A mund të ushtrosh durim?
JEHOVAI i tha Abrahamit: «Largohu nga vendi yt . . . në vendin që do të tregoj; Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd.» (Zanafilla 12:1, 2) Abrahami ishte atëherë 75 vjeç. Ai u bind dhe me zgjuarsi ushtroi durim në pjesën tjetër të jetës, duke shpresuar në Jehovain.
Së fundi, Perëndia i bëri këtë premtim Abrahamit (Abramit) të duruar: «Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë.» Apostulli Pavël shton: «Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.»—Hebrenjve 6:13-15.
Çfarë është durimi? Fjalorët e përcaktojnë atë si aftësinë «për të pritur diçka me qetësi» ose për të manifestuar «vetëpërmbajtje nën provokime apo lodhje mendore». Kështu durimi yt është i vënë në provë kur je duke pritur për diçka apo dikë, ose kur je i provokuar apo në vështirësi. Në situata të tilla, personi i duruar qëndron i qetë; i paduruari, nxitohet dhe acarohet.
Bota jonë moderne e paduruar
Veçanërisht, në shumë zona të qytetit nuk vlerësohet durimi, por nxitimi. Për miliona njerëz, jeta në qytetet e mbushura plot e përplot, fillon çdo ditë me rënien e ziles së alarmit të mëngjesit. Fillon vrapimi i tërbuar—për të shkuar diku, për të takuar dikë, për të përfunduar diçka. A është e çuditshme që shumë janë të tendosur dhe të paduruar?
A shqetësohesh përballë të metave të të tjerëve? «Nuk e duroj dot mungesën e përpikmërisë»,—thotë Alberti. Shumë janë dakort se pritja e dikujt që është i vonuar është e mundimshme, sidomos nëse ke një orar për ta respektuar. Në lidhje me Dukën e Newcastle, politikanit anglez të shekullit të 18-të, është thënë: «Ai humb gjysmë ore në mëngjes dhe mundohet ta arrijë në pjesën tjetër të ditës, por pa qenë në gjendje ta kthejë atë.» Nëse do të vareshe nga një person i tillë ditë pas dite, a do të arrije që ta ruaje durimin?
Kur je duke ngarë një makinë, a inatosesh shpejt, s’ke dëshirë për të pritur, ose je i tunduar për të ecur me shpejtësi tepër të madhe? Në rrethana të tilla, padurimi shpesh shkakton dëme. Gjatë vitit 1989, në atë që atëherë ishte Gjermania Perëndimore, më shumë se 400.000 aksidente rrugore rezultuan në plagosje apo vdekje. Nga këto, 1 në çdo 3 prej tyre u shkaktuan nga ecja shumë e shpejtë ose nga afrimi i tepërt me makinën përpara. Prandaj, në njëfarë mase, padurimi ishte shkaku i plagosjes apo vdekjes së rreth 137.000 personave. Çfarë çmimi paguhet për padurimin!
«E kam të vështirë të kem durim kur dikush më ndërpret gjatë gjithë kohës,—ankohet Eni,—ose kur dikush mburret shumë.» Karl Herman shton se durimi i tij sfidohet nga «të rinjtë që nuk kanë respekt për të moshuarit».
Këto dhe situata të tjera mund të të bëjnë të paduruar. Atëherë si mund të kultivosh më tepër durim?
Jehovai mund të forcojë durimin tënd
Shumë njerëz mendojnë se durimi tregon pavendosmëri apo dobësi. Por për Jehovain është shenjë e forcës. Ai vetë është «i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9) Prandaj, për të forcuar durimin tënd, qëndro afër Jehovait dhe mbështetu me gjithë zemër në të. Forcimi i marrëdhënies me Perëndinë, është hapi më i rëndësishëm për të zhvilluar një prirje durimi.
Përveç kësaj, është e domosdoshme të njohësh qëllimet e Jehovait për tokën dhe njerëzimin. Abrahami «priste qytetin që ka themelet [Mbretërinë e Perëndisë], mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia». (Hebrenjve 11:10) Ngjashëm, do të jetë e dobishme të mbash një shikim të qartë dhe të jesh i gatshëm të shpresosh në Jehovain. Atëherë do të kuptosh se durimi, në vend se të tregojë ngurrim, në fakt i afron të tjerët në adhurimin e vërtetë. Pra, «ki parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit».—2. Pjetrit 3:15.
Çfarë mund të themi nëse rrethanat e tua personale e vënë në provë durimin tënd në mënyrë pothuaj të padurueshme? A të krijojnë jobesimtarët një tension të mërzitshëm? A ke qenë i sëmurë dhe të është dukur se ajo kohë nuk do të mbaronte kurrë? Në raste të tilla, merr për zemër atë që shkroi dishepulli Jakov. Pasi ka përmendur shembullin e durimit të treguar nga profetët, ai zbuloi sekretin e qëndrimit i qetë nën vështirësi. Jakovi tha: «A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!»—Jakovi 5:10, 13.
Në mënyrë të zjarrtë kërkoji Perëndisë në lutje të forcojë durimin tënd dhe të të ndihmojë për të kontrolluar frymën tënde nën prova. Kthehu tek Jehovai herë pas here dhe ai do të të ndihmojë të identifikosh rrethanat apo zakonet e të tjerëve, që paraqesin rrezik të veçantë për qetësinë tënde. Duke u lutur para daljes së situatave të mundshme të vështira, mund të të ndihmojë të qëndrosh i qetë.
Një opinion i drejtë për veten dhe për të tjerët
Për të mbajtur një mendje të qetë, duhet të shikosh veten dhe të tjerët në një mënyrë të drejtë. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet një studimi të Biblës, që tregon se çdo njeri ka trashëguar papërsosmërinë dhe prandaj ka të meta. Për më tepër, njohuria biblike do të të ndihmojë të rritesh në dashuri. Kjo cilësi është e domosdoshme për të manifestuar durim ndaj të tjerëve.—Gjoni 13:34, 35; Romakëve 5:12; Filipianëve 1:9.
Dashuria dhe dëshira e madhe për të falur, mund të të qetësojë kur je i shqetësuar. Nëse dikush ka shprehi që të të ngacmojë nervat, dashuria të kujton se janë shprehitë ato që i gjen të papëlqyeshme dhe jo personi. Mendo se sa herë dobësia jote e vë në provë durimin e Perëndisë dhe duhet të ngacmojë edhe të tjerët.
Një opinion i drejtë për veten do të të ndihmojë, gjithashtu, të presësh me durim. Për shembull, a ke dëshiruar të kesh ndonjë privilegj në shërbimin e Jehovait dhe ke mbetur i zhgënjyer? A e ndien se durimi yt po merr fund, ashtu si kokrrat e fundit të rërës në një orë rëre? Nëse është kështu, atëherë kujto se shpesh padurimi i ka rrënjët në krenarinë. «Më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka një frymë krenar», tha Solomoni. (Eklisiastiu 7:8) Po, krenaria është pengesa më e madhe për të kultivuar durim. A nuk është e vërtetë që personi i përulur e ka më të lehtë për të pritur i qetë? Prandaj, kultivo përulësi dhe do të jesh më në gjendje të pranosh një vonesë, me paqe mendore.—Proverbat 15:33.
Durimi ofron një shpërblim të pasur
Abrahami është i njohur mbi të gjitha për besimin e tij. (Romakëve 4:11) Por, durimi e bënte besimin e tij të qëndrueshëm. Cili ishte shpërblimi i tij për shpresën në Jehovain?
Abrahamit iu dhurua një besim i madh nga Jehovai. Emri i Abrahamit kështu u bë i madh dhe pasardhësit e tij një komb i fuqishëm. Të gjitha kombet e tokës mund të bekohen nëpërmjet farës së tij. Abrahami shërbeu si një zëdhënës i Perëndisë dhe madje e përfaqësoi në mënyrë tipike Krijuesin. A mund të kishte ndonjë shpërblim më të madh për besimin dhe durimin e Abrahamit?
«Zoti është plot mëshirë e dhembshuri» ndaj të krishterëve që me durim qëndrojnë në prova. (Jakovi 5:10, 11) Individë të tillë gëzojnë një ndërgjegje të pastër, sepse bëjnë vullnetin e tij. Në rastin tënd atëherë, nëse shpreson në Jehovain dhe me durim qëndron në prova, durimi yt do të rezultojë në aprovimin dhe bekimin e Jehovait.
Durimi i shërben popullit të Jehovait në çdo aspekt të jetës. Dy shërbëtorët e Jehovait, Kristiani dhe Anjeza, e zbuluan këtë kur vendosën të fejoheshin. Për shkak të respektit ndaj prindërve të Kristianit, të cilët kishin nevojë për kohë për të njohur Anjezën, ata vendosën ta shtynin fejesën. Çfarë efekti pati ky gjest?
«Vetëm më vonë e kuptuam se sa i rëndësishëm ishte durimi ynë ndaj prindërve tanë,—shpjegon Kristiani.—Pritja jonë e durueshme nuk i vrau marrëdhëniet midis gruas sime dhe meje. Por, ajo ishte hapi i parë ndërtues në marrëdhëniet tona me prindërit e mi.» Po, durimi shpërblehet.
Durimi gjithashtu përkrah paqen. Familja dhe shokët do të jenë mirënjohës nëse ti nuk e bën objekt diskutimi çdo gabim të tyre. Qetësia dhe kuptueshmëria jote kur të tjerët bëjnë gabime, do të parandalojë skenat turbulluese. Një proverb kinez thotë: «Durimi në një moment zemërimi do të kursejë njëqind ditë ankthi.»
Në të vërtetë, durimi e ngre personalitetin tënd, duke i lyer cilësitë e tjera me një lustër qëndrueshmërie. Ajo e bën besimin tënd të qëndrueshëm, paqen tënde të gjatë dhe dashurinë tënde të patundshme. Durimi do të të ndihmojë të jesh i lumtur, ndërsa praktikon dashamirësinë, mirësinë dhe butësinë. Ushtrimi i durimit, ndërton forcën që është esenciale për kultivimin e shpirtmadhësisë dhe vetëkontrollit.
Duke pritur me durim përmbushjen e premtimeve të Jehovait, atëherë edhe ti do të jesh i sigurt për një të ardhme të mrekullueshme. Si Abrahami, «nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgo premtimet».—Hebrenjve 6:12.
[Figura në faqen 23]
Një marrëdhënie e afërt me Jehovain do të të ndihmojë të kesh durim, si edhe Abrahami