Sa kohë duhet të presin të varfërit?
«Nëse një shoqëri e lirë nuk mund të ndihmojë të shumtët që janë të varfër, ajo nuk mund të shpëtojë të paktët që janë të pasur.»—Xhon F. Kenedi.
«UNË do të doja që e ardhmja të mos sillte për askënd varfëri, që askush të mos flinte nëpër parqe, të sillte një parajsë!» Ja, çfarë tha një djalë 12-vjeçar nga Sao Paolo, Brazil. Por, a është e mundur të eliminohet varfëria? Sa kohë duhet të presin të varfërit?
Disa e konsiderojnë veten të varfër, ngaqë nuk mund të blejnë gjërat që do të donin. Megjithatë, mendo pak mbi gjendjen e trishtuar të atyre që janë me të vërtetë të prekur nga varfëria. A mund të imagjinosh vështirësitë ekstreme dhe mungesën e lumturisë së këtyre njerëzve? Disa duhet të konkurrojnë me pulëbardhat e detit e me minjtë, ndërsa gërmojnë nëpër vendet ku hidhen plehrat, për të gjetur ushqim! Deri kur do të godasë njerëzimin kjo varfëri? Thirrja e Federiko Meior, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s (United Nations Educational, Scientific, and Cultural Organization), është e përshtatshme: «Le të braktisim këtë tolerancë të dyshimtë që na bën të tolerojmë të patolerueshmen: varfërinë, urinë dhe vuajtjet e miliona qenieve njerëzore.»
A do të plotësohet ëndrra për një mirëqenie të përgjithshme? Çfarë shprese kanë të varfërit?
Ç’mundësi kanë të varfërit?
Udhëheqësit qëllimmirë propozojnë më shumë punë, angazhime më të mira, përmirësimin e programeve shoqërore dhe reformën e tokës. Ata mund të jenë dakort me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi: «Nëse një shoqëri e lirë nuk mund të ndihmojë të shumtët që janë të varfër, ajo nuk mund të shpëtojë të paktët që janë të pasur.» Sidoqoftë, qëllimet e mira nuk mjaftojnë për të çrrënjosur varfërinë. Për shembull, a mund t’i ndihmojë rritja ekonomike të varfërit në përgjithësi? Jo medoemos. Ish-udhëheqësi indian Javaharlal Nehru pohoi: «Forcat e shoqërisë kapitaliste, nëse lihen të pakontrolluara, kanë prirjen për t’i bërë të pasurit më të pasur dhe të varfërit më të varfër.» Megjithatë, përveç vështirësive dhe mungesave, një lloj ndjenje se janë të pavlefshëm rrit barrën e të varfërve. A mund t’i ndihmojnë udhëheqësit njerëzorë të varfërit për të mposhtur ndjenjën se janë të pandihmuar e të pashpresë?
Në të vërtetë, shumë nga të varfërit e dëshpëruar kanë mësuar të përballojnë varfërinë e të mposhtin ndjenjat e respektit të pakët për vetveten përballë vështirësive të mëdha, të tilla si inflacioni në rritje dhe papunësia. Për më tepër, urija, mungesa e strehimit dhe mjerimi, pa dyshim do të çrrënjosen. A të befason kjo? Të ftojmë të lexosh artikullin vijues: «Shpejt, askush nuk do të jetë i varfër!»