BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/7 f. 25-28
  • Si mund të jetë njeriu shëmbëlltyrë e Perëndisë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si mund të jetë njeriu shëmbëlltyrë e Perëndisë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Cilësitë e Jehovait
  • Përpjekjet për të imituar Perëndinë
  • Si mund t’i ngjajmë më shumë Perëndisë sot?
  • Predikimi i lajmit të mirë
  • Të madhërojmë Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • Të çmojmë cilësitë e pakrahasueshme të Perëndisë
    Të kesh vërtet besim—Çelësi për një jetë të lumtur
  • «Perëndia na deshi në këtë mënyrë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Imito Jehovain: Ushtro drejtësinë dhe të drejtën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/7 f. 25-28

Si mund të jetë njeriu shëmbëlltyrë e Perëndisë?

«KËSHTU Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.» Kështu thotë regjistrimi i frymëzuar, por çfarë kuptimi ka ai? Si u krijuan burri dhe gruaja e parë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?​—Zanafilla 1:27.

A ishin ata nga ana fizike si Perëndia? Jo, është e pamundur. Njeriu është një krijesë njerëzore, prej mishi, i caktuar për të jetuar në tokë. Perëndia është frymor dhe jeton në një lavdi të papërfytyrueshme qiellore, së cilës asnjë krijesë njerëzore nuk mund t’i afrohet ndonjëherë. (Të Dalët 33:18-20; 1. Korintasve 15:50) Si u krijua pra njeriu, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë? Në kuptimin që njeriut iu dha aftësia për të ushtruar cilësitë e shquara të Perëndisë​—dashurinë, drejtësinë, mençurinë dhe fuqinë—​si edhe cilësi të tjera.

Cilësitë e Jehovait

Cilësitë e Perëndisë pasqyrohen në të gjithë krijimin e tij, por në mënyrë dramatike ato u paraqitën në marrëdhënien e tij me çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën. (Romakëve 1:20) Dashuria e tij u duk në faktin se ai e krijoi tokën tamam të përshtatshme, që njeriu të jetonte në të. Jehovai krijoi për njeriun një grua të përsosur që të ishte shoqja e tij dhe nëna e fëmijëve të tij. Ai i vendosi të dy në një kopsht të mrekullueshëm dhe u dha me bollëk të gjitha gjërat e nevojshme që të vazhdonin të jetonin dhe të ishin të lumtur. Më e mrekullueshmja nga të gjitha ishte se Perëndia u dha atyre mundësinë për të jetuar përgjithmonë.​—Zanafilla 2:7-9, 15-24.

Mençuria e Perëndisë u duk në provën që i vuri çiftit të parë njerëzor. Që të vazhdonin të ishin anëtarë të familjes së madhe universale të Jehovait dhe të jetonin përgjithmonë si prindër të racës njerëzore, atyre u duhej të ishin shembuj në besnikëri dhe në adhurimin e vërtetë. Kështu, Jehovai u dha atyre mundësinë për të treguar gjendjen e zemrës së tyre nën një provë të përshtatshme​—ata nuk duhej të hanin nga pema e njohjes së të mirës dhe së të keqes. Sa e mençur ishte nga ana e Jehovait që u lejoi njerëzve të tregonin bindjen dhe dashurinë e tyre ndaj tij, përpara se t’u jepte privilegjin e mrekullueshëm që kishte në mendje!

Drejtësia e Perëndisë u duk në faktin se me këmbëngulje u kërkoi krijesave të tij të zbatonin standardet e tij të larta dhe se nuk lejoi të bënte kompromis me to. Ajo u duk në faktin se i dha Adamit dhe Evës çdo mundësi për të bërë atë që ishte e drejtë. Dhe kur ata dështuan ta bëjnë këtë, drejtësia u duk në vendimin e tij që ata të vuanin dënimin e caktuar për rebelim.

Fuqia e Jehovait u duk në zbatimin e vendimit të tij. Satanai, rebeli i madh, hodhi dyshime se Jehovai ishte gënjeshtar dhe i ofroi gjëra të mëdha Evës me kushtin që ajo të mos i bindej Perëndisë. (Zanafilla 3:1-7) Por Satanai nuk ishte i aftë ta mbante premtimin e tij. Ai nuk mund ta ndalonte Jehovain të dëbonte Adamin dhe Evën nga kopshti i Edenit dhe nuk ishte në gjendje të ndalonte plotësimin e fjalëve që Perëndia i tha Adamit: «Sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Megjithatë, Jehovai nuk e zbatoi menjëherë vendimin e vdekjes dhe kështu ai tregoi edhe më tej dashurinë e tij. Ai i la kohë Adamit dhe Evës të lindnin fëmijë, me anë të të cilëve do të realizohej përfundimisht qëllimi i tij fillestar për njerëzimin.​—Zanafilla 1:28.

Së fundi, drejtësia e Jehova Perëndisë, dashuria, fuqia dhe mençuria e tij u mishëruan në premtimin e tij për të siguruar farën që do të shkatërronte veprat e Satanait dhe do të zhdukte rezultatet e mjerueshme që erdhën si pasojë e rebelimit të parë kundër sovranitetit hyjnor. (Zanafilla 3:15) Çfarë Krijuesi të mrekullueshëm që kemi!

Përpjekjet për të imituar Perëndinë

Megjithëse nuk janë më të përsosur, njerëzit akoma mund të shfaqin cilësitë e Perëndisë. Kështu, Pavli i inkurajoi të krishterët e ditëve të tij: «Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur.» (Efesianëve 5:1) Megjithatë, gjatë gjithë historisë, shumica ka treguar një mospërfillje të madhe për cilësitë e Perëndisë. Që nga koha e Noes, njerëzit u bënë kaq të prishur, saqë Jehovai vendosi ta shkatërronte të gjithë njerëzimin përveç Noes dhe familjes së tij. Noeja ishte «një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij» dhe e tregoi dashurinë e tij për Perëndinë duke zbatuar urdhrat e tij. «Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.» (Zanafilla 6:9, 22) Noeja tregoi dashuri për të afërmit dhe për drejtësinë, duke u bërë «një predikues i drejtësisë». (2. Pjetrit 2:5, BR) Ai tregoi mençuri dhe e përdori siç duhet fuqinë e tij fizike duke ndjekur drejtimin e Perëndisë për të ndërtuar një arkë shumë të madhe, në të cilën rezervoi ushqim, mblodhi kafshët dhe hyri në të sipas urdhrit të Jehovait. Ai gjithashtu tregoi dashurinë e tij për drejtësinë duke mos lejuar që fqinjët e tij të ligj ta korruptonin atë.

Bibla përshkruan shumë të tjerë që në mënyrë të ngjashme treguan cilësi hyjnore. Më i shquari ishte Jezu Krishti, i cili ishte shëmbëlltyra e përsosur e Perëndisë dhe kështu mundi të thoshte: «Kush më ka parë mua, ka parë Atin.» (Gjoni 14:9) Midis cilësive që shfaqi Jezui, më e shquara ishte dashuria. Dashuria për Atin e tij dhe për njerëzimin e nxitën atë të linte shtëpinë e tij qiellore dhe të jetonte si një njeri në tokë. Ajo e nxiti atë të lartësonte Atin e tij me sjelljen e tij të drejtë dhe t’i predikonte njerëzimit lajmin e mirë për shpëtim. (Mateu 4:23; Gjoni 13:31) Për më tepër, dashuria e nxiti Jezuin të ofronte jetën e tij të përsosur për shpëtimin e njerëzimit dhe ajo që ishte më e rëndësishmja për të shenjtëruar emrin e Perëndisë. (Gjoni 13:1) Në përpjekje për të imituar Perëndinë, a ekziston ndonjë shembull më i mirë për t’u ndjekur se ai i Jezu Krishtit?​—1. Pjetrit 2:21.

Si mund t’i ngjajmë më shumë Perëndisë sot?

Si mund t’i shfaqim sot cilësitë hyjnore dhe kështu të veprojmë si shëmbëlltyrë e Perëndisë? Mirë, le të konsiderojmë të parën cilësi të dashurisë. Jezui tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» Si mund ta tregojmë dashurinë për Perëndinë? Apostulli Gjon përgjigjet: «Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»​—Mateu 22:37; 1. Gjonit 5:3.

Sigurisht, që të mund t’u bindemi urdhrave Jehovait, ne duhet që t’i njohim ato. Kjo përfshin leximin, studimin dhe meditimin mbi fjalën e Perëndisë, Biblën dhe mbi literaturën biblike. Ashtu si psalmisti ne do të mund të themi: «Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.» (Psalmi 119:97) Ndërsa arsyetojmë thellë e më thellë mbi Fjalën e Perëndisë, do të fitojmë njohuri mbi mënyrën e të menduarit të Perëndisë. Mësojmë të duam drejtësinë dhe të urrejmë paligjshmërinë. (Psalmi 45:7) Kjo ishte pika ku Adami dështoi. Ai e njihte ligjin e Jehovait, por nuk e deshi atë aq sa t’i mbetej besnik. Kur lexojmë Fjalën e Perëndisë vazhdimisht duhet të pyesim veten: «Si aplikohet kjo tek unë? Çfarë mund të bëj që sjellja ime të jetë akoma më shumë në harmoni me cilësitë e Perëndisë?»

Jezui gjithashtu tha: «Duhet të duash të afërmin si veten tënde.» (Mateu 22:39, BR) Çdo njeri normal e do veten dhe dëshiron më të mirën për veten e tij. Kjo nuk është e gabuar. Por a tregojmë të njëjtën dashuri për të afërmit tanë? A e ndjekim urdhrin biblik: «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.»​—Proverbat 3:27; Galatasve 6:10.

Ç’mund të themi për cilësinë e mençurisë? Përpjekja jonë për ta treguar këtë cilësi na drejton në studimin e Biblës, sepse ajo është depozita e mençurisë hyjnore. Psalmi 119:98-100 thotë: «Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.» Në Proverbat 3:18, mençuria është përshkruar si «një pemë e jetës». Nëse fitojmë mençuri dhe e ushtrojmë atë, do të marrim aprovimin e Perëndisë dhe shpërblimin e jetës së përhershme.​—Eklisiastiu 7:12.

Ç’mund të themi në lidhje me drejtësinë? Në këtë botë të ligë, drejtësia është një cilësi jetësore për ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë. Jezui e donte drejtësinë dhe e urrente paligjshmërinë. (Hebrenjve 1:9) Të krishterët sot, veprojnë po kështu. Drejtësia i nxit ata të çmojnë cilësitë e drejta. Ata i shmangen rrugëve të padrejta të kësaj bote dhe e bëjnë kryerjen e vullnetit të Perëndisë si gjënë më të rëndësishme në jetën e tyre.​—1. Gjonit 2:15-17.

Për sa i përket fuqisë, ne të gjithë kemi një masë të saj. Natyrisht kemi fuqi fizike e mendore dhe ndërsa rritemi si të krishterë, zhvillojmë fuqi në kuptimin frymor. Jehovai i shton fuqitë tona me anë të derdhjes së frymës së tij të shenjtë, që ne edhe pse në dukje të dobët, të mund të kryejmë vullnetin e tij. Pavli tha: «Për çdo gjë unë kam fuqi nga virtyti i tij, i cili më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13, BR) E njëjta fuqi do të jetë e arritshme për ne, nëse lutemi për frymën e Jehovait.

Predikimi i lajmit të mirë

Shfaqja nga ana jonë e katër cilësive më kryesore të Perëndisë, shihet mirë në bindjen ndaj urdhrit: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.» (Mateu 28:19, 20) Një vepër e tillë arsimuese u sjell jetën atyre që i përgjigjen. Çfarë shprehje e shkëlqyer e dashurisë për ata që në fillim për ne janë krejt të huaj!

Gjithashtu, ky mësim është drejtimi i mençurisë. Ai sjell fryte të qëndrueshme. Për çfarë vepre tjetër mund të thuhet: «Duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë»? (1. Timoteut 4:16) Nuk ka të humbur në veprën e bërjes së dishepujve. Si ata që dëgjojnë edhe ata që mësojnë, fitojnë bekime të përhershme.

Sa për drejtësinë, të krishterët po u mësojnë parime të drejta studentëve të tyre të Biblës. Ne po i ndihmojmë ata që t’i shërbejnë Jehovait, «Perëndisë së drejtësisë». (Malakia 2:17, BR) Ata që sot e dedikojnë jetën e tyre për t’i shërbyer Jehovait dhe e ndjekin atë me besnikëri, shpallen të drejtë, të justifikuar, duke siguruar kështu mbijetesën në Harmagedon.​—Romakëve 3:24; Jakovit 2:24-26.

Çfarë shprehje e fuqisë është predikimi dhe mësimi i lajmit të mirë në mbarë botën! (Mateu 24:14) Kjo kërkon qëndrueshmëri për të predikuar vazhdimisht në territore ku shumica nuk dëshiron të dëgjojë. Por Jehovai përmes frymës së tij, jep fuqinë e nevojshme për të qëndruar deri në fund.​—Isaia 40:30, 31; Mateu 24:13; Luka 11:13.

Vërtet, si pasardhës të papërsosur të Adamit, ne nuk mund t’i ushtrojmë këto cilësi të shkëlqyera në mënyrë të përsosur. Megjithatë, mos harro, njeriu u bë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe nëse përpiqemi që të jemi gjithnjë e më shumë të ngjashëm me Perëndinë, atëherë ne përmbushim qëllimin e ekzistencës sonë. (Eklisiastiu 12:13) Nëse përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi dhe lutemi për falje kur gabojmë, atëherë mund të shpresojmë të mbijetojmë për në botën e re e të drejtë të Perëndisë, ku përfundimisht mund të arrijmë përsosmërinë. Atëherë, do të jemi në një tokë parajsore të populluar me njerëz të përsosur, ku të gjithë në mënyrë të plotë do të tregojnë cilësitë hyjnore të Jehovait. Çfarë gëzimi! Së fundi, në kuptimin më të plotë të shprehjes, njerëzit do të jenë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.

[Figura në faqen 25]

Jezui na tregoi se si t’i kultivojmë cilësitë hyjnore të Jehovait

[Figura në faqen 26]

Më në fund, njerëzit në kuptimin më të plotë do të jenë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo