Vuajtjet njerëzore—Do të mbarojnë ndonjëherë?
SKENA të tmerrshme pas shpërthimit të një bombe në një markatë plot me njerëz në Sarajevë; masakra dhe gjymtime në Ruanda; fëmijë të uritur që kërkojnë ushqim në Somali; familje të trullosura që llogaritin humbjet e tyre pas një tërmeti në Los Anxhelos; viktima të lëna pa ndihmë në Bangladeshin e shkretuar nga përmbytja. Skena të tilla me vuajtje njerëzore shfaqen përditë para nesh në televizor apo në revista e gazeta.
Një pasojë e trishtueshme e vuajtjeve njerëzore është se ato shkaktojnë tek disa njerëz humbjen e besimit në Perëndinë. «Ekzistenca e së keqes ka qenë gjithmonë pengesa më serioze e besimit», sipas një deklarate të botuar nga një komunitet hebre në Shtetet e Bashkuara. Shkrimtarët u referohen vdekjeve në kampet naziste të përqendrimit, si Aushvici dhe nga bomba të tilla si ajo që shpërtheu mbi Hiroshima. «Pyetja se si e lejon një Perëndi i drejtë dhe i fuqishëm shfarosjen e kaq shumë jetëve të pafajshme, e shqetëson ndërgjegjen e njerëzve fetarë dhe të trondit imagjinatën»,—thonë autorët.
Mjerisht, vërshimi i pafund i lajmeve tragjike, mund të ketë një ndikim mpirës mbi ndjenjat e njerëzve. Për aq kohë sa miqtë apo të afërmit nuk përfshihen në to, shumë veta vështirë se preken nga vuajtjet e të tjerëve.
Megjithatë, fakti se ne jemi të pajisur me ndjenjën e dhembshurisë, të paktën për njerëzit tanë të dashur, duhet të na thotë diçka mbi Krijuesin tonë. Bibla thotë se njeriu u krijua «simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë» dhe «në ngjasim me [të]». (Zanafilla 1:26, 27) Kjo nuk do të thotë se njerëzit janë ngjashëm Perëndisë në dukje. Jo, sepse Jezu Krishti shpjegoi që «Perëndia është Frymë» dhe «një frymë nuk ka mish e eshtra». (Gjoni 4:24; Luka 24:39) Të bërë në ngjasim me Perëndinë, i referohet aftësisë sonë për të shfaqur cilësi ngjashëm Perëndisë. Prandaj, pasi njerëz të zakonshëm ndiejnë dhembshuri për ata që vuajnë, duhet të nxjerrim përfundimin se Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova, është i dhembshur dhe i ndien thellë vuajtjet e krijesës së tij njerëzore.—Krahaso Lukën 11:13.
Një mënyrë në të cilën Perëndia ka treguar dhembshurinë e tij është pajisja e njerëzimit me një shpjegim të shkruar të shkakut të vuajtjeve. Këtë e ka bërë në Fjalën e tij, Biblën. Bibla tregon qartësisht se Perëndia e krijoi njeriun për të gëzuar jetën, jo për të vuajtur. (Zanafilla 2:7-9) Ajo zbulon, gjithashtu, se çifti i parë njerëzor solli mbi vete vuajtjet, duke mos pranuar sundimin e drejtë të Perëndisë.—Ligji i përtërirë 32:4, 5; Romakëve 5:12.
Megjithatë, Perëndia ende ndjen dhembshuri për vuajtjet e njerëzimit. Kjo tregohet qartësisht nga premtimi i tij për t’u dhënë fund këtyre vuajtjeve. «Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4; shiko edhe Isaia 25:8; 65:17-25; Romakëve 8:19-21.
Këto premtime të mrekullueshme provojnë se Perëndia është i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve dhe se është i vendosur t’u japë fund atyre. Por cili ishte saktësisht shkaku i parë i vuajtjeve të njerëzimit dhe përse Perëndia ka lejuar që ato të vazhdojnë deri në ditët tona?
[Burimi i figurës në faqen 2]
Kapaku dhe faqja 32: Alexandra Boulat/Sipa Press
[Burimi i figurës në faqen 3]
Kevin Frayer/Sipa Press