A mund të gjendet e vërteta fetare?
NË SUEDI, një njeri kurioz nga pikëpamja frymore, banor i qytetit universitar të Upsalës, vendosi të studionte bindjet e feve të ndryshme të qytetit të tij, duke vizituar madje edhe vendet e tyre të adhurimit. Dëgjoi klerikët e tyre tek predikonin dhe intervistoi disa anëtarë. Ai vërejti se vetëm Dëshmitarët e Jehovait dukeshin të bindur se kishin «gjetur të vërtetën». Duke u nisur nga shumëllojshmëria e mendimeve fetare që ekzistojnë, ai u habit se si Dëshmitarët mund të bënin një pohim të tillë.
A beson ti personalisht se është e mundur të gjendet e vërteta në lidhje me fenë? A ka mundësi të përcaktojmë se cila mund të quhet e vërteta përfundimtare?
Filozofia dhe e vërteta
Ata që kanë studiuar filozofi kanë zhvilluar mendimin se e vërteta përfundimtare nuk mund të gjendet nga njerëzimi. Ti mund ta dish që filozofia është përcaktuar si «shkenca që përpiqet të shpjegojë origjinën e ekzistencës dhe të jetës». Megjithatë, faktikisht, ajo rrallë shkon aq larg. Në librin Historia e filozofisë (Filosofins Historia), autori suedez Alf Alberg shkroi: «Shumë çështje filozofike janë me një natyrë të tillë, saqë nuk është e mundur t’u jepet një përgjigje përfundimtare. . . . Shumë njerëz janë të mendimit se të gjitha problemet metafizike [që kanë të bëjnë me parimet fillestare të gjërave] i përkasin këtij grupi.»
Si rrjedhojë, ata që janë përpjekur me anë të filozofisë t’u japin përgjigje pyetjeve thelbësore të jetës, shpesh kanë përfunduar të pakënaqur apo në ankth. Në librin e tij Radhët e mendimit e të besimit fetar (Tankelinjer och trosformer), autori suedez Gunar Aspelin tha: «Një diçka që shikojmë është se natyra nuk është më shumë e interesuar për njerëzit, sesa për fluturat e për mizat . . . Ne jemi të pafuqishëm, absolutisht të pafuqishëm, përballë këtyre forcave që bëjnë lojën e tyre në kozmos dhe në botën tonë të brendshme. Kjo është pamja e jetës, e cila është shfaqur kaq shpesh në literaturë përpara fundit të një shekulli në të cilin njerëzit e kanë vënë besimin e tyre në përparimin dhe kanë ëndërruar për një të ardhme më të mirë.»
A është i nevojshëm zbulimi i së vërtetës?
Është e dukshme se vetëm përpjekjet e njerëzve nuk kanë pasur sukses në gjetjen e së vërtetës mbi jetën dhe duket se nuk do të kenë kurrë. Ka arsye të mira, pra, për të nxjerrë përfundimin se nevojitet njëfarë zbulimi hyjnor. Ai që disa e quajnë libri i natyrës siguron disa zbulime. Edhe pse nuk jep hollësira përfundimtare mbi origjinën e jetës, ai tregon se ekziston diçka shumë më e kënaqshme se një shpjegim i thjeshtë materialist i jetës. Një fije bari që rritet, faktikisht ndjek ligje krejt të ndryshme nga ato që përcaktojnë formimin e një grumbulli shkëmbinjsh nga faqet e shembura të një grope. Gjallesat në natyrë rriten dhe organizohen në një mënyrë që gjërat e vdekura nuk e bëjnë dot. Prandaj, një studiues i njohur i ligjit dhe i fesë ishte i bazuar kur nxorri përfundimin: «Cilësitë e tij [të Perëndisë] të padukshme duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë.»—Romakëve 1:20.
Por, për të zbuluar se kush fshihet pas gjithë kësaj rritjeje e këtij organizimi, na duhet një zbulim tjetër. A nuk duhet të presim se një zbulim i tillë ekziston? A nuk do të ishte e arsyeshme të prisnim se Ai që është përgjegjës për jetën mbi tokë, do t’ua zbulonte veten krijesave të tij?
Bibla pohon se është një zbulim i tillë. Në këtë revistë ne kemi dhënë shpesh arsye të mira për ta pranuar këtë pohim dhe shumë njerëz me mend e kanë pranuar. Fakti që njerëzit të cilët shkruan Biblën dëshironin me sinqeritet të bënin të qartë se ajo që ata shkruan nuk ishte vepër e tyre, është në vetvete krejt i jashtëzakonshëm. Më shumë se 300 herë i gjejmë profetët e Biblës, duke përdorur shprehje të tilla si: «Kështu thotë Zoti [Jehovai, BR].» (Isaia 37:33; Jeremia 2:2; Naumi 1:12) Pa dyshim, ti e di se burrat e gratë që shkruajnë libra ose artikuj, zakonisht mezi presin të firmosin veprat e tyre. Megjithatë, ata që shkruan Biblën qëndruan në hije; në disa raste, është e vështirë të përcaktohet se kush i ka shkruar disa pjesë të Biblës.
Një tjetër aspekt i Biblës që mund të të duket domethënës është harmonia e saj e brendshme. Kjo është vërtet domethënëse, duke shqyrtuar faktin se të 66 librat e Biblës u shkruan në një periudhë prej 1.600 vjetësh. Ta zëmë se shkon në një librari dhe zgjedh 66 libra fetarë, të cilët janë shkruar në një periudhë prej 16 shekujsh. Pastaj, ti i ke lidhur këta libra të veçantë në një volum. A do të prisje që ky volum të kishte një temë të përbashkët dhe një mesazh harmonik? Vështirë. Kjo do të ishte një mrekulli. Por vërej këtë: librat e Biblës kanë një temë të tillë të përbashkët dhe përforcojnë njëri-tjetrin. Kjo tregon se duhet të ketë pasur një mendje kryesore apo një autor, i cili diktoi atë që treguan shkrimtarët e Biblës.
Megjithatë, ke për të gjetur një aspekt që provon origjinën hyjnore të Biblës më shumë se çdo gjë tjetër. Profecitë: informata të shkruara që më parë mbi atë që me siguri do të ndodhë në të ardhmen. Shprehje të tilla, si «atë ditë do të ndodhë» dhe «në ditët e fundit do të vij», gjenden vetëm në Bibël. (Isaia 2:2; 11:10, 11; 23:15; Ezekieli 38:18; Hozea 2:21-23; Zaharia 13:2-4) Qindra vjet më parë se Jezu Krishti të shfaqej mbi tokë, profeci të Shkrimeve Hebreje jepnin hollësira mbi jetën e tij: që nga lindja deri në vdekjen e tij. Nuk mund të gjendet përfundim tjetër më i arsyeshëm, sesa ai që Bibla është burimi i së vërtetës mbi jetën. Vetë Jezui e vërtetoi këtë me fjalët: «Fjala jote është e vërteta.»—Gjoni 17:17.
Feja dhe e vërteta
Edhe shumë nga ata që pohojnë besimin e tyre te Bibla, besojnë se e vërteta absolute nuk mund të gjendet. Kleriku amerikan, Xhon S. Spong, komentoi: «Duhet . . . të lëvizim nga mendimi se ne kemi të vërtetën e të tjerët duhet të vijnë në pikëpamjen tonë, për të kuptuar se e vërteta përfundimtare nuk mund të gjendet nga asnjëri prej nesh.» Një autor katolik, Kristofer Derrik, jep një arsye për pikëpamje të tilla negative në lidhje me gjetjen e së vërtetës: «Çdo përmendje e ‘së vërtetës’ fetare përfshin njëfarë pohimi se dimë . . . Lë të nënkuptohet se dikush tjetër ndoshta mund ta ketë gabim; dhe kjo nuk do të ishte aspak e pranueshme.»
Megjithatë, si një person i arsyeshëm, do të ishte mirë për ty të konsideroje disa pyetje të rëndësishme. Nëse e vërteta nuk mund të gjendej, përse Jezu Krishti tha: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë»? Dhe përse njëri prej apostujve të Jezuit do të thoshte se vullneti i Perëndisë është që «gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës»? Përse fjala «e vërteta» gjendet mëse njëqind herë në Shkrimet e Krishtere Greke në lidhje me besimin? Po, përse, nëse e vërteta nuk mund të gjendet?—Gjoni 8:32; 1. Timoteut 2:3, 4.
Në fakt, Jezui jo vetëm që na tërhoqi vëmendjen se e vërteta mund të gjendet, por tregoi se gjetja e saj është një kërkesë nëse duam që adhurimi ynë të jetë i miratuar nga Perëndia. Kur një grua samaritane pyeti se cila ishte forma e vërtetë e adhurimit, adhurimi që praktikonin hebrenjtë në Jeruzalem apo ai që praktikonin samaritanët në malin Gerizim, Jezui nuk u përgjigj duke thënë se e vërteta nuk mund të gjendet. Përkundrazi ai tha: «Adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.»—Gjoni 4:23, 24.
Shumë njerëz pohojnë: «Bibla mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, kështu që dikush s’ka mundësi të jetë i sigurt se cila është e vërteta.» Por, a është shkruar Bibla vërtet në një mënyrë të tillë të mjegullt, saqë të mos jesh i sigurt se si duhet kuptuar ajo? Duhet pranuar që disa herë gjuha profetike dhe simbolike mund të jetë e vështirë për t’u kapur. Për shembull, Perëndia i tha profetit Daniel se libri i tij, që përmbante një gjuhë shumë profetike, nuk do të mund të kuptohej plotësisht deri në «kohën e mbarimit». (Danieli 12:9) Është po ashtu e dukshme që disa shëmbëlltyra e simbole kanë nevojë për interpretim.
Megjithatë, është e qartë se për sa u përket mësimeve themelore të krishtere dhe vlerave morale thelbësore për të adhuruar Perëndinë në të vërtetën, Bibla është mjaft e drejtpërdrejtë. Ajo nuk lë vend për interpretime kontradiktore. Në letrën drejtuar efesianëve, është thënë se besimi i krishterë është «një», duke treguar se nuk do të kishte besime të ndryshme. (Efesianëve 4:4-6) Ndoshta mund të pyesësh: «Nëse Bibla nuk mund të interpretohet me të drejtë në shumë mënyra të ndryshme, përse ekzistojnë kaq shumë përcaktime të ndryshme ‘të krishtere’?» Përgjigjen e gjejmë nëse kthehemi prapa, në kohën pas vdekjes së apostujve të Jezuit dhe kur ishte zhvilluar një apostazi nga krishterimi i vërtetë.
«Gruri dhe egjrat»
Jezui e paratha këtë apostazi në shëmbëlltyrën e tij të grurit dhe egjrës. Vetë Jezui shpjegoi se «gruri» përfaqësonte krishterimin e vërtetë; «egjra» përfaqësonte krishterimin e rremë apo apostat. «Ndërsa njerëzit po flinin», tha Jezui, një «armik» mbolli egjër nëpër fushën me grurë. Kjo mbjellje filloi pasi apostujt kishin rënë në gjumin e vdekjes. Shëmbëlltyra tregon se kjo përzierje e krishterimit të vërtetë me atë të rremë do të vazhdonte deri «në mbarimin e botës». Prandaj, gjatë shekujve, identifikimi i të krishterëve të vërtetë ka qenë i errësuar, për shkak se fusha fetare ka qenë e mbizotëruar nga ata që vetëm me emër janë të krishterë. Megjithatë, «në mbarimin e botës», do të ndodhte një ndryshim. ‘Biri i njeriut do të dërgonte engjëjt e vet’, për të ndarë të krishterët e rremë nga të krishterët e vërtetë. Kjo nënkupton se në atë kohë kongregacioni i krishterë do të njihej me lehtësi, duke pasur statusin që kishte në kohën e apostujve.—Mateu 13:24-30, 36-43.
Profecitë e Isaias dhe të Mikeas parathoshin një grumbullim të adhuruesve të vërtetë «në ditët e fundit». Isaia thotë: «Duhet të ndodhë në pjesën e fundit të ditëve që mali i shtëpisë së Jehovait do të vendoset fortësisht mbi majat e maleve dhe me siguri do të ngrihet lart mbi kodrat; dhe tek ai do të derdhen të gjitha kombet. Shumë popuj me siguri do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, ju njerëz, e të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; dhe ai do të na mësojë nëpër rrugët e tij dhe ne do të ecim nëpër shtigjet e tij.’» Një vështrim i qartë i fakteve tregon se profecia e Isaias po plotësohet në kohën tonë.—Isaia 2:2, 3, BR; Mikea 4:1-3.
Por, rritja e kongregacionit të krishterë nuk ndodh falë përpjekjeve të disa njerëzve. Jezui paratha se ai do të «dërgonte engjëjt e vet», për të kryer një vepër grumbulluese. Ai tregoi, gjithashtu, edhe një qëllim krejt të veçantë për të: «Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.» (Mateu 13:43) Kjo tregon se kongregacioni i krishterë do të kryente një vepër ndriçimi dhe arsimimi botëror.
Dëshmitarët e Jehovait shohin një plotësim të këtyre profecive në veprën e tyre arsimuese që e kryejnë sot në 232 vende. Duke krahasuar bindjet e Dëshmitarëve, standardet e sjelljes dhe organizimin e tyre me Biblën, njerëzit pa paragjykime mund të shohin qartësisht se përputhen me ato të kongregacionit të krishterë të shekullit të parë. Dëshmitarët flasin për besimin e tyre, duke e quajtur «e vërteta», por nuk janë të nxitur nga hamendje apo epërsi personale. Përkundrazi, ata veprojnë kështu, pasi kanë studiuar gjerësisht Fjalën e Perëndisë, Biblën dhe e ndjekin atë si të vetmin standard, me të cilin feja mund të matet me të drejtë.
Të krishterët e parë e quanin besimin e tyre «e vërteta». (1. Timoteut 3:15; 2. Pjetrit 2:2; 2. Gjonit 1) Ajo që ishte e vërtetë për ta, duhet të jetë e vërtetë edhe për ne sot. Dëshmitarët e Jehovait i ftojnë të gjithë që të sigurohen personalisht për këtë, duke studiuar Biblën. Ne shpresojmë se duke vepruar kështu, edhe ti do të provosh gëzimin që vjen jo vetëm ngaqë ke gjetur një fe që qëndron mbi të tjerat, por ngaqë ke gjetur të vërtetën!
[Kutia në faqen 5]
DISA FILOZOFI KUNDËR SË VËRTETËS
POZITIVIZMI: Pikëpamja sipas së cilës të gjitha idetë me natyrë fetare janë absurditete të paverifikueshme dhe se objekti i filozofisë është të bashkojë shkencat pozitive për të formuar një të tërë.
EKZISTENCIALIZMI: Përfaqësuesit e tij ishin shumë të ndikuar nga tmerret e Luftës II Botërore e si rrjedhim përfunduan në një pikëpamje negative për jetën. Ai thekson shqyrtimin e anktheve të njerëzve, kur ballafaqojnë vdekjen dhe zbrazëtinë e jetës. Autori ekzistencialist Zhan-Pol Sartrë tha se pasi nuk ka Perëndi, njeriu është i braktisur dhe ekziston në një univers që është absolutisht indiferent.
SKEPTICIZMI: Mbështet mendimin se është e pamundur që me anë të vëzhgimit dhe arsyes të arrihet ndonjë objektiv, njohuri universale dhe asnjë e vërtetë mbi ekzistencën.
PRAGMATIZMI: Konsideron vlerësimin e vërtetë të bindjeve tona vetëm në lidhjet praktike të interesave njerëzore, si në riformimin e arsimimit, moralit dhe politikës. Ai nuk pranon se e vërteta ka ndonjë vlerë në vetvete.
[Burimet e figurave në faqen 2]
Faqe 3: E dyta nga e majta: Me mirësjellje nga The British Museum; E djathta: Sung Kyun Kwan University, Seul, Kore