Darka e Zotërisë—Sa shpesh duhet kremtuar ajo?
KISHAT e të ashtuquajturit krishterim kremtojnë shumë festa e pushime: Krishtlindjet, Pashkët, ditët e «shenjtorëve». Por, a e di se sa kremtime duhet të mbanin ithtarët e Jezu Krishtit, sipas urdhërimeve të tij? Përgjigjja do të ishte: «Vetëm një!» Asnjë nga festat e tjera nuk është autorizuar nga Themeluesi i Krishterimit.
Është e qartë, pasi Jezui vendosi vetëm një kremtim, ai është shumë i rëndësishëm. Të krishterët duhet ta kremtojnë atë saktësisht siç urdhëroi Jezui. Cili ishte ky kremtim i vetëm?
Kremtimi i vetëm
Ky kremtim u vendos prej Jezuit ditën e vdekjes së tij. Ai e kishte bërë festën hebreje të Pashkëve me apostujt e tij. Pastaj, u kaloi atyre nga buka pa tharm e Pashkëve, duke u thënë: «Ky është trupi im, që është dhënë për ju.» Më vonë, kaloi një kupë me verë, duke thënë: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.» Gjithashtu tha: «Bëni këtë në përkujtimin tim.» (Luka 22:19, 20; 1. Korintasve 11:24-26) Ky kremtim është quajtur Darka e Zotërisë, apo Përkujtimi. Është i vetmi kremtim, për të cilin Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që ta ndiqnin.
Shumë kisha pohojnë se e ndjekin këtë kremtim bashkë me të gjitha festat e tjera, por pjesa më e madhe e mbajnë në një mënyrë të ndryshme nga ajo që urdhëroi Jezui. Ka të ngjarë që ndryshimi më i madh është shpeshtësia e kremtimit. Disa kisha e kremtojnë atë çdo muaj, çdo javë, madje edhe çdo ditë. A kishte këtë ndër mend Jezui kur u tha ithtarëve të vet: «Bëni këtë në përkujtimin tim.» Sa shpesh kremtohet një përkujtim apo një përvjetor? Zakonisht, një herë në vit.
Dhe mos harro, gjithashtu, se Jezui e vendosi këtë kremtim dhe pastaj vdiq, sipas kalendarit hebre, më 14 nisan.a Ajo ishte dita e Pashkëve, një festë që u kujtonte hebrenjve çlirimin e madh nga Egjipti, në shekullin e 16-të p.e.s. Në atë kohë, sakrifica e një qengji solli si rezultat shpëtimin e të parëlindurve hebrenj, ndërsa engjëlli i Jehovait vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit.—Të Dalët 12:21, 24-27.
Si na ndihmon kjo që të kuptojmë çështjen? E pra, apostulli i krishterë Pavli shkroi: «Pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.» (1. Korintasve 5:7) Vdekja e Jezuit ishte flijimi më i madh për Pashkët, duke i dhënë njerëzimit rastin për një shpëtim shumë më të madh. Prandaj, për të krishterët Përkujtimi i vdekjes së Krishtit zëvendësoi Pashkën hebreje.—Gjoni 3:16.
Pashkët ishin një kremtim vjetor. Është e logjikshme, pra, që kështu të jetë edhe Përkujtimi. Pashka, pra dita në të cilën vdiq Jezui, binte gjithnjë ditën e katërmbëdhjetë të muajit hebre, nisanit. Prandaj, vdekja e Krishtit duhet kremtuar një herë në vit, në ditën kalendarike që i korrespondon 14 nisanit. Në 1994-ën, ajo ditë ishte e shtunë, 26 mars, pas perëndimit të diellit. Si shpjegohet atëherë, që kishat e të ashtuquajturit krishterim nuk e mbajnë këtë ditë si një kremtim të veçantë? Një vështrim i shkurtër i historisë do t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje.
Zakoni i apostujve vihet në rrezik
S’ka dyshim se gjatë shekullit të parë të erës sonë, ata që udhëhiqeshin prej apostujve të Jezuit e kremtonin Darkën e Zotërisë pikërisht ashtu siç urdhëroi ai. Megjithatë, gjatë shekullit të dytë disa filluan ta ndryshonin kohën e këtij përkujtimi. Ata e mbanin Përkujtimin në ditën e parë të javës (që tani është e diela) dhe jo në ditën që i korrespondonte 14 nisanit. Përse kështu?
Për hebrenjtë, një ditë fillon rreth orës gjashtë në mbrëmje dhe zgjat deri në të njëjtën kohë të ditës së nesërme. Jezui vdiq më 14 nisan të vitit 33 e.s., që shkon nga e enjtja në mbrëmje deri të premten në mbrëmje. Ai u ringjall ditën e tretë, të dielën herët në mëngjes. Disa dëshironin ta festonin kremtimin e vdekjes së Jezuit në një ditë të caktuar të javës çdo vit, në vend të ditës në të cilën do të binte 14 nisani. Ata, gjithashtu, e shikonin ditën e ringjalljes së Jezuit më të rëndësishme se atë të vdekjes së tij. Prandaj, zgjodhën të dielën.
Jezui urdhëroi të kremtohej vdekja e tij dhe jo ringjallja. Dhe, pasi Pashka hebreje bie në ditë të ndryshme çdo vit, sipas kalendarit gregorian që përdoret tani, është më se e natyrshme që e njëjta gjë të vlejë edhe për Përkujtimin. Shumë veta, pra, i mbaheshin rregullit origjinal dhe e kremtonin Darkën e Zotërisë më 14 nisan çdo vit. Me kohë, filluan të quheshin katërmbëdhjetëshit, që do të thotë «të ditës së katërmbëdhjetë».
Disa studiues pranojnë se këta «katërmbëdhjetësh» ndiqnin modelin origjinal apostolik. Një historian tha: «Sa për ditën në të cilën duhej festuar Pashka [Darka e Zotërisë], zakoni i kishave katërmbëdhjetëshe të Azisë përputhej me atë të kishës së Jeruzalemit. Në shekullin e dytë, me Pashkën e tyre, këto kisha kremtonin shpërblimin e kryer nga vdekja e Krishtit.»—Studia Patristica, volumi V, 1962, faqe 8.
Mosmarrëveshja rritet
Edhe pse shumë veta në Azinë e Vogël ndiqnin praktikën apostolike, në Romë parapëlqehej e diela. Rreth vitit 155 e.s., Polikarpi, përfaqësues i kongregacioneve të Azisë, vizitoi Romën për të diskutuar mbi këtë dhe probleme të tjera. Mjerisht, mbi këtë çështje nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Ireneu i Lionit shkroi në një letër: «Anicetusi [i Romës] nuk arriti ta bindte Polikarpin që të mos kremtonte atë që ky i fundit e kishte kremtuar gjithnjë me Gjonin, dishepull i Zotërisë sonë, dhe me apostujt e tjerë me të cilët kishte jetuar; dhe as Polikarpi nuk mundi ta bindë Anicetusin që ta kremtonte, sepse ky tha që duhej të ruante zakonet e pleqve përpara tij.» (Eusebius, Libri 5, kreu 24) Siç raportohet, vër re se Polikarpi e bazonte qëndrimin e tij mbi autoritetin e apostujve, ndërsa Anicetusi i drejtohej zakonit të pleqve të Romës që kishin qenë para tij.
Kjo mosmarrëveshje u intensifikua nga fundi i shekullit të dytë të erës sonë. Rreth vitit 190 e.s., një farë Viktori u zgjodh peshkop i Romës. Ai besonte se Darka e Zotërisë duhej kremtuar të dielën dhe kërkoi mbështetjen e sa më shumë krerëve që të ishte e mundur. Viktori bëri presion mbi kongregacionet e Azisë që të kremtonin edhe ato të dielën.
Duke u përgjigjur në emër të atyre në Azinë e Vogël, Polikrati i Efesit refuzoi t’u hapte rrugë këtyre presioneve. Ai tha: «Ne e mbajmë ditën, pa e ngatërruar, pa shtuar dhe pa hequr asgjë.» Pastaj renditi shumë autoritete, duke përfshirë edhe apostullin Gjon. «Të gjithë këta,—përmendi ai,—kremtuan ditën e katërmbëdhjetë për Pashkën, sipas Ungjillit, pa devijuar prej tij.» Polikrati shtoi: «Sa për mua, vëllezër, . . . unë nuk kam frikë nga kërcënimet. Sepse ata që ishin më të mirë se unë kanë thënë: ‘Duhet t’i bindemi Perëndisë, në vend të njerëzve.’»—Eusebius, Libri 5, kreu 24.
Viktorit nuk i pëlqeu kjo përgjigje. Një vepër historike thotë se ai «i shkishëroi të gjitha Kishat e Azisë dhe u dërgoi letra qarkore të gjitha kishave që kishin mendimin e tij, për të mos mbajtur marrëdhënie me to». Megjithatë «ky veprim i tij i pamatur dhe i guximshëm nuk u pëlqye nga të gjithë njerëzit e mençur dhe me mend të vetë partisë së tij, disa prej të cilëve i shkruan atij me të shpejtë, duke e këshilluar . . . që të ruante mëshirën, unitetin dhe paqen».—Bingham, Antiquities of the Christian Church, Libri 20, kreu 5.
Apostazia institucionalizohet
Me gjithë këto protesta, të krishterët e Azisë së Vogël gjendeshin gjithnjë e më të izoluar mbi çështjen e datës në të cilën duhej festuar Darka e Zotërisë. Gjetkë ishin ndërfutur variante të ndryshme. Disa kremtonin të gjithë periudhën prej 14 nisanit deri të dielën vijuese. Të tjerë e kremtonin akoma më shpesh, çdo të dielë.
Në vitin 314 e.s., Këshilli i Arlesit (Francë) u përpoq të impononte zakonin e Romës dhe të shtypte çdo alternativë. Mbetja e katërmbëdhjetëshve u mbajt fort. Për të zgjidhur këtë dhe çështje të tjera që ndanin ata që quheshin të krishterë në Perandorinë e tij, në vitin 325 e.s. perandori pagan Konstantini thirri një këshill ekumenik, Këshillin e Niceas. Ky këshill nxori një dekret që i urdhëronte të gjithë të krishterët në Azinë e Vogël t’i përshtateshin zakonit romak.
Është interesante të vërehet një nga argumentet kryesore që u përdor për të braktisur mbajtjen e Përkujtimit të vdekjes së Krishtit sipas datës së kalendarit hebre. K. J. Hefele pohon: «U deklarua se ishte veçanërisht pa vend të ndiqej zakoni (llogaritja) i hebrenjve për festën më të shenjtë, pasi ata i kishin përlyer duart me krimin më të tmerrshëm dhe mendja e tyre ishte errësuar.» (A History of the Christian Councils, volumi 1, faqe 322) Marrja e një pozicioni të tillë ishte konsideruar një «‘nënshtrim poshtërues’ ndaj sinagogës që e zemëronte Kishën»,—thotë J. Juster në Studia Patristica, volumi IV, 1961, faqe 412.
Antisemitizëm! Ata që e kremtonin Përkujtimin e vdekjes së Jezuit në ditën që ai kishte vdekur konsideroheshin si judaizues. U harrua që vetë Jezui kishte qenë një hebre dhe se i kishte dhënë asaj dite një domethënie të veçantë, duke ofruar në atë ditë jetën e tij në favor të njerëzimit. Prej asaj kohe, katërmbëdhjetëshit konsideroheshin si heretikë dhe përçarës dhe u persekutuan. Në vitin 341 e.s., Këshilli i Antiokisë dekretoi shkishërimin e tyre. Megjithatë, në vitin 400 e.s. kishte ende shumë prej tyre dhe vazhduan të ekzistonin në grupe të vogla edhe më pas.
Prej atëherë, i ashtuquajturi krishterim nuk është kthyer më në rregullin origjinal të vendosur nga Jezui. Profesori Uilliam Brait pranon: «Kur kremtimit të Vuajtjeve iu caktua një ditë e veçantë, e Premtja e Mirë, ishte tashmë tepër vonë për t’i kufizuar asaj shoqërimet ‘e Pashkëve’ që shën Pavli e kishte lidhur me vdekjen flijuese: ato ishin zbatuar lirisht në vetë festën e Ringjalljes dhe në fjalorin liturgjik të krishterimit grek dhe latin u krijua një rrëmujë konceptesh.»—The Age of the Fathers, volumi 1, faqe 102.
Po sot?
«Pas gjithë këtyre viteve,—mund të pyesësh,—a ka me të vërtetë rëndësi se kur kremtohet Përkujtimi?» Po, ka. Ndryshimet u bënë nga njerëz mendjemëdhenj, të etur për pushtet. Në vend se t’i bindeshin Jezu Krishtit, njerëzit ndoqën idetë e tyre personale. U përmbush qartësisht paralajmërimi i apostullit Pavël: «Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush [të krishterëve] ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.»—Veprat 20:29, 30.
Është, pra, një çështje bindjeje. Jezui vendosi se të krishterët duhej të mbanin vetëm një kremtim. Bibla shpjegon qartë se kur dhe si duhet kremtuar. Kush, pra, na paska të drejtë ta ndryshojë atë? Katërmbëdhjetëshit e parë parapëlqyen persekutimet dhe shkishërimin, në vend se të binin në kompromis në lidhje me çështjen.
Ndoshta mund të të interesojë të dish se mbi tokë ka ende nga ata të krishterë që respektojnë dëshirën e Jezuit dhe e kremtojnë Përkujtimin e vdekjes së tij në datën që ai vetë e caktoi. Këtë vit, Dëshmitarët e Jehovait u mblodhën në Sallat e tyre të Mbretërisë, anembanë tokës, pas orës gjashtë pasdite, të shtunën më 26 mars, ditë në të cilën filloi 14 nisani. Atje ata bënë pikërisht atë që Jezui tha se duhej bërë në atë kohë shumë domethënëse. Të gjithë ata që ishin të pranishëm treguan respekt për dëshirën e Jezu Krishtit.
[Shënimi]
a Nisani, muaji i parë i vitit hebre, fillonte me shfaqjen e parë të hënës së re. Pra, 14 nisani vinte gjithmonë gjatë hënës së plotë.
[Kutia në faqen 6]
«AI SHPËRBLIM I ÇMUESHËM»
Sakrifica shpërblerëse e Jezu Krishtit është shumë më tepër se një doktrinë. Jezui tha për veten: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin [shpërblimin, BR] e shumë vetave.» (Marku 10:45) Ai shpjegoi gjithashtu: «Sepse Perëndia e deshi aq botën [e njerëzimit], sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» (Gjoni 3:16) Atyre që kanë vdekur, shpërblimi u hap rrugën e ringjalljes dhe u jep shpresë për jetën e përhershme.—Gjoni 5:28, 29.
Në kremtimin e Darkës së Zotërisë përkujtohet vdekja e Jezu Krishtit, ngjarja me rëndësi më të madhe. Sa shumë gjëra plotëson sakrifica e tij! Një grua, që ishte rritur nga prindër të përshpirtshëm dhe që ka ecur për dekada në të vërtetën e Perëndisë, e shprehu mirënjohjen e saj me këto fjalë:
«Mezi e presim Përkujtimin! Çdo vit bëhet edhe më i veçantë. Më kujtohet kur njëzet vjet më parë, në funeralin e atit tim të dashur, shihja trupin e tij dhe provova një mirënjohje të thellë për shpërblimin. Para kësaj ngjarjeje ai kishte qenë një çështje doktrine. Unë i njihja të gjitha shkrimet dhe dija t’i shpjegoja ato! Por, vetëm kur ndjeva realitetin e ftohtë të vdekjes së tim eti, zemra ime u mbush me gëzim për atë që do të kryejë për ne ai shpërblim i çmueshëm.»