Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Predikim në kohë të vështirë
APOSTULLI Pavël paratha se «në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1) Sa të sakta janë treguar këto fjalë! Banorët e El Salvadorit në Amerikën Qendrore e kanë përballuar këtë realitet të hidhur për një kohë të gjatë. Për më shumë se një dekadë, ai vend ka qenë i gllabëruar nga një luftë civile që solli mjerimin dhe vdekjen për mijëra njerëz. Lufta mori fund, kurse mjerimi ka mbetur. Pas luftës krimet janë rritur me ritme të shpejta. Një komentator i televizionit lokal, kohët e fundit deklaroi: «Dhuna dhe vjedhjet na janë bërë si buka që hamë.»
Edhe Dëshmitarët e Jehovait janë ndikuar nga këto valë krimesh. Hajdutët kanë thyer shumë Salla Mbretërie dhe kanë vjedhur pajisjet akustike. Në disa raste, banda me të rinj të armatosur kanë sulmuar Sallat e Mbretërisë, gjatë kohës kur të krishterët zhvillonin mbledhjet, duke u vjedhur të pranishmëve para, orë dhe sende të tjera të çmuara. Një numër Dëshmitarësh janë vrarë nga grabitësit, gjatë kohës kur ata kryenin aktivitete të përditshme.
Pavarësisht nga këto pengesa, Dëshmitarët e Jehovait në El Salvador vazhdojnë të punojnë me të gjitha forcat në predikimin e lajmit të mirë. E bëjnë këtë në bindje të urdhrit biblik: «Në të gjitha kombet së pari duhet të predikohet lajmi i mirë.» (Marku 13:10, BR) Ka akoma shumë persona në këto vende, të cilët presin shpresën e Mbretërisë që Bibla përmban dhe Dëshmitarët po përpiqen të arrijnë secilin prej tyre. Është provuar se dëshmia joformale është një metodë e efektshme predikimi.
Ndërsa merrte kura mjekësore në një spital, një Dëshmitar shfrytëzoi çdo rast për t’u folur pacientëve të tjerë për premtimet e Perëndisë mbi të ardhmen që gjenden në Bibël. Një pacient i sëmurë rëndë, u ankua i hidhëruar: «Shpejt unë do të vdes!» Por parashikimi i hidhëruar i pacientit nuk e shkurajoi Dëshmitarin që të shpallte lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Përkundrazi, ai lexonte me zë nga libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Pak ditë më pas, Dëshmitari doli nga spitali me mendimin e trishtuar se ai njeri kishte zënë shtratin e vdekjes.
Katër vjet më vonë, Dëshmitari duhej të bënte një kurë në një spital tjetër. Gjatë kohës që gjendej aty, një pacient iu afrua dhe i tha: «A më mban mend?» Ishte ai që kishte takuar katër vjet më parë, njeriu që mendohej i vdekur! Ç’surprizë e gëzuar kur ai e përqafoi dhe i tha: «Tani edhe unë jam Dëshmitar i Jehovait!» Ai kishte përqafuar shpresën biblike për të ardhmen, kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe ia kishte dedikuar jetën Jehovait. Jo vetëm që ishte Dëshmitar, por kishte marrë pjesë edhe në shërbimin e plotë kohor si pionier i rregullt për rreth dy vjet.
Në këtë rast, farat e së vërtetës që u mbollën në një mjedis joformal, kishin arritur në një zemër të ndjeshme. Privilegji për të ndihmuar njerëzit që të vijnë në njohjen e së vërtetës i nxit të krishterët e vërtetë të vazhdojnë veprën e predikimit, pavarësisht nga këto «kohë të vështira».