Si t’i bësh më domethënëse lutjet e tua?
LUTJA është diçka e pashoqe mes sigurimeve të dashura të Perëndisë Jehova. Kundërshtarët mund të të konfiskojnë Biblën e të të pengojnë të mblidhesh me bashkadhuruesit, por ama askush nuk mund të të privojë nga lutja. Lutja është jashtëzakonisht e çmuar. Prandaj, sa e rëndësishme është që secili prej nesh ta çmojë dhe të nxjerrë sa më shumë dobi nga ky privilegj? Çfarë mund të të ndihmojë t’i bësh më domethënëse lutjet e tua?
Bibla nuk është një libër lutjesh, megjithatë mund të përshkruhet si libri kryesor mësimor mbi lutjet që njerëzimi ka pasur ndonjëherë. Vetëm Shkrimet Hebreje përmbajnë mbi 150 lutje. Disa janë të shkurtra e disa të gjata. Janë lutje publike ose personale, nga mbretër ose robër, në fitore ose në mjerim. Ashtu siç këndoi Davidi në Psalmin 65:2, «njerëz të çdo mishi» kthehen nga Jehovai, «Dëgjuesi i lutjes». (BR) Përse Perëndia i frymëzoi shkrimtarët e Biblës të regjistronin këtë mbledhje të gjerë lutjesh?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë 2. Timoteut 3:16. Aty thuhet: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» Prandaj, lutjet biblike janë regjistruar në Shkrime për të na drejtuar, ashtu si edhe profecitë, parimet dhe historitë biblike. Si mund të jenë të dobishme për ne këto lutje?
Duke shqyrtuar me vëmendje lutjet që përmbahen në Shkrime, mund të përcaktojmë ato të thëna në situata të ngjashme me tonat. Mund të mësojmë se si ndryshojnë lutjet në qëllim dhe në rrethanë. Për më tepër, zbulojmë shprehje të reja lavdërimi e falënderimi dhe gjejmë fjalë të reja për të shprehur kërkesat dhe përgjërimet tona. Me pak fjalë, lutjet biblike mund të na ndihmojnë t’i bëjmë më domethënëse lutjet tona.
Marija që u bë nëna e Jezuit, siç duket kishte nxjerrë dobi nga shprehjet e përdorura në lutjet e regjistruara në Bibël. Ajo vizitoi kushërirën e saj, Elizabetën, pasi që të dyja kishin mbetur shtatzënë me ndihmën e Perëndisë për të lindur nga një djalë. Marija i ofroi lavdi dhe falënderim Perëndisë dhe disa nga fjalët e saj ishin dukshëm të ngjashme me ato të një lutjeje nga Shkrimet Hebreje. Duket që Marija e njihte mirë lutjen e shprehur nga Ana, e ëma e profetit Samuel. Më shumë se 1.000 vjet më parë edhe Ana kishte lindur një djalë me ndihmën e Perëndisë. A është e mundur që Marija të ketë medituar mbi këtë lutje, sepse ajo pasqyronte vetë ndjenjat e saj?—1. Samueli 2:1-10; Luka 1:46-55.
Po ti? A kujton ndonjë lutje biblike të thënë në rrethana të ngjashme me të tuat? Kërkimi, leximi dhe meditimi mbi këto lutje do të të ndihmojë ta bësh më domethënës komunikimin tënd me Perëndinë. Në artikullin vijues, të ftojmë të shqyrtosh tri lutje nga Shkrimet e Shenjta. Ato janë thënë në rrethana të ndry-shme, ndoshta të ngjashme me ato të tuat.