Shërbëtorët e Perëndisë—Një popull i organizuar dhe i lumtur
«I lumtur është populli, Perëndi i të cilit është Jehovai!»—PSALMI 144:15, BR.
1, 2. (a) Përse Jehovai ka të drejtë të vendosë standarde për shërbëtorët e tij? (b) Cilat janë dy karakteristikat e Jehovait që ne në mënyrë të veçantë duhet të imitojmë?
JEHOVAI është Sovrani universal, Perëndia i gjithëfuqishëm, Krijuesi. (Zanafilla 1:1; Psalmi 100:3) Si i tillë, ai ka të drejtë të vendosë standardet e sjelljes për shërbëtorët e tij, pasi e di se çfarë është më e mirë për ta. (Psalmi 143:8) Ai është shembulli i tyre kryesor, cilësitë e të cilit ata duhet të imitojnë. «Bëhuni pra imitues të Perëndisë si bij shumë të dashur»,—shkroi një apostull.—Efesianëve 5:1.
2 Një karakteristikë e Perëndisë që ne duhet të imitojmë ka të bëjë me organizimin. Ai ‘nuk është një Perëndi i çrregullimit’. (1. Korintasve 14:33, BR) Kur vërejmë me vëmendje atë që Perëndia ka krijuar, nxitemi të dalim në përfundimin se ai është Personazhi më i organizuar në univers. Megjithatë, një karakteristikë tjetër e tij, që Perëndia ka dëshirë të imitohet nga shërbëtorët e vet është lumturia, sepse ai është «Perëndia i lumtur». (1. Timoteut 1:11, BR) Kështu, aftësia e tij organizative ekuilibrohet nga lumturia. Asnjëra prej tyre nuk ekzagjerohet deri në atë pikë sa të dëmtojë një tjetër.
3. Si e tregojnë qiejt me yje aftësinë e Perëndisë për të organizuar?
3 Gjithçka që Jehovai ka bërë, që nga më e vogla deri tek më e madhja dëshmon se ai është një Perëndi i organizimit. Shqyrto, për shembull, universin e dukshëm. Ai përmban mijëra miliardë yje. Dhe këta nuk janë të shpërndarë andej-këndej nga rastësia. Astrofizikani Xhorxh Grinstein vëren se «organizimi i yjeve ndjek një kriter të çmuar». Ata organizohen në grupe të quajtura galaktika, disa prej të cilave përmbajnë qindra miliardë yje. Llogaritet se ka miliarda galaktika! Edhe galaktikat janë të organizuara: një numër i tyre (nga disa në disa mijëra) janë të grupuara së bashku në grumbuj galaktikash. Grumbujt e galaktikave mendohet të jenë organizuar në bashkësi edhe më të mëdha të quajtura supergrumbuj.—Psalmi 19:1; Isaia 40:25, 26.
4, 5. Jep shembuj organizimi mes qenieve të gjalla në tokë.
4 Organizimi i mrekullueshëm i krijimit të Perëndisë duket kudo, jo vetëm në qiejt e dukshëm, por edhe në tokë ku gjenden një mori qeniesh të gjalla. Prandaj, Paul Devis, një profesor fizike, shkroi se hulumtuesit janë «pushtuar nga frika» për shkak të «organizimit të ndërlikuar dhe madhështor të botës fizike».—Psalmi 104:24.
5 Le të shqyrtojmë disa shembuj të «organizimit të ndërlikuar» në qeniet e gjalla. Neurokirurgu Jozef Evans thotë për trurin njerëzor dhe palcën e kurrizit: «Realiteti i rregullit të madh është gati i jashtëzakonshëm.» Bakteriologu H. J. Shonesi deklaroi për qelizën e gjallë mikroskopike: «Kompleksiteti dhe rregulli i mrekullueshëm i botës mikroskopike janë ndërtuar në mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë duket se janë pjesë e një sistemi me origjinë hyjnore.» Biologu molekular, Majkëll Denton, thotë për kodin gjenetik (ADN) brenda qelizës: «Është kaq i aftë sa i gjithë informacioni . . . i nevojshëm për të përcaktuar strukturën e të gjitha llojeve të organizmave që kanë ekzistuar në planet . . . mund të mbahet në një lugë kafeje dhe akoma do të kishte vend për gjithë informacionin që përmbahet në librat që janë shkruar.»—Psalmi 139:16.
6, 7. Çfarë organizimi ekziston mes krijesave frymore dhe si e shprehin ata çmueshmërinë për Krijuesin e tyre?
6 Jehovai nuk organizon vetëm krijesat e tij materiale, por edhe krijesat e tij frymore në qiell. Nga Danieli 7:10 kuptojmë se ‘dhjetëmijë herë dhjetëmijë engjëj qëndronin para Jehovait’. (BR) Qindra milionë krijesa të fuqishme frymore të pranishme, secila me një punë të caktuar! Është marramendëse të mendosh aftësitë që duhen për të organizuar këtë numër kaq të madh. Në mënyrë të përshtatshme, Bibla deklaron: «Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij [engjëllore], ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.»—Psalmi 103:20, 21; Zbulesa 5:11.
7 Ç’mënyrë e shkëlqyeshme dhe e efektshme është organizimi i veprave të Krijuesit! Nuk është për t’u habitur se krijesat e fuqishme frymore në mbretërinë qiellore deklarojnë me një frymë nderimi dhe nënshtrimi: «Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11.
8. Cilët shembuj tregojnë se Jehovai i organizon shërbëtorët e tij në tokë?
8 Jehovai organizon edhe shërbëtorët e tij në tokë. Në vitin 2370 p.e.s., kur ai shkaktoi përmbytjen në ditët e Noes, që me shtatë të tjerë mbijetuan nga përmbytja si një organizatë familjare. Në Eksodin e vitit 1513 p.e.s., Jehovai liroi nga skllavëria e Egjiptit disa milionë njerëz nga populli i tij dhe u dha atyre një kod të hollësishëm ligjesh për të organizuar adhurimin dhe çështjet e tyre të përditshme. Më vonë, kur kishin arritur në tokën e premtuar, dhjetëra mijëra prej tyre u organizuan për shërbim të shenjtë në tempull. (1. Kronikat 23:4, 5) Në shekullin e parë, kongregacionet e krishtere ishin organizuar nën udhëheqjen hyjnore: «Ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit.»—Efesianëve 4:11, 12.
Edhe shërbëtorët e ditëve moderne janë të organizuar
9, 10. Si e ka organizuar Jehovai popullin e tij në këtë kohë?
9 Ngjashëm, Jehovai i ka organizuar shërbëtorët e tij në ditët moderne, në mënyrë të tillë që ta bëjnë me efektshmëri veprën e tij për ditët tona: predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së tij para se t’i japë fund këtij sistemi të pafe gjërash. (Mateu 24:14) Shqyrto se çfarë përfshihet në këtë vepër botërore dhe sa i rëndësishëm është një organizim i mirë. Miliona burra, gra e fëmijë po përgatiten për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike. Për të lehtësuar këtë përgatitje, shtypen sasi shumë të mëdha Biblash dhe botimesh të bazuara në Bibël. Ja përse çdo botim i Kullës së Rojës tani botohet në më shumë se 16 milionë kopje në më shumë se 120 gjuhë dhe Zgjohuni! rreth 13 milionë kopje në 73 gjuhë. Gati që gjitha botimet shtypen njëkohësisht që të gjithë Dëshmitarët e Jehovait praktikisht të marrin të njëjtin informacion në të njëjtën kohë.
10 Përveç kësaj, më shumë se 73.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën janë të organizuar që të takohen rregullisht për të marrë mësime biblike. (Hebrenjve 10:24, 25) Gjithashtu, çdo vit mbahen edhe mijëra mbledhje më të mëdha—asambletë qarkore dhe kongreset krahinore. Në të gjithë botën është vënë në veprim një program ndërtimi dhe ristrukturimi për Sallat e Mbretërisë, Sallat e Asambleve, shtëpitë Bethel dhe pajisjet për shtypjen e literaturës biblike. Ka shkolla për stërvitjen e mëtejshme të mësuesve biblikë, si Shkolla Watchtower e Galaadit për përgatitjen e misionarëve dhe Shkolla e Shërbimit për Pionier, që mbahen në vende të ndryshme të globit.
11. Ç’e ardhme e mirë do të vijë, duke mësuar që tani organizimin e mirë?
11 Sa mirë e ka organizuar Jehovai popullin e tij në tokë për ta ‘kryer shërbimin e tyre në mënyrë të plotë’, të ndihmuar nga engjëjt e tij shërbëtorë! (2. Timoteut 4:5; Hebrenjve 1:13, 14; Zbulesa 14:6) Duke u mësuar që tani shërbëtorëve të tij parimet e një organizimi të mirë, Perëndia po plotëson edhe diçka tjetër. Shërbëtorët e tij janë të përgatitur mirë, që kur të mbijetojnë fundin e këtij sistemi gjërash, të jenë të organizuar për të filluar jetën në një botë të re. Kështu, në mënyrë të organizuar nën udhëheqjen e Jehovait, ata do të fillojnë të ndërtojnë parajsën botërore. Gjithashtu, do të jenë të përgatitur mirë për t’u mësuar kërkesat e hollësishme të Perëndisë për jetën miliarda njerëzve të ringjallur nga vdekja.—Isaia 11:9; 54:13; Veprat 24:15; Zbulesa 20:12, 13.
Të organizuar por të lumtur
12, 13. Përse mund të themi që Jehovai dëshiron që populli i tij të jetë i lumtur?
12 Megjithëse Jehovai është një punëtor i mrekullueshëm dhe një organizator i shkëlqyeshëm, ai nuk është i pandjeshëm, i ashpër apo si robot. Përkundrazi, ai është një Personazh shumë i ndjeshëm dhe i lumtur që ka për zemër lumturinë tonë. «Ai kujdeset për ju»,—deklaron 1. Pjetrit 5:7. (BR) Mund ta shohim kujdesin dhe dëshirën e tij për t’i bërë të lumtur shërbëtorët e tij në atë që ai ka bërë për njerëzit. Për shembull, kur Perëndia krijoi burrin dhe gruan e përsosur, i vendosi ata në një parajsë kënaqësish. (Zanafilla 1:26-31; 2:8, 9) U dha atyre çdo gjë që do t’u nevojitej për të qenë të lumtur në maksimum. Por gjithë këtë ata e humbën përmes rebelimit. Si rezultat i mëkatit të tyre, ne trashëguam papërsosmërinë dhe vdekjen.—Romakëve 3:23; 5:12.
13 Megjithëse tani të papërsosur, si njerëz ne akoma mund të gjejmë lumturi në atë që ka bërë Perëndia. Ka shumë gjëra që na sjellin kënaqësi: malet madhështore, liqenet e bukura, lumenjtë, oqeanet dhe plazhet; lulet shumëngjyrëshe e me aromë dhe bimësia tjetër me një shumëllojshmëri të pafundme; ushqimet e bollshme dhe të shijshme; perëndimet mahnitëse të diellit që s’ngopemi duke i parë; qielli me yje që na pëlqen kaq shumë ta soditim gjatë natës; kafshët me shumëllojshmërinë e tyre të madhe dhe të vegjlit e tyre tërheqës me lëvizjet e tyre lozonjare që të bëjnë për të qeshur; muzika e këndshme; puna interesante dhe e dobishme; miqtë e mirë. Është e qartë se ai që ka organizuar këto gjëra është një person i lumtur, që kënaqet duke i bërë të tjerët të lumtur.
14. Çfarë ekuilibri kërkon Jehovai nga ne kur e imitojmë?
14 Prandaj, nuk është thjesht organizimi i efektshëm ajo që do Jehovai. Ai do, gjithashtu, që shërbëtorët e tij të jenë të lumtur, ashtu siç është ai vetë. Nuk do që t’i organizojnë gjërat me fanatizëm në dëm të lumturisë së tyre. Shërbëtorët e Perëndisë duhet t’i ekuilibrojnë aftësitë e tyre organizative me lumturinë, ashtu siç bën ai vetë, sepse ku është fuqia e frymës së tij të shenjtë, ka gëzim. Në fakt, Galatasve 5:22 tregon se fryti i dytë i frymës së shenjtë të Perëndisë që vepron tek populli i tij, është «gëzimi».
Dashuria sjell lumturi
15. Përse dashuria është kaq e rëndësishme për lumturinë tonë?
15 Është me interes të madh të vërejmë se Bibla deklaron: «Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8, 16) Ajo kurrë nuk thotë: «Perëndia është organizim.» Dashuria është cilësia kryesore e Perëndisë që duhet të imitohet nga shërbëtorët e tij. Ja përse fryti i parë i frymës së Perëndisë që radhitet tek Galatasve 5:22 është «dashuria» e ndjekur nga «gëzimi». Dashuria sjell gëzim. Kur imitojmë dashurinë e Jehovait në marrëdhënien me të tjerët, si rezultat vjen lumturia, sepse njerëzit e dashur janë të lumtur.
16. Si e tregoi Jezui rëndësinë e dashurisë?
16 Rëndësia e imitimit të dashurisë hyjnore është e dukshme nga mësimet e Jezuit. Ai tha: «I them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.» (Gjoni 8:28) Në mënyrë të veçantë, çfarë i ishte mësuar Jezuit, që ai nga ana e tij ua mësoi të tjerëve? I ishte mësuar që dy urdhërimet më të mëdha janë të duash Perëndinë dhe të afërmin. (Mateu 22:36-39) Jezui e ilustroi me shembullin e vet këtë dashuri. Ai tha: «Unë e dua Atin.» (BR) E tregoi këtë duke bërë vullnetin e Perëndisë deri në vdekje. Ndërsa dashurinë për njerëzit e tregoi duke vdekur për ta. Apostulli Pavël u tha të krishterëve të Efesit: ‘Krishti ju deshi dhe e dha veten e tij për ju.’ (Gjoni 14:31; Efesianëve 5:2) Prandaj, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.»—Gjoni 15:12, 13.
17. Si tregoi Pavli se shprehja e dashurisë ndaj të tjerëve është e domosdoshme?
17 Pavli tregoi se sa e domosdoshme është kjo dashuri hyjnore kur tha: «Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret [sekretet e shenjta, BR] dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë. Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfrit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë! . . . Këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.»—1. Korintasve 13:1-3, 13.
18. Çfarë presim që Jehovai t’i shtojë lumturisë sonë?
18 Kur imitojmë dashurinë e Jehovait, mund të kemi besim se ai ka dashuri për ne edhe kur gabojmë, sepse ai është një Perëndi «i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri». (Të Dalët 34:6) Nëse pendohemi sinqerisht kur gabojmë, Perëndia uk i mban në mend gabimet, por me dashuri na fal. (Psalmi 103:1-3) Po, Jehovai «është plot mëshirë e dhembshuri». (Jakovit 5:11) Njohja e kësaj gjëje i kontribuon lumturisë sonë.
Lumturi relative tani
19, 20. (a) Përse nuk është e mundur tani lumturia në shkallën më të lartë? (b) Si tregon Bibla se në këtë kohë mund të kemi lumturi relative?
19 Megjithatë, a është e mundur të jemi të lumtur edhe sot, meqenëse jetojmë në ditët e fundit të kësaj bote imorale të mbushur me krime dhe dhunë që dergjet nën sundimin e Satanait, ku duhet të luftojmë me sëmundjet dhe vdekjen? Pa dyshim, nuk mund të pretendojmë atë lumturi që do të ekzistojë në botën e re të Perëndisë, pikërisht ashtu siç e parashikon Fjala e tij: «Unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje. Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj.»—Isaia 65:17, 18.
20 Lumturia që mund të kenë shërbëtorët e Perëndisë tani është relative, sepse ata e njohin vullnetin e tij dhe kanë njohuri të saktë mbi bekimet e mrekullueshme që së shpejti do të vijnë në botën e tij të re parajsore. (Gjoni 17:3; Zbulesa 21:4) Prandaj, Bibla mund të thotë: «O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!» «Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët e tij.» «Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.» (Psalmi 84:12; 128:1; Mateu 5:5) Kështu, pavarësisht se duhet të përballojmë rrethanat e tanishme të vështira, mund të kemi një masë të dukshme lumturie. Edhe kur na ndodh diçka e keqe, ne nuk hidhërohemi si ata që nuk e njohin Jehovain dhe nuk kanë shpresë për jetën e përhershme.—1. Selanikasve 4:13.
21. Në ç’mënyrë i kontribuon lumturisë së shërbëtorëve të Jehovait dhënia e gjithçkaje që kanë?
21 Lumturia vjen tek shërbëtorët e Jehovait edhe sepse ata harxhojnë kohë, energji dhe aftësi për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike, veçanërisht atyre që ‘psherëtijnë dhe hidhërohen nga të gjitha gjërat e neveritshme’ të botës së Satanait. (Ezekieli 9:4, BR) Bibla thotë: «Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë. Zoti do ta ruajë dhe do të mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë.» (Psalmi 41:1, 2) Siç tha Jezui, «ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh».—Veprat 20:35.
22. (a) Gjej ndryshimin midis shërbëtorëve të Jehovait dhe atyre që nuk i shërbejnë atij, për sa i përket lumturisë. (b) Për cilën arsye të veçantë duhet të presim që të jemi të lumtur?
22 Prandaj, shërbëtorët e Perëndisë nuk mund të pretendojnë shkallën më të lartë të lumturisë tani në këtë kohë, por mund të presin lumturinë që nuk mund ta gëzojnë ata që nuk i shërbejnë Perëndisë. Jehovai thotë: «Ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës.» (Isaia 65:14) Përveç kësaj, ata që i shërbejnë Perëndisë kanë një arsye shumë të veçantë për lumturi tani—ata kanë frymën e tij të shenjtë që «Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden». (Veprat 5:32) Dhe mos harro: ku është fryma e Perëndisë, është lumturia.—Galatasve 5:22.
23. Çfarë do të trajtojmë në artikullin vijues të studimit?
23 Sot, në organizatën e shërbëtorëve të Perëndisë, një pjesë e rëndësishme kryhet nga «burrat pleq», pleqtë që marrin drejtimin në kongregacion, duke i kontribuar lumturisë së popullit të Jehovait. (Titit 1:5) Si duhet t’i shohin ata përgjegjësitë dhe marrëdhënien me vëllezërit dhe motrat e tyre frymore? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Në ç’mënyrë tregon krijimi se Jehovai është i organizuar?
◻ Si i ka organizuar Jehovai shërbëtorët në të kaluarën dhe në të tashmen?
◻ Ç’ekuilibër dëshiron Jehovai nga ne?
◻ Sa e rëndësishme është dashuria për lumturinë tonë?
◻ Çfarë lumturie mund të presim në kohën tonë?
[Burimi i figurës në faqen 10]
Lart: Me mirënjohje nga ROE/Anglo-Australian Observatory, fotografuar nga David Malin