemne më kryesore vjetore të kishës.»
Megjithatë, teologët katolikë pranojnë se Bibla nuk thotë se Marija u ngrit në qiell në këtë mënyrë. Në fakt, pak katolikë kuptojnë se kjo doktrinë e dashur për ta ka qenë objekt kundërshtimesh dhe debatesh të hidhura për shekuj me radhë. Atëherë si arriti kisha ta pranojë si dogmë ngritjen e Marijes në qiell?a A ekziston ndonjë arsye për ta parë atë si zbulim hyjnor? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë thjesht teorike. Ka ndërlikime të rënda për të gjithë ata që e duan të vërtetën.
Evoluimi i një dogme
Ndoshta të habit fakti se në shekujt e parë pas vdekjes së Jezuit, ideja e ngritjes së Marijes në qiell ishte krejt e panjohur për mentalitetin e të krishterëve. Teologu katolik, Zhan Galot, shkruan: «Në fillim, asnjë kujtim që kishte të bënte me vdekjen e Marijes, nuk ishte lidhur me bashkësinë e krishterë.»
Megjithatë, pasi mësimi i Trinitetit u pranua si doktrinë zyrtare kishtare, Marijes filloi t’i jepej një rol gjithnjë e më i rëndësishëm. Termat e zjarrta, si «Nëna e Perëndisë», «e konceptuar pa mëkat», «Ndërmjetëse» dhe «Mbretëresha e Qiellit» filluan të aplikoheshin tek ajo. Me kalimin e kohës, arsyeton teologu Galot, «heshtja e traditave primitive në lidhje me vdekjen e Marijes, nuk mund t’i kënaqte plotësisht ata të krishterë që e kuptonin përsosmërinë e Marijes dhe dëshironin ta nderonin atë. Kështu, mori formë përshkrimi i ngritjes së saj në qiell, i cili ishte prodhim i imagjinatës njerëzore».
Rreth shekullit të katërt të e.s., filluan të qarkullonin të ashtuquajturat apokrife që përkrahnin ngritjen e Marijes në qiell. Këto tekste jepnin tregime të çuditshme lidhur me ngritjen e imagjinuar të saj në qiell. Merr, për shembull, tekstin e quajtur «Rënia në gjumë e Nënës së Shenjtë të Perëndisë». Ai nuk i atribuohet askujt tjetër përveçse apostullit Gjon, por ka mundësi të jetë hartuar rreth 400 vjet pas vdekjes së Gjonit. Sipas këtij tregimi të gënjeshtërt, apostujt e Krishtit u mblodhën në mënyrë të mrekullueshme rreth Marijes, ku e panë atë të shëronte të verbër, të shurdhër dhe të çalë. Përfundimisht, siç pretendohet aty, apostujt dëgjuan Zotërinë t’i thotë Maries: «Që tani e tutje, trupi yt i çmuar do të çohet në parajsë dhe shpirti yt i shenjtë do të jetë në qiell ndër thesaret e Atit tim, në një shkëlqim të pashoq, ku është paqja dhe gëzimi i engjëjve të shenjtë, e akoma më shumë.»
Si reaguan besimtarët ndaj shkrimeve të tilla? Mariologu Rëne Lorentë, shpjegon: «Reagimet ishin shumë të ndryshme. Pjesa më e madhe e atyre që besojnë lehtë, u mashtruan nga vezullimi i historisë së lezetshme, pa u menduar më tej. Të tjerët e përbuzën këtë tregim të paqëndrueshëm, që shpesh ishte kontradiktor dhe pa autoritet.» Kështu, doktrina e ngritjes së Marijes në qiell, përpiqej për t’u pranuar zyrtarisht. Diçka tjetër që e rriste konfuzionin ishte fakti se në disa vende nderoheshin relike që mendohej se ishin pjesë të trupit të Marijes. Një fakt i tillë vështirë të pajtohej me besimin se trupi i saj mishor ishte marrë në qiell.
Në shekullin e 13-të, Tomas Akuinas, si shumë teologë të tjerë, pohoi se ngritja e Marijes në qiell nuk mund të pranohej si dogmë, duke marrë parasysh që «Shkrimet nuk e mësonin atë». Megjithatë, besimi vazhdoi të popullarizohej dhe portretizime të ngritjes së imagjinuar të saj në qiell, nga artistë të tillë të njohur si Rafael, Korrexhio, Titian, Karraçi dhe Rubens shumëfishoheshin.
Çështja mbeti e pazgjidhur deri pak kohë më parë. Sipas jezuitit Jozef Filograsi, në gjysmën e parë të shekullit tonë, studiuesit katolikë vazhduan të botonin «studime dhe diskutime jo gjithmonë të favorshme» për teorinë e ngritjes së Marijes në qiell. Edhe papët, të tillë si Leone XIII, Piu X dhe Benedikt XV, «ishin disi të rezervuar në lidhje me këtë çështje». Por, më 1 nëntor 1950, kisha mori përfundimisht një qëndrim të përcaktuar. Papa Piu XII, lajmëroi: «Përcaktojmë si një dogmë të zbuluar nga Perëndia, që Nëna e Papërlyer e Perëndisë, Marija gjithmonë Virgjëreshë, u mor me trup dhe me shpirt në qiellin madhështor, kur mbaroi drejtimin e jetës së saj tokësore.»—Munificentissimus Deus.
Besimi në marrjen me trup të Marijes në qiell nuk ishte më fakultativ ndërmjet katolikëve—tashmë ishte një dogmë kishtare. Papa Piu XII, deklaroi se «nëse dikush . . . guxon të mohojë ose të hedhë dyshime vullnetarisht mbi atë që është përcaktuar, duhet të dijë se i mungon besimi katolik dhe hyjnor».
Çfarë thonë në të vërtetë Shkrimet
Por mbi ç’bazë e mori kisha këtë qëndrim të guximshëm? Papa Piu XII, pretendon se dogma e ngritjes së Marijes në qiell «i ka themelet e saj të bazuara në Shkrimet e Shenjta». Ndërmjet teksteve që shpesh citohen si prova të ngritjes së saj në qiell, është Luka 1:28, 42. Këto vargje thonë: «Të falem, o Hirplote! Zoti me ty! . . . Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd!» Ata që përkrahin ngritjen e Marijes në qiell arsyetojnë se pasi Marija ishte «Hirplote», nuk do të mposhtej kurrë nga vdekja dhe se duke qenë «e bekuar» si «fryti i kraharorit të saj», ajo duhej të kishte privilegje të njëllojta me ato të Jezuit—duke përfshirë ngritjen e tij në qiell. A të duket se tingëllon e arsyeshme një gjë e tillë?
Para së gjithash, leksikologët thonë se shprehja «Hirplote», është përkthim i pasaktë dhe se shprehja origjinale greke e përdorur nga Luka përkthehet më saktë «objekt i favorit të Perëndisë». Kështu, përkthimi The Catholic Jerusalem Bible, e përkthen Lukën 1:28 kështu: «Gëzohu, o lartësisht e favorizuar!» Nuk ka arsye për të menduar se Marija është marrë në qiell me trup, vetëm sepse ishte «lartësisht e favorizuar» nga Perëndia. Për martirin e parë të krishterë, Stefanin, është thënë po ashtu nga përkthimi katolik Douay se ka qenë lartësisht i favorizuar ose «hirplotë»—dhe atij nuk iu atribua ringjallje trupore.—Veprat 6:8.
Megjithatë, a nuk ishte e bekuar ose e favorizuar Marija? Po, por është interesante të vërejmë se edhe Jaela, një grua që jetoi në kohën e gjykatësve të Izraelit, u konsiderua si «e bekuar ndërmjet grave». (Gjykatësit 5:24) Sigurisht, askush nuk mund të argumentojë se edhe Jaela u mor në qiell me trup. Përveç kësaj, gjithë ideja e marrjes së Marijes në qiell me trup, është bazuar në kushtin paraprak se vetë Jezui u ngrit në qiell me trup. Ndërsa Bibla thotë se Jezui u «gjallërua» ose u ringjall «në frymë». (1. Pjetrit 3:18, krahaso 1. Korintasve 15:45.) Për më tepër, apostulli Pavël tha se, «mishi dhe gjaku nuk mund të zotërojnë Mbretërinë e Perëndisë».—1. Korintasve 15:42-50.
Vërtet, Bibla flet për ringjalljen qiellore të të krishterëve besnikë të mirosur nga fryma. Megjithatë, 1. Selanikasve 4:13-17 e bën të qartë se kjo ringjallje nuk do të fillonte deri «në praninë e Zotërisë», gjatë ditëve të fundit të kësaj epoke të ligë. Deri atëherë, Marija duhej të flinte në vdekje, bashkë me mijëra të krishterë të tjerë besnikë.—1. Korintasve 15:51, 52.
Marija një grua e besës
Ji i sigurt se me ç’ka thamë më sipër nuk duam të tregojmë mosrespekt për Marijen. Marija është pa dyshim një grua shembullore—besimi i së cilës meriton të imitohet. Ajo me gatishmëri pranoi përgjegjësinë e privilegjuar për t’u bërë nëna e Jezuit bashkë me të gjitha provat dhe sakrificat që duhej të përballonte. (Luka 1:38; 2:34, 35) Bashkë me Jozefin, ajo e rriti Jezuin në mençurinë hyjnore. (Luka 2:51, 52) Ajo qëndroi me Jezuin gjatë vuajtjeve të tij në shtyllë. (Gjoni 19:25-27) Dhe si nxënëse besnike, ajo me bindje qëndroi në Jeruzalem dhe përjetoi derdhjen e frymës së Perëndisë në Rrëshaja.—Veprat 1:13, 14; 2:1-4.
Një pikëpamje e shtrembëruar mbi Marijen nuk nderon as atë dhe as Krijuesin. Dogma e ngritjes së Marijes në qiell, shërben për të përforcuar opinionin e pabazuar se Marija është një ndërmjetëse tek Perëndia. Por, a e mbështeti Jezu Krishti një mësim të tillë? Përkundrazi, ai tha: «Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveç nëpërmjet meje. Nëse kërkoni ndonjë gjë në emrin tim, unë do ta bëj.» (Gjoni 14:6, 14, BR; krahaso Veprat 4:12) Po, vetëm Jezu Krishti, dhe jo Marija, ndërhyn tek Krijuesi. Përmes Jezuit—jo përmes Marijes—mund t’i afrohemi Dhuruesit tonë të jetës për «ndihmë në kohën e duhur».—Hebrenjve 4:16.
Pranimi i së vërtetës mbi Marijen mund të jetë i vështirë për disa. Të paktën mund të jetë një braktisje e bindjeve të mbështetura për një kohë të gjatë ose e nocioneve të dashura. Megjithatë, e vërteta edhe pse shpeshherë mund të jetë e dhimbshme, në fund të fundit «të liron». (Gjoni 8:32, BR) Jezui tha se Ati i tij kërkonte ata që do ta adhuronin «në frymë dhe në të vërtetë». (Gjoni 4:24, BR) Këto fjalë përbëjnë një sfidë për katolikët e sinqertë.
[Shënimet]
a Në katolicizëm, një dogmë në ndryshim me një besim të thjeshtë, thuhet se është një e vërtetë e formuluar solemnisht ose nga një këshilltar ekumenial, ose nga një «gjykim i pagabueshëm» i papës. Ndërmjet doktrinave të përcaktuara kështu nga Kisha katolike, ajo më e fundit është ngritja e Marijes në qiell.
[Kutia në faqen 27]
A VDIQ MARIJA?
A vdiq me të vërtetë Marija para ngritjes së imagjinuar të saj në qiell? Teologët katolikë gjenden para një dileme teologjike përsa i përket kësaj çështjeje. Nuovo Dizionario tregon se «do të ishte e vështirë t’i atribuohej Marijes imuniteti ndaj vdekjes, të cilën edhe Krishti nuk e kishte». Nga ana tjetër, të pohosh se Marija vdiq me të vërtetë ngre një tjetër çështje po aq shqetësuese. Teologia Keri Boresen vëren se «vdekja është ndëshkimi për mëkatin fillestar që sipas [dogmës «E konsideruar e papërlyer»], nuk ndikon mbi Marijen. Atëherë mbi ç’bazë duhet të ketë vdekur ajo? Nuk të habit fakti se papa Piu XII me kujdes të ketë evituar të gjithë çështjen mbi vdekjen e Maries, kur përcaktoi dogmën e ngritjes së saj në qiell.
Lumturisht, mësimi i Biblës është i lirë nga ngatërresa të tilla. Ajo askund nuk mëson—dhe as nuk e përmend tërthorazi—«të konsideruarit të papërlyer» të Marijes. Përkundrazi, ajo thotë se ajo ishte një grua e papërsosur që kishte nevojë për shlyerje. Për këtë arsye, pas lindjes së Jezuit, ajo shkoi në tempull dhe i bëri Perëndisë një sakrificë për mëkatin. (Levitiku 12:1-8; Luka 2:22-24) Përfundimisht, si të gjitha gratë e tjera të papërsosura, Marija vdiq.—Romakëve 3:23; 6:23.
Kjo e vërtetë e thjeshtë është plotësisht në kundërshtim me çështjet e paarsyeshme të ngritura nga dogma e ngritjes së Marijes në qiell.
[Figura në faqen 26]
«Ngritja e virgjëreshës në qiell» e pikturuar nga Ticiani (1488-1576)
[Burimi]
Giraudon/Art Resource, N.Y.
[Figura në faqen 28]
Duke sjellë në tempull një sakrificë për mëkatin, pas lindjes së Jezuit, Marija e shpalli veten një mëkatare që ka nevojë për shlyerje