Të lumtur në një vëllazëri të vërtetë ndërkombëtare
TREGUAR NGA UILL DEVIS
Në vitin 1934 një krizë e madhe po mbërthente botën dhe Shtetet e Bashkuara ishin nën kërcënimin e një trazire ekonomike. Përpara qendrës së ndihmave për të papunët, në Kleveland të Ohios, po zhvillohej një përleshje midis një polici dhe një komunisti të zjarrtë. Polici qëlloi dhe vrau komunistin si dhe një grua që po kalonte në atë moment, gjyshen time Vinie Uilliams.
KOMUNISTËT u përpoqën ta transformonin këtë vdekje në një incident racial, pasi gjyshja ime ishte e zezë dhe polici i bardhë. Ata shpërndanë letra të shkruara me tituj si «Policia raciste e Klevelandit» dhe «Hakmerruni për këta të vrarë». Komunistët organizuan dhe u kujdesën për funeralin e gjyshes time. Unë kam një fotografi të atyre që mbajtën arkivolin—të gjithë të bardhë dhe anëtarë të partisë komuniste. Secili ka një grusht të shtrënguar të ngritur lart, mënyrë që më vonë u adoptua si simbol i Fuqisë së Zezë.
Kur vdiq gjyshja ime, e bija ishte shtatzënë dhe katër muaj më vonë linda unë. U rrita me një të metë në të folur. Unë nuk mund të flisja pa belbëzuar, kështu, në vitet e para të shkollës iu nënshtrova terapisë së të folurit.
Prindërit e mi u ndanë kur isha pesë vjeç dhe mua e motrën time më të madhe na rriti nëna. Kur isha dhjetë vjeç, fillova të shisja sende ushqimore pas mësimit për të ndihmuar familjen. Dy vjet më vonë fillova të punoja para dhe mbas mësimit, duke u bërë mbështetja kryesore për familjen. Kur nëna u shtrua në spital dhe i duhej të bënte disa operacione, e lashë shkollën dhe fillova të punoja gjithë ditën.
U përfshiva në një vëllazëri
Në vitin 1944, një Dëshmitar i Jehovait, i la gruas së një kushëririt tim librin «E vërteta do të të lirojë» dhe unë fillova të merrja pjesë në studimin e Biblës që kish filluar me të. Po atë vit, fillova të ndjek Shkollën e Shërbimit Teokratik në kongregacionin Eastside. Mbikëqyrësi i shkollës, Albert Kradok, kishte të njëjtin problem në të folur si edhe unë, por kishte mësuar që ta kontrollonte atë. Sa inkurajues ishte ai për mua!
Lagjja jonë ishte e populluar në një masë të madhe nga italianë, polakë, hungarezë, hebrej dhe kongregacioni ynë përbëhej nga njerëz të këtyre kombësive si dhe të grupeve të tjera etnike. Unë dhe gruaja e kushëririt tim, ishim ndër të parët afro-amerikanë, që shoqëroheshim me personat e këtij kongregacioni, që ndryshe nga ne ishin të bardhë. Por Dëshmitarët e Jehovait kurrë nuk treguan paragjykime raciale ndaj nesh. Në fakt, ata më ftonin rregullisht si mysafir në shtëpitë e tyre për drekë ose për darkë.
Në vitin 1956, u transferova në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, për të shërbyer atje ku nevoja për shërbëtorë ishte më e madhe. Kur një pranverë u ktheva në Ohio, për të marrë pjesë në Kongresin Krahinor, shumë nga vëllezërit në Kleveland erdhën të më takonin dhe shprehën interes të ngrohtë për aktivitetet e mia. Përkujdesja e tyre më dha një mësim jetësor: Ki gjithmonë «parasysh, jo vetëm interesin personal në lidhje me çështjet e tua, por edhe interesin personal të të tjerëve».—Filipianëve 2:4, BR.
Impenjim më i madh në shërbimin e plotë kohor
Pas shërbimit prej tre vjetësh në veprën e predikimit të plotë kohor si pionier, në nëntor të 1959-ës, u ftova për të punuar në Bethel në Bruklin, qendra botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në New York. U caktova për të punuar në Repartin e Transportit. Mbikëqyrësi i repartit, Klaus Xhensen dhe shoku im i dhomës, Uilliam Hanan, të dy të bardhë, u bënë baballarët e mi në kuptim frymor. Kur unë fillova punën në Bethel, ata kishin pothuajse 40 vjet që punonin atje.
Në fillim të viteve ’60, familja Bethel kishte gati 600 anëtarë, ku rreth 20 prej të cilëve ishin afro-amerikanë. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara zienin nga grindjet raciale dhe marrëdhëniet midis racave ishin mjaft të tendosura. Megjithatë, Bibla mëson se «Perëndia nuk është i anshëm», dhe as ne nuk duhet të jemi. (Veprat 10:34, 35, BR) Shqyrtimi frymor që bëhej në tavolinën e Bethelit, çdo mëngjes, shërbeu për të forcuar vendosmërinë tonë për të pranur pikëpamjen e Perëndisë mbi çështje të tilla.—Psalmi 19:7.
Ndërsa shërbeja në Bethel, në Bruklin, takova Lois Rufin, një pioniere nga Riçmond Virxhinia me të cilën u martova në vitin 1964. Ishim të vendosur që të mos e linim shërbimin e plotë kohor, prandaj pas dasmës u rikthyem në jug të Shteteve të Bashkuara. Në fillim shërbyem si pionierë specialë dhe pastaj në 1965-ën, unë u ftova për të shërbyer në veprën qarkore. Për dhjetë vjet me radhë, vizituam kongregacionet e shteteve Kentuku, Teksas, Louziana, Alabama, Gjeorgji, Karolina e Veriut dhe Misisipi.
Vëllazëria jonë vihet në provë
Ato ishin vitet e ndryshimeve të mëdha. Përpara transferimit tonë në jug, racat u ndanë. Zezakëve iu ndalua me ligj që të shkonin në të njëjtat shkolla, të hanin në të njëjtat restorante, të flinin në të njëjtat hotele, të blinin në të njëjtat dyqane me të bardhët dhe madje të pinin në të njëjtat çezma me të bardhët. Por në 1964-ën, Kongresi i Shteteve të Bashkuara aprovoi dekretin mbi të drejtat civile, i cili ndalonte diskriminimin në vendet publike duke përfshirë dhe mjetet e transportit. Kështu, nuk kishte më ndonjë bazë ligjore për ndarje raciale.
Para së gjithash lindi pyetja: A do të bashkoheshin dhe a do të tregonin dashuri dhe dhembshuri për njëri- tjetrin motrat dhe vëllezërit në kongregacionet e përbëra kryesisht nga të zinj apo të bardhë, apo do të ndikoheshin nga presionet e bashkësisë dhe ndjenjat e rrënjosura nga e kaluara për t’i rezistuar integrimit? Ishte një sfidë që të merrje në zemër urdhrin e Biblës: «Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.»—Romakëve 12:10.
Për aq kohë sa dikush mund të mbajë mend, opinioni mbizotërues, veçanërisht në jug, ka qenë se zezakët janë inferiorë. Ky koncept ka qenë ngulitur thellë në mendjet e njerëzve, pothuajse në çdo sektor të shoqërisë duke përfshirë edhe kishën. Prandaj, nuk ishte e lehtë për disa të bardhë që t’i konsideronin të zinjtë të barabartë me veten. Qe me të vërtetë një kohë prove për vëllazërinë tonë, si për të bardhët ashtu dhe për të zinjtë.
Lumturisht, pati një reagim të mrekullueshëm ndaj integrimit në kongregacionet tona. Sigurisht, ngulitja në mënyrë të kujdesshme për shekuj me radhë e doktrinave në lidhje me dallimin racial, nuk u fshi menjëherë. Megjithatë, kur integrimi filloi, ai u pranua mjaft mirë nga vëllezërit tanë, shumica e të cilëve u gëzuan që mundën të takoheshin së bashku.
Është interesante, pasi edhe ata që nuk ishin Dëshmitarë, shpesh herë vepruan në bahkëpunim me integritetin e kongregacioneve tona. Për shembull, në Lanet, Alabama, fqinjët pranë Sallës së Mbretërisë, u pyetën nëse ishin kundër asaj që zezakët të vinin në mbledhje. Një zonjë e moshuar e bardhë, kapi dorën e një vëllai të zi duke thënë: «Ju ejani në fqinjësinë tonë dhe adhuroni Perëndinë tuaj si ju pëlqen!»
Vëllezërit besnikë në Etiopi
Në vitin 1974, ishim të gëzuar të merrnim pjesë për pesë muaj e gjysmë në shkollën Biblike të Galaadit, në qytetin e Nju Jorkut, për përgatitjen si misionarë. Pas kësaj u caktuam në vendin afrikan të Etiopisë. Perandori Haile Selasie, sapo ishte rrëzuar dhe mbahej në arrest shtëpie. Pasi vepra jonë e predikimit në këtë vend ishte e ndaluar, ne çmuam afërsinë e ngrohtë të vëllazërisë sonë të krishtere.
Jetuam dhe shërbyem me shumë nga ata që më vonë u burgosën për shkak të besnikërisë së tyre ndaj adhurimit të vërtetë. Disa nga miqtë tanë të dashur madje edhe u ekzekutuan. Adera Teshome ishte plak bashkë me mua në një kongregacion të kryeqytetit të Etiopisë, Adis Abeba.a Pas tre vjetësh në burg, ai u ekzekutua. Natyrisht, gruaja e tij ishte mjaft e pikëlluar. Por çfarë kënaqësie ishte ta shihje vite më vonë tek rrezatonte gëzim, ndërsa shërbente si pioniere!
Jorku Abebe, një tjetër vëlla besnik, u dënua me vdekje tetë herë.* Por ai kurrë nuk u frikësua! Kur e pashë për herë të fundit, më tregoi veshët e tij që rojet e burgut ia kishin bërë copë-copë me qytat e pushkëve. Duke bërë shaka më tha se kishte qyta pushke për mëngjes, drekë dhe darkë. Megjithëse ka kohë që ka vdekur, ai akoma kujtohet me dashuri nga vëllezërit.
Hailu Jemeru është një tjetër vëlla që e kujtoj me dashuri.* Ai tregoi dashuri shembullore për gruan e tij. Ajo u arrestua, por pasi ishte shtatzënë dhe së shpejti mund të lindte, Hailu u kërkoi autoriteteve të burgut, nëse mund të futej ai në burg në vend të saj. Më vonë, pasi nuk e kompromentoi besimin e tij, u ekzekutua.—Gjoni 15:12, 13; Efesianëve 5:28.
Për shkak të situatës së keqësuar politike në Etiopi, në vitin 1976 u transferuam në Kenia. Për shtatë vjet shërbyem në veprën e udhëtimit duke vizituar vëllezërit në shumë vende të Afrikës Lindore duke përfshirë Kenian, Etiopinë, Sudanin, Seçeles, Ugandën dhe Tanzaninë. Gjithashtu, më ra rasti që të udhëtoja disa herë në Burundi dhe Ruanda, si pjesëtar i një delegacioni, i cili ishte ngarkuar për të biseduar me nëpunësit e qeverisë në lidhje me njohjen ligjore të veprës sonë në këto vende
Ishte një kënaqësi kthimi në Etiopi në janar të vitit 1992, për të ndjekur kongresin e parë krahinor, pas heqjes së ndalimit të veprës në atë vend. Pjesa më e madhe e të pranishmëve që ishin më shumë se 7.000 vetë, nuk e njihnin njëri-tjetrin, pasi më parë vëllezërit takoheshin vetëm në grupe të vogla. Secilën ditë të kongresit, shumica ishin prezent dy orë përpara fillimit të programit dhe qëndronin deri vonë në mbrëmje, duke gëzuar vëllazërinë tonë të dashur.
Shuhet armiqësia midis fiseve
Për shekuj me rradhë, armiqësia midis fiseve ka qenë e pandalshme në Afrikë. Për shembull, në Burundi dhe Ruanda, grupet kryesore etnike, Hutu dhe Tutsi, prej kohësh e urrenin njëri-tjetrin. Pasi fituan pavarësinë nga Belgjika në 1962-shin, këto dy fise në mënyrë të vazhdueshme kanë luftuar duke derdhur gjakun e mijëra anëtarëve të grupeve të tyre. Prandaj, çfarë kënaqësie është të shohësh anëtarët e këtyre grupeve etnike, që janë bërë Dëshmitarë të Jehovait dhe që punojnë së bashku në paqe! Dashuria e vërtetë që tregojnë për njëri-tjetrin, ka inkurajuar shumë të tjerë që të dëgjojnë të vërtetat e Biblës.
Ndërkohë, grupet etnike në Kenia shpesh kanë mosmarrëveshjet e tyre. Por çfarë kontrasti është me vëllazërinë e krishterë të popullit të Jehovait në Kenia! Ju mund të shihni njerëz të grupeve të ndryshme etnike në Kenia, duke adhuruar Perëndinë të bashkuar në Sallën e Mbretërisë. Ishte një kënaqësi për mua të shihja shumë prej këtyre personave të flaknin urrejtjet e tyre fisnore dhe të tregonin dashuri të vërtetë për motrat dhe vëllezërit e tyre prej grupeve të tjera etnike.
Të lumtur për vëllazërinë tonë
Ndërsa sjell ndër mend mbi 50 vite të shoqërisë me organizatën e Perëndisë, mirënjohja për Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krisht, më mbush zemrën. Është me të vërtetë e mrekullueshme të shohësh se çfarë kanë sjellë ata mbi tokë! Jo gjithmonë kushtet midis shërbëtorëve të Perëndisë kanë qenë të përsosura, ato nuk janë të tilla as sot. Por, nuk mund të pritej që mësimet raciste, të përhapura nga bota e Satanait gjatë qindra viteve, të mund të zhdukeshin brenda pak ditëve. Mbi të gjitha, akoma jemi të papërsosur.—Psalmi 51:5.
Ndërsa krahasoj organizatën e Jehovait me botën, zemra më mbushet me çmueshmëri për vëllazërinë tonë të vërtetë ndërkombëtare. Akoma kujtoj me dashuri ata vëllezër në Kleveland, të gjithë të bardhë, që më edukuan në të vërtetën. Dhe çfarë gëzimi ndieva kur pashë vëllezërit tanë në Jug të Shteteve të Bashkuara, zezakë e të bardhë së bashku, të zëvendësojnë paragjykimet e tyre me dashurinë e përzemërt vëllazërore. Më pas, duke shkuar në Afrikë, ndërsa pashë me sytë e mi se si Fjala e Jehovait mund të zhdukte urrejtjet midis fiseve, e çmova edhe më shumë vëllazërinë tonë ndërkombëtare.
Në të vërtetë, mbreti i lashtë David, e shprehu mirë këtë kur tha: «Shiko! Sa mirë dhe sa e këndshme është për vëllezërit të jetojnë së bashku në unitet!»—Psalmi 133:1, BR.
[Shënimi]
a Fotografia e Adera Teshomes dhe Hailu Jemerusë paraqitet në faqen 177 të Librit Vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1992; përvoja e Jorku Abebes tregohet në faqet 178—181.
[Figura në faqen 23]
Funerali i gjyshes time
[Figura në faqen 24]
Dëshmitarët e fiseve Tutsi dhe Hutu, punojnë së bashku në paqe
[Figura në faqen 25]
Me gruan time, Lois