Çfarë është teksti masoretik?
NË ÇDO gjuhë që ta lexosh Biblën, ka të ngjarë që një pjesë e librit të jetë përkthyer drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt nga teksti masoretik, i cili përbën Shkrimet Hebreje apo «Besëlidhjen e Vjetër». Në të vërtetë, nuk ka pasur vetëm një tekst masoretik. Pra, cili u zgjodh dhe përse? Në fakt, çfarë është teksti masoretik dhe si e dimë se është i besueshëm?
Fjala e Jehovait
Shkrimi i Biblës filloi në malin Sinai, në vitin 1513 p.e.s. Të Dalët 24:3, 4 na thotë: «Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: ‘Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë.’ Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit.»
Shkrimet Hebreje vazhduan të shkruheshin për më shumë se një mijë vjet, nga 1513 p.e.s. deri rreth 443 p.e.s. Pasi shkrimtarët ishin të frymëzuar nga Perëndia, është e arsyeshme që ai t’i drejtonte çështjet në mënyrë të tillë që mesazhi i tij të ruhej me besnikëri. (2. Samuelit 23:2; Isaia 40:8) Megjithatë, a do të thotë kjo se Jehovai do t’i përjashtonte të gjitha gabimet njerëzore, aq sa asnjë shkronjë të mos ndryshohej kur të bëheshin kopje?
Mundësi për pasaktësi të vogla
Edhe pse njerëzit që e kopjuan nga brezi në brez kishin respekt të thellë për Fjalën e Perëndisë, në njëfarë mase gabimet njerëzore depërtuan disi nëpër dorëshkrimet. Shkrimtarët e Biblës ishin të frymëzuar, por ata që e kopjuan nuk e bënë këtë punë nën frymëzimin hyjnor.
Pasi u kthyen nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s., hebrenjtë adoptuan një stil të ri të shkruari, në të cilin përdornin shkronjat katrore që mësuan në Babiloni. Ky ndryshim i madh solli me vete problemin që disa shkronja të ngjashme në dukje mund të ngatërroheshin me njëra-tjetrën. Pasi hebraishtja është një gjuhë e bazuar në bashkëtingëlloret, me zanoret që i shtonte lexuesi sipas kuptimit të tekstit, ndryshimi i një bashkëtingëlloreje mund të ndryshonte me lehtësi domethënien e një fjale. Sidoqoftë, në shumë raste gabime të tilla u gjetën dhe u korrigjuan.
Shumica e hebrenjve nuk u kthyen në Izrael pas rënies së Babilonisë. Prandaj, sinagogat u bënë qendra frymore për komunitetet hebreje në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.a Çdo sinagogë kishte nevojë për kopje të rrotullave të Shkrimeve. Me shtimin e kopjeve, u shtua edhe mundësia për gabime nga kopjuesit.
Përpjekje për të fshirë pasaktësitë
Duke filluar me shekullin e parë të e.s., skribët në Jeruzalem u përpoqën të vendosnin një tekst bazë, sipas të cilit të gjitha rrotullat e tjera të Shkrimeve Hebreje duheshin korrigjuar. Megjithatë, nuk ekzistonte ndonjë sistem i prerë për të bërë dallimin midis origjinalit të një teksti dhe dorëshkrimeve që përmbanin gabimet e kopjuesve. Prej shekullit të dytë të e.s. e më tej, teksti me bashkëtingëllore i Shkrimeve Hebreje duket se ishte standartizuar në mënyrë të kënaqshme, edhe pse nuk ishte fiksuar ende në mënyrë autoritare. Citimet e Shkrimeve Hebreje që shfaqen në Talmud (i përfunduar midis shekujve të dytë e të gjashtë e.s.), shpesh tregojnë një burim të ndryshëm nga ai që më vonë u bë i njohur si teksti masoretik.
Në hebraisht fjala «traditë» është ma·soh·rahʹ ose ma·soʹreth. Që prej shekullit të gjashtë të e.s., ata që ndiqnin traditën e kopjimit të saktë të Shkrimeve Hebreje, u bënë të njohur si masoretë. Kopjet që bënë ata u quajtën tekstet masoretike. Cila ishte e veçanta e punës së tyre dhe e teksteve që përgatitën ata?
Hebraishtja nuk ishte më një gjuhë e gjallë, e folur nga një komb dhe për shumë hebrenj nuk ishte familjare. Prandaj, ishte në rrezik vetë kuptueshmëria e tekstit biblik me bashkëtingëllore. Për ta mbrojtur, masoretët zhvilluan një sistem zanoresh, i paraqitur nga pika e viza. Këto vendoseshin poshtë ose lart bashkëtingëlloreve. Masoretët zhvilluan, gjithashtu, një sistem të ndërlikuar shenjash që shërbyen edhe si shenja pikësimi edhe si udhëzim për një shqiptim më të saktë.
Aty ku mendonin se teksti ishte ndryshuar apo kopjuar gabim nga brezat e mëparshëm të skribëve, masoretët nuk e ndryshonin tekstin, por vinin shënime anash. Ata vërenin forma fjalësh dhe kombinime të pazakonshme dhe dendësinë me të cilën këto shfaqeshin në secilin libër apo në të gjitha Shkrimet Hebreje. Ata shënonin, gjithashtu, komente shtesë për të ndihmuar kopjuesit në kryerjen e kontrollit të kryqëzuar. U zhvillua edhe një sistem «kodesh» i shkurtuar, për të shkruar këto informata me shkurtësinë më të madhe. Në fillim e në fund të faqes, gjendej njëfarë minikonkordance, në të cilën renditeshin vargje të komentuara në shënimet anash faqeve.
Sistemi më i famshëm u përsos nga masoretët në Tiberi, pranë Detit të Galilesë. Familjet e Ben Asherit dhe Ben Naftalit, të shekullit të nëntë e të dhjetë të e.s., ndoshta familje karaite, u bënë veçanërisht të shquara.b Edhe pse midis këtyre dy shkollave ekzistonin ndryshime në metodat e shqiptimit dhe të shënimeve, bashkëtingëlloret në tekstet e tyre ndryshojnë në më pak se dhjetë vende në të gjitha Shkrimet Hebreje.
Të dyja shkollat e masoretëve, ajo e Ben Asherit dhe ajo e Ben Naftalit, dhanë një kontribut të madh për kritikën tekstuale të kohës së tyre. Teksti i Ben Asherit, duke pasur lavdërimet e Maimonidit (një studiues me influencë i Talmudit, në shek. e 12-të), u bë i parapëlqyeri i veçantë për të tjerët. Ky parapëlqim arriti deri aty, sa tani nuk mund të gjendet asnjë dorëshkrim i Ben Naftalit. Gjithçka që ka mbetur prej tij, janë disa lista të ndryshimeve midis dy shkollave. Është kurioz fakti që komentet e Maimonidit kanë të bëjnë me konsiderime stilistike, të tilla si hapësira midis paragrafëve dhe jo me aspektet më të rëndësishme të transmetimit të saktë.
A mund të gjejmë një tekst masoretik «të pastër»?
Midis studiuesve ekzistojnë ende shumë diskutime se cili nga kodekset që kemi sot është teksti «i pastër» i Ben Asherit, sikur kjo do të mund të na jepte tekstin «e vërtetë» masoretik. Në të vërtetë, s’ka ekzistuar kurrë një tekst masoretik i vetëm, «i pastër» dhe autoritar. Përkundrazi, ka pasur shumë tekste masoretike, secili me ndryshime të lehta nga të tjerët. Të gjitha kodekset ekzistuese janë tekste të përziera, me shënime të Ben Asherit dhe të Ben Naftalit.
Çdo përkthyes sot gjendet përballë një detyre të jashtëzakonshme. Duhet të familjarizohet jo vetëm me tekstin hebre, por edhe me të gjitha alternativat e arsyeshme, në vendet ku teksti mund të jetë ndryshuar nga gabimet e kopjuesve apo tjetërsoj. Edhe pse tekstet e ndryshme masoretike shërbejnë si bazë, ai duhet të konsultohet me burime të tjera të vlefshme që me të drejtë mund të përfaqësojnë versione më të lashta e ndoshta më të sakta të tekstit me bashkëtingëllore.
Në parathënien e një libri të tij, Ernest Vyrtvain, shpjegon: «Kur ballafaqohemi me një fragment të vështirë, ne nuk mund të mbledhim së bashku në mënyrë të thjeshtë shënimet e ndryshme e të zgjedhim atë që duket se ofron zgjidhjen më të thjeshtë, herë duke parapëlqyer tekstin hebre, herë Septuagintën dhe pastaj targumin aramaik. Dëshmitarët tekstualë nuk janë të gjithë në mënyrë të barabartë të besueshëm. Secili ka karakterin e vet dhe historinë e vet të veçantë. Duhet të familjarizohemi me këtë, nëse shpresojmë të shmangim zgjidhjet e papërshtatshme apo false.»
Ne kemi baza të forta për të besuar plotësisht se Jehovai e ka ruajtur Fjalën e tij. Nga përpjekjet e përbashkëta të shumë njerëzve të sinqertë gjatë shekujve, thelbi, përmbajtja, madje edhe hollësirat e mesazhit të Biblës janë në dispozicionin tonë. Çdo ndryshim i vogël në shkronja apo fjalë, nuk ndikon mbi aftësinë tonë për të kuptuar Shkrimet. Tani, pyetja e rëndësishme është: A do të jetojmë në përputhje me Fjalën e Perëndisë, Biblën?
[Shënimet]
a Pasi shumë hebrenj që ndodheshin jashtë Izraelit nuk e lexonin më në mënyrë të rrjedhshme hebraishten, komunitete të tilla me hebrenj, si ai në Aleksandri, në Egjipt, shumë shpejt panë nevojën për të përkthyer Biblën në gjuhën e folur. Për të plotësuar këtë nevojë, u përgatit në shekullin e tretë p.e.s. versioni greqisht i Septuagintës. Më vonë, ky version do të bëhej një burim i rëndësishëm për kritikën e teksteve.
b Rreth vitit 760 e.s., një grup hebrenjsh të quajtur karaitë, kërkonin një përmbajtje edhe më strikte ndaj Shkrimeve. Duke mos pranuar autoritetin e rabinëve, «ligjin gojor» dhe Talmudin, ata kishin arsye edhe më të mëdha për të mbrojtur tekstin biblik sistematikisht. Prej disa familjeve të këtij grupi dolën kopjues ekspertë masoretikë.
[Figura në faqen 26]
Kodeksi i Alepos përban tekstin masoretik
[Burimi]
Bibelmuseum, Münster