BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/9 f. 3-4
  • A do të mbarojë ndonjëherë urrejtja?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A do të mbarojë ndonjëherë urrejtja?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mbjellja e farave të urrejtjes
  • Pasojat e urrejtjes
  • Pse ekziston rrethi vicioz i urrejtjes?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për publikun)
  • Mund të triumfojmë mbi urrejtjen!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për publikun)
  • Kur të mos ketë më urrejtje!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për publikun)
  • Pse kaq shumë urrejtje?—Çfarë thotë Bibla?
    Tema të tjera
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/9 f. 3-4

A do të mbarojë ndonjëherë urrejtja?

NËSE ke parë vetëm pak nga emisionet e lajmeve në televizor, atëherë urrejtja nuk është e panjohur për ty. Urrejtja është aspekti i përbashkët që përbën bazën e masakrave, të cilat pothuajse çdo ditë lënë vazhdën e tyre të përgjakur në këtë botë. Nga Belfasti në Bosnie, nga Jeruzalemi në Johanesburg, kalimtarë të pafajshëm të rastit masakrohen.

Zakonisht, viktimat nuk njihen fare me agresorët. «Krimi» i tyre i vetëm është se ndoshta i përkasin «palës tjetër». Në formën e një shkëmbimi makabër, këto vdekje mund të vijnë nga raprezalje që kryhen për hakmarrje ndaj ndonjë egërsie të kryer më parë ose në formën e «pastrimeve etnike». Secili raund dhune shërben për të përhapur flakët e urrejtjes midis grupeve armike.

Këto cikle të tmerrshme të urrejtjes duket se janë në rritje. Gjakmarrja po shpërthen midis fiseve, racave dhe grupeve etnike e fetare. A mund të eliminohet ndonjëherë urrejtja? Për t’iu përgjigjur kësaj, duhet të kuptojmë shkaqet e urrejtjes, pasi ne nuk lindim për të urryer.

Mbjellja e farave të urrejtjes

Zllata Filipoviç, një vajzë e re boshnjake nga Sarajeva, nuk ka mësuar ende të urrejë. Në ditarin e saj, ajo ka shkruar me forcë mbi dhunën etnike: «Vazhdoj të pyes përse? Për çfarë? Kujt t’ia vë fajin? Pyes, por s’kam përgjigje. . . . Midis shoqeve të mia, midis miqve tanë, në familjet tona, ka serbë, kroatë dhe myslimanë. . . . Shoqërohemi me njerëz të mirë, jo me të ligj. E midis të mirëve ka serbë, kroatë dhe myslimanë, ashtu siç ka edhe midis të ligjve.»

Nga ana tjetër, shumë të rritur mendojnë ndryshe. Ata besojnë se kanë shumë arsye për të urryer. Përse?

Padrejtësi. Pa dyshim, shkaku kryesor për urrejtje është padrejtësia dhe shtypja. Siç thotë Bibla, «shtypja e bën të pamend njeriun e urtë». (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:7) Kur njerëzit bien viktima apo trajtohen me brutalitet, nuk është e vështirë për ta që të ushqejnë urrejtje ndaj shtypësve. Madje edhe pse mund të jetë e paarsyeshme, ose «e çmendur», shpesh urrejtja drejtohet kundër një grupi të tërë.

Edhe pse padrejtësia, e vërtetë apo imagjinare, mund të jetë shkaku kryesor i urrejtjes, nuk është e vetmja. Një tjetër është paragjykimi.

Paragjykimi. Shpesh paragjykimi vjen nga mosnjohja e ndonjë grupi etnik apo kombëtar. Për shkak të thashethemeve, armiqësive tradicionale apo të ndonjë përvoje jo të mirë me një ose dy individë, disa mund t’i ngjisin cilësi negative një race të tërë apo kombësie. Pasi të ketë zënë rrënjë, paragjykimi mund t’i verbojë njerëzit përballë fakteve. «Ne i urrejmë disa njerëz, sepse nuk i njohim; dhe nuk përpiqemi t’i njohim, sepse i urrejmë»,—vërejti shkrimtari anglez Çarls Kaleb Koltën.

Nga ana tjetër, politikanët dhe historianët me vullnet mund ta nxisin paragjykimin për qëllime politike ose nacionaliste. Hitleri ishte një shembull tipik. Georgu, një ish-anëtar i lëvizjes Rinia Hitleriane, tha: «Propaganda naziste na mësoi në fillim të urrenim hebrenjtë, pastaj rusët e më pas të gjithë ‘armiqtë e Rajhut’. Si i ri, unë i besova asaj që më thanë. Më vonë, zbulova se më kishin mashtruar.» Ashtu si në Gjermaninë naziste e kudo, paragjykimet raciale apo etnike janë justifikuar me tërheqjen nga nacionalizmi, një tjetër burim urrejtjeje.

Nacionalizmi, ndarjet fisnore dhe racizmi. Në librin e tij Kultivimi i urrejtjes (The Cultivation of Hatred), historiani Piter Gei përshkruan se çfarë ndodhi në shpërthimin e Luftës I Botërore: «Në betejën midis besnikërive, nacionalizmi doli më i fortë nga të gjithë. Dashuria për vendin dhe urrejtja për armiqtë e tij, dolën si justifikimet më të forta për agresionet që u bënë gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë.» Ndjenja nacionaliste gjermane i dha jetë një kënge luftarake, të njohur si «Himni i urrejtjes». Nxitësit e urrejtjes në Britani dhe Francë, shpjegon Gei, fabrikonin tregime mbi ushtarë gjermanë që përdhunonin gra e vrisnin fëmijë. Zigfrid Sasun, një ushtar anglez, përshkruan thelbin e propagandës britanike të luftës: «Dukej sikur njeriu ishte krijuar për të vrarë gjermanë.»

Si nacionalizmi, edhe një lavdërim i tepruar i grupeve apo racave etnike mund t’i kontribuojë ndezjes së urrejtjes së grupeve të tjera etnike apo racave të tjera. Ndarjet fisnore vazhdojnë të ndezin dhunën në shumë vende afrikane, ndërsa racizmi akoma plagos Evropën Perëndimore dhe Amerikën Veriore. Një tjetër faktor përçarës që mund të pajtohet me nacionalizmin është feja.

Feja. Shumë nga konfliktet më të qëndrueshme në botë kanë një ngjyrim fetar. Në Irlandën Veriore, në Lindjen e Mesme e gjetkë, njerëzit urrehen për shkak të fesë që ushtrojnë. Dy shekuj më parë, autori anglez Xhonatan Swift vërejti: «Jemi mjaft fetarë për të urryer njëri-tjetrin, por jo aq fetarë për të dashur njëri-tjetrin.»

Në 1933-shin, Hitleri e informoi peshkopin e Osnabrükut: «Sa për hebrenjtë, ndjek të njëjtën politikë që Kisha Katolike ka adoptuar për 1.500 vjet.» Ndjekjet raciste plot urrejtje të tij, kurrë nuk u dënuan nga pjesa më e madhe e udhëheqëve të kishës gjermane. Pol Xhonson, në librin e tij Një histori e krishterimit (A History of Christianity), vëren se «kisha i shkishëronte katolikët që shpallnin në testamentet e tyre se dëshironin të digjnin kufomat . . . por nuk i ndalonte të punonin në kampet e përqendrimit dhe të vdekjes».

Disa udhëheqës fetarë kanë shkuar përtej faljes së urrejtjes, e kanë shenjtëruar atë. Në 1936-ën, me shpërthimin e luftës civile spanjolle, Papa Piu XI e dënoi ‘urrejtjen e vërtetë satanike’ të republikanëve ‘ndaj Perëndisë’, megjithëse në anën e republikanëve kishte priftërinj katolikë. Ngjashëm, kardinali Gomá, kryepeshkopi i Spanjës gjatë luftës civile, pohoi se «pa betejë të armatosur paqësimi ishte i pamundur».

Urrejtja fetare nuk jep asnjë shenjë pakësimi. Në 1992-shin, revista Të drejtat e njeriut pa kufi (Human Rights Without Frontiers), denoncoi mënyrën në të cilën zyrtarët e Kishës Ortodokse Greke nxitnin urrejtje kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Mes shumë shembujve, ajo citonte rastin e një prifti ortodoks grek që ngriti padi kundër dy Dëshmitarëve 14-vjeçarë. Cila ishte akuza? I akuzonte se «ishin përpjekur ta bënin të ndryshonte fenë».

Pasojat e urrejtjes

Në të gjithë botën, farat e urrejtjes janë mbjellë e ujitur përmes padrejtësisë, paragjykimit, nacionalizmit dhe fesë. Frytet e pashmangshme janë zemërimi, agresioni, lufta dhe shkatërrimi. Ajo që thotë Bibla në 1. Gjonit 3:15 na ndihmon të shohim seriozitetin e kësaj: «Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës.» Sigurisht, aty ku zhvillohet urrejtja, nëse paqja ekziston, është e pasigurt.

Eli Vezel, fitues i çmimit nobel dhe mbijetues i Olokaustit, shkruan: «Detyra e të mbijetuarit është të dëshmojë mbi atë që ndodhi . . . Ju duhet t’i paralajmëroni njerëzit se këto gjëra mund të ndodhin, se ligësia mund të jetë e pazgjidhur. Urrejtja racore, dhuna dhe idhujtaria akoma lulëzojnë. Historia e shekullit të 20-të siguron prova se urrejtja nuk është një zjarr që mund të shuhet vetë.

A do të çrrënjoset ndonjëherë urrejtja nga zemra e njerëzve? A është gjithmonë shkatërrimtare apo mund të ketë edhe ndonjë anë pozitive? Le të shohim.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo