Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Perëndia nuk është i anshëm
MBI 1.900 vjet më parë, apostulli Pjetër i dha dëshmi kapitenit romak Kornelit, duke i thënë: «Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35). Korneli manifestoi frikë ndaj Perëndisë dhe dashuri për drejtësinë. Ai e pranoi dëshminë e dhënë nga Pjetri dhe u bë një i krishterë.
I njëjti parim vlen sot—Perëndia nuk është i anshëm. Këtë e tregon edhe një përvojë nga Gjermania. Raporti thotë:
«Në territorin e kongregacionit tonë, gjendet një kazermë e madhe e ushtrisë ruse. Në vitin 1989, pak pasi ra Muri i Berlinit, pleqtë pyetën nëse ndonjë lajmëtar e njihte gjuhën ruse. Disa nga ne e njihnin, kështu shkuam në këtë territor në të cilin provuam një gëzim të madh. Kjo që vijon është një nga përvojat e shumta.
Isha me një lajmëtar të papagëzuar (i cili më vonë u pagëzua) kur i folëm një komandanti. Ai pasi na dëgjoi, na ftoi t’u flisnim ushtarëve të tij. Ai tha se ata duhej të dëgjonin për Perëndinë dhe për Biblën, kështu lamë një takim për t’u kthyer.
I kërkuam një motre e cila e fliste rusishten rrjedhshëm të vinte me ne si përkthyese. Në sallën e kazermës vendosëm një tavolinë literature dhe folëm me 68 ushtarë e iu përgjigjëm pyetjeve të tyre. Pastaj ata me gëzim pranuan 35 libra dhe afro 100 revista. Ndërsa po largoheshim nga salla, pamë grupe të mëdha që po diskutonin rreth literaturës.
Lamë një takim për t’u rikthyer në 4 korrik 1992. Arritëm në orën 10:50 dhe roja që ishte tek porta na tregoi që ushtarët po na pritnin. Një major na shoqëroi për në sallë dhe atje gjetëm një zonjë, e cila më parë kishte marrë nga ne literaturë për bibliotekën dhe kishte lajmëruar për ardhjen tonë me afishet e vendosura nëpër kazerma. Tre vëllezërit mbajtën fjalime të shkurtra rreth veprës sonë ndërkombëtare dhe shpjeguan se përse mund të kemi besim tek Bibla. Pastaj iu përgjigjëm nga Bibla pyetjeve nga auditori. Njëra nga pyetjet ishte: Cila është pozita e Dëshmitarëve të Jehovait mbi shërbimin ushtarak dhe se a është ndonjë prej tyre ushtar? Kësaj iu përgjigj lajmëtari i papagëzuar, i cili më kishte shoqëruar më parë, në një rast ku përshkroi karrierën e tij 25-vjeçare, vitet e fundit si një kapiten i forcave ajrore në ushtrinë e Gjermanisë Lindore. Shpjegoi se si kishte njohur Perëndinë dhe Biblën dhe tani dëshironte të bëhej një Dëshmitar i Jehovait. Ushtarët ishin të emocionuar nga ajo që dëgjuan. Brenda shtatë minutave, e gjithë literatura që kishim sjellë ishte në duart e ushtarëve dhe shumë prej tyre kërkonin Bibla. Në një librari mundëm të merrnim shtatë Bibla në gjuhën ruse, të cilat ata i vlerësuan shumë. Ishte një gëzim i madh t’u jepje informata biblike këtyre burrave të uritur frymësisht dhe ne shpresojmë se ata do të veprojnë sipas tyre.»
Me të vërtetë, Perëndia nuk është i anshëm. Nëpërmjet Fjalës së Tij, ai thërret persona të sinqertë, cilindo dhe kudo që të jetë. Ai i fton ata të mësojnë mbi të dhe mbi Birin e tij, Jezu Krishtin, gjë që njerëz të çdo lloji janë duke e bërë.—Gjoni 17:3.