Kronikat mahnitëse të Jozefit
STUDIUESIT e historisë, prej shumë kohësh po studiojnë shkrimet mahnitëse të Jozefit. I lindur vetëm 4 vjet pas vdekjes së Krishtit, ai ishte dëshmitar okular i përmbushjeve të profecive të Jezuit për kombin hebre rreth shekullit të parë. Jozefi ishte një komandant ushtarak, një diplomat, një farise dhe një studiues.
Shkrimet e Jozefit janë të mbushura me detaje magjepsëse. Ato hedhin dritë mbi Kanunin biblik dhe në të njëjtën kohë përbëjnë një udhëheqje letrare për topografinë dhe gjeografinë e Palestinës. S’është për t’u habitur që shumë njerëz i konsiderojnë veprat e tij si një pjesë të çmuar të bibliotekës së tyre!
Vitet e para të tij
Jozef Ben Matias, ose Jozef Flavius, ka lindur në vitin 37 të e.s., viti i parë i mbretërimit të perandorit romak Kalikula. Babai i Jozefit i përkiste një familjeje priftërinjsh. Për të ëmën, ai pretendonte se ishte një pasardhëse e priftit më të njohur, Hasmonean Xhonatanit.
Në vitet e adoleshencës, Jozefi studioi me dëshirë ligjin e Moisiut. Ai me kujdes analizoi tri sektet e judaizmit: farisenjtë, saducenjtë dhe esenët. Duke preferuar këta të fundit, ai vendosi për të jetuar për tre vjet me një vetmitar të quajtur Bano, që siç duket ishte një esen. Duke hequr dorë nga kjo në moshën 19-vjeçare, Jozefi kthehet në Jeruzalem dhe bashkohet me farisenjtë.
Në Romë e kthim
Jozefi udhëtoi për në Romë në vitin 64 e.s. për të ndërhyrë në mbrojtje të priftërinjve hebrenj, të cilët Feliksi, prokurori i Judesë i kishte dërguar tek perandori Neron për t’i gjykuar. Gjatë udhëtimit, anija mbytet dhe Jozefi shpëton për pak. Vetëm 80 nga 600 pasagjerët në anije shpëtuan.
Gjatë vizitës së Jozefit në Romë, një aktor hebre ndërhyn për të tek gruaja e Neronit, perandoresha Popea. Ajo luajti një rol kryesor në suksesin e misionit të tij. Madhështia e qytetit i la një përshtypje të madhe Jozefit.
Kur Jozefi u kthye në Jude, revolta kundër Romës ishte tashmë diçka e fiksuar në mendjen e hebrenjve. Ai u orvat t’i bindte bashkatdhetarët e tij që lufta kundër Romës ishte e kotë. Në pamundësi për t’i përmbajtur ata dhe duke pasur frikë se mos e akuzonin si tradhtar, u detyrua të pranonte detyrën si komandant i trupave hebreje në Galile. Jozefi i organizoi e i stërviti burrat e tij dhe siguroi furnizime në përgatitjen e luftës kundër forcave romake, por pa dobi. Galilea u pushtua nga ushtria e Vespasianit. Pas 47 ditësh rrethimi, mbrojtja e fortë e Jozefit në Jotapata u mposht.
Kur kapitulloi, Jozefi me dinakëri parashikoi që Vespasiani do të bëhej perandor. Ishte i burgosur, por ky parashikim që ai bëri dhe që më vonë u bë realitet, e ndihmoi për t’u liruar. Kjo shënoi një kthesë në jetën e tij. Gjatë pjesës së mbetur të luftës, ai u shërbeu romakëve si përkthyes dhe ndërmjetës. Megjithëse ai kishte shprehur mbrojtje për Vespasianin dhe bijtë e tij, Titin dhe Dominianin, Jozefi adoptoi emrin familjar Flavius.
Veprat e Jozef Flavius
Më i hershmi i shkrimeve të Jozefit titullohet Lufta judaike. Mendohet se e ka shkruar këtë libër me shtatë volume, për t’u dhënë hebrenjve një përfytyrim të qartë mbi fuqinë superiore të Romës dhe kështu ata të mund të frenonin një kryengritje të tyre të ardhshme. Këto vepra përshkruajnë me hollësi historinë hebreje që nga pushtimi i Jeruzalemit nga Antiokusi i Epifanës (në shekullin e dytë p.e.s.), deri në konfliktin e papërmbajtur të vitit 67 të e.s. Si një dëshmitar okular, Jozefi pastaj shqyrtoi luftën më kulminante të vitit 73 të e.s.
Një nga veprat e tjera të Jozefit ishte Lashtësitë hebreje, një histori e hebrenjve me 20 volume. Duke e filluar me Zanafillën dhe krijimin, ai shkon deri në shpërthimin e luftës me Romën. Jozefi ndjek nga afër radhën e ngjarjeve sipas tregimeve të Biblës, duke shtuar interpretimet tradicionale dhe vrojtimet e jashtme.
Jozefi shkroi edhe një tregim personal të titulluar thjesht Jeta. Në të ai përpiqet të justifikojë qëndrimin e tij gjatë luftës dhe orvatet të hedhë poshtë akuzën e bërë kundër tij nga Xhusto i Tiberës. Vepra e katërt, një apologji në dy volume, e titulluar Kundër Apionit, mbron hebrenjtë nga akuzat false.
Kuptueshmëria e Fjalës së Perëndisë
Nuk ka dyshim se pjesa më e madhe e historisë së Jozef Flavius është e saktë. Në veprën e tij Kundër Apionit, ai tregon se hebrenjtë kurrë nuk i kanë përfshirë Apokrifat si pjesë të Shkrimeve të frymëzuara. Ai konfirmoi sigurinë dhe harmoninë e brendshme të shkrimeve hyjnore. Ai tha: «Nuk kemi një grumbull të panumërt librash, që janë në mospajtim dhe kundërshtim me njëri-tjetrin . . . por vetëm njëzet e dy libra [ekuivalenti i ndarjeve aktuale të Shkrimeve në 39 libra], të cilat përmbajnë të dhëna të të gjitha kohëve të kaluara; të cilët me të drejtë janë besuar si hyjnorë.»
Në librin Lashtësitë hebreje, Jozefi shton detaje interesante për tregimin biblik. Ai tha se «Isaku ishte njëzet e pesë vjeç», kur Abrahami e lidhi duar e këmbë për ta sakrifikuar. Sipas Jozefit, pasi kishte ndihmuar të atin në ndërtimin e altarit, Isaku tha se «nuk do të ishte i denjë të lindte nëse do të refuzonte vendimin e Perëndisë dhe të atit të tij . . . Kështu ai shkoi menjëherë në altar për t’u sakrifikuar.»
Në tregimin e Shkrimeve, që flet për daljen e Izraelit nga Egjipti i lashtë, Jozefi shton këto hollësira: «Numri i atyre që i ndiqnin pas ishte gjashtëqind karroca, pesëdhjetë mijë kalorës dhe dyqind mijë këmbësorë, të gjithë të armatosur.» Jozefi gjithashtu tha se «kur ishte dymbëdhjetë vjeç, Samueli filloi të profetizonte dhe një herë, kur ishte në gjumë, Perëndia e thirri me emrin e tij».—Krahaso 1. Samuelit 3:2-21.
Shkrime të tjera të Jozefit janë të pajisura me informacione të ndryshme mbi taksa, ligje dhe ngjarje. Ai tha se gruaja që kërceu në një pritje të Herodit dhe kërkoi kokën e Gjon Pagëzorit quhej Saloma. (Marku 6:17-26) Shumë gjëra prej atyre që dimë për Herodin janë shënuar nga Jozefi. Ai madje tha se «për të mbuluar vjetërsinë e tij [Herodi] i lyente flokët me të zezë».
Revolta e madhe kundër Romës
Vetëm 33 vjet pasi Jezui tha profecinë për Jeruzalemin dhe tempullin e tij, përmbushja e saj filloi të plotësohej. Fraksioni i hebrenjve ekstremistë në Jeruzalem kishte vendosur të hidhte tej zgjedhën romake. Në vitin 66 të e.s. këto lajme bënë që romakët të mobilizoheshin në legjione të tëra nën komandën e Cest Galit, guvernator i Sirisë. Misioni i tyre ishte të shpartallonin rebelimin dhe të ndëshkonin fajtorët. Pas shkatërrimit të periferisë së Jeruzalemit, burrat e Cestit, i ngritën kampet përreth mureve të qytetit. Duke përdorur një metodë luftimi, të quajtur «breshka», romakët i kombinonin aq mirë mburojat e tyre, sa dukeshin si kurriz breshke, për t’u mbrojtur nga armiqtë. Duke dëshmuar për suksesin e kësaj metode, Jozefi bën të ditur: «Shigjetat që hidheshin mbi ta, rrëshqitnin dhe binin poshtë pa i dëmtuar aspak, kështu ushtarët e shkatërronin murin në qetësi, pa u ndodhur asgjë dhe përgatitnin të gjitha gjërat që duheshin për t’i vënë zjarrin portës së madhe të tempullit.»
«Pastaj,—vazhdon Jozefi,—ndodhi që Cesti . . . i thirri ushtarët e tij që të tërhiqeshin nga vendet e tyre . . . Ai u tërhoq nga qyteti pa asnjë shkak.» Jozef Flavius pa menduar që të lartësonte Birin e Perëndisë, pohon se ky sulm ishte tamam ajo që pritnin të krishterët në Jeruzalem. Ishte një përmbushje e profecisë së Jezu Krishtit! Vite më parë, Biri i Perëndisë paratha: «Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të. Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.» (Luka 21:20-22) Duke iu bindur urdhrit të Jezuit, ithtarët e tij besnikë u larguan me të shpejtë nga qyteti, qëndruan larg tij dhe kështu i shpëtuan shkatërrimit që do të binte më vonë në të.
Kur ushtritë romake u kthyen në vitin 70 të e.s., pasojat u regjistruan në hollësi grafike nga Jozefi. Gjeneral Titi, biri më i madh i Vespasianit, erdhi të pushtonte Jeruzalemin, si edhe tempullin e tij madhështor. Brenda qytetit, grupet e luftimit u përpoqën të kontrollonin gjendjen. Ata përdorën masa ekstreme, aq sa u derdh shumë gjak. Disa «ishin aq shumë të dëshpëruar nga mjerimet që kishin rënë brenda vendit, sa dëshironin të vinin romakët», duke shpresuar që «të liroheshin nga mjerimet e tyre»,—tha Jozefi. Ai i quajti kryengritësit «plaçkitës», pasi ata ishin të angazhuar në shkatërrimin e pronave, pasurive, si dhe në vrasjen e burrave të rëndësishëm; dyshohej se ishin të gatshëm për të bërë kompromis me romakët.
Në mes të luftës civile, kushtet e jetës në Jeruzalem rëndoheshin në mënyrë të paimagjinueshme. Të vdekurit i linin të pavarrosur. Vetë kryengritësit «luftonin kundër njëri-tjetrit, ndërsa shkelnin mbi trupat e të vdekurve që ishin në një grumbull sipër njëri-tjetrit». Ata grabitnin popullsinë dhe i vritnin për të marrë ushqim dhe pasuri. Thirrja e mjerimit vazhdonte.
Titi i nxiste hebrenjtë të dorëzoheshin dhe kështu ai do kursente jetën e tyre. Ai «dërgoi Jozefin të fliste me ta në gjuhën e tyre, duke menduar se ata mund të bindeshin për t’u dorëzuar nga një bashkëqytetar i tyre». Por ata e qortuan Jozefin. Titi ndërtoi edhe një mur me hunj me majë përreth qytetit. (Luka 19:43) Kështu u shua çdo shpresë për të ikur dhe lëvizja u kufizua. Uria «bënte kërdinë në njerëzit e çdo shtëpie dhe familjeje». Vazhdimi i betejave çonte në rritjen e viktimave. Pa e ditur se plotësonte profecinë biblike, Titi e pushtoi Jeruzalemin. Pas kësaj, duke vërejtur muret madhështore dhe kullat e fortifikuara, ai thirri: «Nuk ka tjetër, veç Perëndisë, që t’i nxjerrë hebrenjtë jashtë këtyre fortifikimeve.» Mbi një milion hebrenj u zhdukën.—Luka 21:5, 6, 23, 24.
Pas luftës
Pas luftës Jozefi shkoi në Romë. Falë mbrojtjes së Flavianëve, ai jetoi si një qytetar romak në vilën e mëparshme të Vespasianit dhe pranoi një pension perandorak si dhuratë nga Titi. Jozefi vazhdoi pastaj një karrierë letrare.
Është interesante për t’u vërejtur se Jozefi krijoi fjalën e re «teokraci». Duke folur për kombin hebre ai shkroi: «Qeveria jonë . . . mund të quhet teokraci, duke ia atribuar autoritetin dhe fuqinë Perëndisë.»
Jozefi kurrë nuk kërkoi të jetë një i krishterë. Ai nuk shkroi nën frymëzimin e Perëndisë. Megjithatë, kronikat e tij mahnitëse kanë vlerë ndriçuese historike.
[Figura në faqen 31]
Jozefi në muret e Jeruzalemit