Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Tailanda
«VENDI i lirisë». Ky është kuptimi i emrit Tailandë. Midis më shumë se 57.000.000 banorëve të butë dhe shumë punëtorë ekzistojnë ide të ndryshme fetare. Edhe pse mbizotëron budizmi, në këtë vend juglindor të Azisë praktikohen edhe fetë e të ashtuquajturit krishterim. Të gjithë këta njerëz kanë nevojë për të dëgjuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 24:14.a
Refugjatët dëgjojnë lajmin e mirë
Në fushat e shpërndara anembanë kodrave të Tailandës, përgjatë kufirit me Mainmarin, e vërteta biblike po përparon midis më shumë se 10.000 refugjatëve karenas. Pjesëtarët e një familjeje karenase që banon në atë zonë janë Dëshmitarë të Jehovait. Ata e kanë shpërndarë lajmin e mirë midis refugjatëve. Po, si filloi kjo punë?
Disa vite më parë, një i ri i preu lidhjet e tij me Kishën Anglikane dhe u bë një Dëshmitar i Jehovait. Të nxitur nga priftërinjtë e tyre, të afërmit e tij e kundërshtuan. Megjithatë, ai vazhdoi me durim dhe kundërshtimi i familjes së tij dalëngadalë u zbut. Klerikët e Kishës Anglikane i vazhduan talljet e tyre deri para dy vjetëve, kur ata u përjashtuan prej zyrave të tyre për sjellje të pamoralshme. Pasi në atë kohë kisha mbeti pa bari, rrethi i ngushtë familjar dhe të afërmit e Dëshmitarit u tronditën dhe mbetën të pandihmë. Njëmbëdhjetë prej tyre u larguan nga kisha dhe u kërkuan Dëshmitarëve të studionin Biblën me ta.
Ai studim vazhdoi më së miri, me pjesëmarrjen e refugjatëve të tjerë. E vërteta u përhap me shpejtësi dhe solli si rezultat pagëzimin e 17 Dëshmitarëve të rinj në lumin që rrjedh pranë kampit të refugjatëve. Sa pamje e bukur ishte kur një gjyshe 88-vjeçare u zhyt bashkë me ta!
Videoja shkakton interes
Potenciali i rritjes është i madh midis refugjatëve. Në Përkujtimin e 1993-shit ishin të pranishëm 57 veta. Gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor në maj të atij viti, në fjalimin që mbajti ai u mblodhën 67 veta. Dhe gati 250 të tjerë u mblodhën për të parë videon e Shoqatës Watchtower Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit.
Gruaja e një bariu baptist në kampin e refugjatëve mori pjesë në një fjalim publik mbi Biblën, të organizuar nga Dëshmitarët dhe mori shënim tekstet biblike që u trajtuan. Ajo i tha të shoqit se sa e pakënaqur ishte me predikimet monotone që dëgjonte në kishën e tyre. Ai iu përgjigj, duke i thënë që nëse ajo do të shkonte në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, të gjithë anëtarët e tjerë të famullisë do të ndiqnin atë. Kur ajo shkoi përsëri në mbledhje, burri e ndoqi me thikë dhe dogji shënimet që ajo kishte mbajtur në mbledhje dhe literaturën biblike. Megjithatë, kur u shfaq videoja, ajo shkoi sërish. Më vonë, kjo grua i tregoi të shoqit se çfarë kishte parë. Me një qëndrim krejt të ndryshëm, ai dëshiroi të shihte videon dhe i erdhi keq që kishte djegur shënimet e saj dhe literaturën biblike.
Në këtë mënyrë njerëzit po e dëgjojnë lajmin e mirë në Tailandë. Në këtë mënyrë, ata po fitojnë liri frymore në «vendin e lirisë».—Gjoni 8:32.
[Shënimi]
a Për më tepër informacion shiko Kalendari i Dëshmitarëve të Jehovait, 1994 (angl).
[Kutia në faqen 24]
STATISTIKA E VENDIT—Viti i shërbimit 1993
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 1.434
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 40.299 banorë
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 3.342
MESATARJA E PIONIERËVE: 232
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 1.489
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 92
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 39
ZYRA E DEGËS: BANGKOK
[Figura në faqen 25]
Lajmëtarët e Mbretërisë duke predikuar me zell lajmin e mirë
[Figura në faqen 25]
Zyra e parë e degës, 1947
[Figura në faqen 25]
Familja Bethel përballë zyrës së re të degës në Bangkok, e dedikuar më 8 shkurt 1992