Trashëgimia jonë e pasur frymore
TREGUAR NGA FILIP F. SMITH
«Është ndezur një pishtar që do të ndriçojë në Afrikën më të zezë.» Sa të lumtur ishim tek lexonim këto fjalë në faqen 75 të Librit vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait, 1992! Këto ishin fjalë të shkruara në vitin 1931 nga gjyshi ynë, Frenk W. Smith, në një letër për vëllain Jozef. F. Rutherford, kryetar i atëhershëm i Shoqatës Watch Tower. Gjyshi kishte shkruar për të raportuar mbi një udhëtim predikimi që kishte bërë ai dhe vëllai i tij.
LIBRI vjetor 1992 shpjegonte: «Grei Smith dhe vëllai i tij më i madh, Frenku, dy pionierë të guximshëm nga Keip Tauni [Afrika e Jugut], ia nisën udhëtimit nga Afrika Lindore Britanike, për të eksploruar mundësitë e përhapjes së lajmit të mirë. Morën një makinë, një De Soto, të cilën e kishin kthyer në karvan (shtëpi e lëvizshme), e hipën mbi një anije, bashkë me 40 kuti me libra dhe nisën lundrimin për në Mombasa, porti i Kenias.»
Në letrën e tij drejtuar vëllait Rutherford, gjyshi përshkruante udhëtimin nga Mombasa në Nairobi, kryeqyteti i Kenias: «Filluam udhëtimin më të tmerrshëm me makinë që kam bërë ndonjëherë. Na u deshën katër ditë, duke ecur gjithë ditën, për të përshkruar 580 km . . . Pas çdo kilometri më duhej të dilja jashtë me një lopatë që të shtroja rrugën, të mbushja gropat, si dhe të prisja barishte elefanti dhe drurë për të mbushur gropat me ujë që të xhironin rrotat.»
Pasi mbërritën në Nairobi, Frenku dhe Grei punuan 21 ditë rresht për të shpërndarë literaturën biblike. «Duke gjykuar në bazë të atyre që dëgjonim,—shkroi gjyshi,—vepra e kishte kthyer përmbys Nairobin fetar.» Pas kësaj, gjyshi mezi priste të kthehej në shtëpi, tek djali i tij dyvjeçar, Donovani dhe tek e shoqja, Filis, e cila priste djalin e tyre të dytë, babain tonë, Frenkun. Gjyshi hipi në anijen e parë që gjeti nga Mombasa, por vdiq nga malaria përpara se të kthehej në shtëpi.
Ndërsa ime motër, im vëlla dhe unë po mendonim mbi atë tregim të Librit vjetor, mendja na shkoi te babai ynë i dashur. Në maj 1991, pak muaj më parë se të merrnim Librin vjetor 1992, ai kishte vdekur nga ndërlikimet gjatë një operacioni në zemër. Edhe pse nuk e kishte takuar kurrë të atin, ai trashëgoi prej tij dashurinë e thellë për Jehovain. Sa i gëzuar do të kishte qenë gjyshi, po të dinte se 28 vjet më vonë, në 1959, i biri do të ndiqte gjurmët e tij si shërbëtor i krishterë në Afrikën Lindore!
Jeta e hershme e babait
Babai lindi më 20 korrik 1931, në Keip Taun, dy muaj pas vdekjes së të atit, emrin e të cilit mori. Babai e tregoi qysh i vogël dashurinë e tij për Jehovain. Kur ishte vetëm nëntë vjeç, ai qëndronte në stacionet kryesore të trenit në Keip Taun, duke kryer veprën e dëshmisë, ndërsa shokët e tij të shkollës e tallnin. Në moshën 11-vjeçare simbolizoi dedikimin e tij ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Disa herë, babait i caktohej në shërbim të dëshmonte vetëm në një rrugë të tërë. Në moshën 18-vjeçare, drejtonte studimin e Kullës së Rojës me një grup motrash të krishtere të moshuara, në një lagje të Keip Taunit.
Në vitin 1954, Shoqata Watch Tower lajmëroi se vitin tjetër do të mbaheshin në Evropë kongrese ndërkombëtare. Babai kishte shumë dëshirë të shkonte, por s’kishte mjaft para për të marrë rrugën nga Keip Tauni. Prandaj, lidhi një kontratë pune tremujore, si kimist në një minierë bakri në Rodezinë Veriore (Zambia e sotme). Fabrikat ku bëheshin analizat e mineralit të papastruar, gjendeshin në zemër të pyjeve afrikane.
Babai e dinte se në Rodezinë Veriore kishte shumë Dëshmitarë afrikanë, prandaj me të sosur atje, ai i kërkoi dhe i gjeti e mësoi edhe ku i mbanin mbledhjet e tyre. Edhe pse nuk mund të fliste në gjuhën e vendit, ai prapëseprapë shoqërohej me ta dhe ndiqte rregullisht mbledhjet e kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait në minierë. Evropianët që punonin në minierë kishin paragjykime raciale dhe i shfaqnin ato, duke i trajtuar keq afrikanët. Megjithatë, babai ishte gjithmonë i sjellshëm.
Në fund të tre muajve, një punëtor afrikan, i cili nuk ishte Dëshmitar, iu afrua babait dhe e pyeti: «A e di se si të thërrasim?» Burri qeshi dhe tha: «Të thërrasim bwana Watchtower [zoti Kulla e Rojës].»
Në vitin 1955, babai mundi të merrte pjesë në asambletë «Mbretëria triumfuese» në Evropë. Atje, u takua me Meri Zahariun, e cila një vit më vonë u bë gruaja e tij. Pas martesës, u vendosën në Parma, Ohaio, SHBA.
Në Afrikën Lindore
Gjatë një kongresi krahinor në Shtetet e Bashkuara, kongresistëve iu paraqit një ftesë për të shërbyer në vendet ku nevoja për shërbëtorë ishte më e madhe. Prindërit tanë vendosën të shkonin në Afrikën Lindore. Ata bënë pikërisht ashtu siç kishte sugjeruar Shoqata Watch Tower. Kursyen aq para sa u duheshin për të blerë biletat vajtje-ardhje, në rast se babai nuk do të gjente punë, pasi vetëm ata që ishin të punësuar lejoheshin të banonin në atë territor.
Pasi morën pasaportat, vizat dhe pasi bënë vaksinimet, në korrik 1959, babai dhe mamaja nisën udhëtimin me një anije tregëtare nga Nju Jorku në Mombasa, për në Keip Taun. Udhëtimi zgjati katër javë. Në portin e Mombasas, ata u pritën me ngrohtësi nga vëllezërit e krishterë, të cilët kishin ardhur para tyre, për të shërbyer aty ku nevoja ishte më e madhe. Kur mbërritën në Nairobi, babain e priste një letër. Ishte përgjigjja e kërkesës së tij për një vend pune si kimist në Departamentin e Studimeve Gjeologjike në Entebe, Uganda. Babai dhe mamaja morën trenin për në Kampala, Uganda, ku babait i bënë disa pyetje dhe e pranuan. Në atë kohë, në zonën Entebe-Kampala kishte vetëm një Dëshmitar, Xhorxh Kadu.
Qeveria koloniale pagoi që babai të mësonte gjuhën lokale, luganda. Kjo e gëzoi, pasi gjithsesi ai kishte bërë plane për ta mësuar, në mënyrë që të ishte sa më i efektshëm në shërbim. Më vonë, babai ndihmoi edhe në përkthimin e broshurës «Ky lajm i mirë i Mbretërisë», në gjuhën luganda.
Babai nuk kishte frikë t’u predikonte të tjerëve. Ai fliste me të gjithë evropianët në departamentin e tij dhe merrte pjesë rregullisht në predikimin që u bëhej ugandezëve. Madje, i dha dëshmi edhe Prokurorit të Përgjithshëm të Ugandës. Ai jo vetëm e dëgjoi mesazhin e Mbretërisë, por edhe i ftoi babain dhe mamanë për drekë.
Motra ime, Anti, lindi në 1960-ën, kurse unë erdha në jetë në 1965-ën. Familja jonë u lidh ngushtë me vëllezërit dhe motrat në kongregacionin e vogël, por në rritje, në kryeqytetin Kampala. Si të vetmit Dëshmitarë të bardhë në Entebën fqinje, ne patëm disa përvoja zbavitëse. Njëherë, një mik i babait bëri një ndalim të papritur në Entebe dhe u përpoq të lidhej me babain. Ai përpoq më kot, derisa pyeti: «A njihni një çift evropianësh Dëshmitarë të Jehovait?» Atëherë, njerëzit i drejtuan menjëherë te mamaja dhe babai.
Patëm, gjithashtu, edhe përvoja të vështira, pasi kaluam dy revolta të armatosura. Në një rast, trupat qeveritare qëllonin mbi këdo që ishte nga një grup etnik. Gjatë gjithë ditës dhe natës pati të shtëna të parreshtura. Duke qenë se nga ora 6 pasdite deri në 6 të mëngjesit kishte ndalim-qarkullimi, mbledhjet mbaheshin pasditeve në shtëpinë e prindërve të mi, në Entebe.
Më vonë, kur u hoq ndalim-qarkullimi, babai na çoi në Kampala për studimin e Kullës së Rojës. Një ushtar na drejtoi pushkën, ndaloi makinën dhe kërkoi të dinte ku po shkonim. Unë në atë kohë isha foshnje dhe Anti ishte pesë vjeçe. Kur babai i shpjegoi me qetësi, duke i treguar Biblat dhe literaturën, ai na la të shkonim.
Në 1967-ën, pasi kishin kaluar afërsisht tetë vjet në Uganda, prindërit vendosën të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara, për probleme shëndeti dhe përgjegjësi familjare. U bëmë pjesë e kongregacionit në Kenfild, Ohaio, ku babai shërbeu si plak. Atje, prindërit i deshën vëllezërit dhe motrat, aq sa kishin dashur edhe kongregacionin e vogël në Kampala.
Edukim i dashur i krishterë
Në vitin 1971 lindi im vëlla, Davidi. U rritëm të gjithë të ushqyer në një atmosferë familjare plot dashuri e ngrohtësi. Pa dyshim, kjo vinte nga lidhja e dashur që prindërit tanë kishin me njëri-tjetrin.
Kur ishim të vegjël, babai na lexonte gjithmonë një tregim biblik përpara se të flinim, bënte një lutje e pastaj fshehurazi mamasë na jepte nga një çokollatë të mbështjellë me një letër të shkëlqyeshme të artë. Gjithmonë e studionim së bashku si familje Kullën e Rojës, pavarësisht se ku gjendeshim. Kur ishim si familje me pushime, e studiuam njëherë përbri një mali dhe në një rast tjetër përballë oqeanit. Babai thoshte shpesh se ato ishin ndër kujtimet e tij më të lumtura. Thoshte se i vinte keq për ata që e humbisnin gëzimin e madh që mund të sjellë studimi familjar.
Babai na la një shembull në shfaqjen e dashurisë për Jehovain. Sa herë që vinte një kopje e revistave Kulla e Rojës apo Zgjohuni! apo dilte ndonjë botim i ri i Shoqatës, babai e përpinte më padurim përmbajtjen. Prej tij mësuam të mos e merrnim me lehtësi të vërtetën e Biblës, por ta çmonim si një thesar të vlefshëm. Një nga sendet më të çmuara që kemi është Bibla me referime e babait. Praktikisht, çdo faqe është e mbushur me shënime që i bënte kur studionte. Tani, kur lexojmë komentet e tij anash tekstit, ndiejmë njësoj sikur të dëgjojmë mësimin dhe këshillat e tij.
Besnik deri në fund
Më 16 maj 1991, ndërsa ndodhej jashtë në shërbimin në fushë, babai pësoi një atak në zemër. Disa javë më vonë, iu nënshtrua një operacioni me zemër të hapur, i cili u duk sikur pati sukses. Megjithatë, natën pas operacionit, morëm një thirrje telefonike nga spitali. Babai kishte hemorragji dhe mjekët ishin shumë të shqetësuar. E morën dy herë rresht në sallën e operimit, në përpjekje për t’i ndaluar hemorragjinë, por pa dobi. Gjaku nuk i mpiksej.
Ditën tjetër, ndërsa gjendja e babait keqësohej me shpejtësi, mjekët morën së pari mënjanë mamanë e më pas vëllanë tim më të ri, që t’i detyronin të lejonin një transfuzion gjaku për babain. Megjithatë, ai u kishte thënë qysh më parë mjekëve se nuk do të pranonte transfuzion gjaku në asnjë rrethanë. U shpjegoi atyre arsyet biblike të refuzimit të gjakut, por u tha se do të pranonte mjekime të tjera pa gjak.—Levitiku 17:13, 14; Veprat 15:28, 29.
Një armiqësi e theksuar nga ana e disa anëtarëve të ekipit mjekësor, krijoi një atmosferë shumë të nderë në qendrën e terapive intensive. E gjithë kjo, bashkë me keqësimin e gjendjes së babait, disa herë na dukej më shumë sesa mund të duronim. Iu lutëm Jehovait për ndihmë dhe u përpoqëm, gjithashtu, të praktikonim sugjerimet praktike që kishim marrë. Prandaj, kur shkonim në qendrën e terapisë intensive, ishim gjithmonë të veshur mirë dhe të respektueshëm kundrejt ekipit mjekësor. U interesuam shumë për gjendjen e babait, duke bërë pyetje domethënëse dhe falënderuam çdo anëtar të ekipit që ishte kujdesur për babain.
Përpjekjet tona nuk kaluan pa u vënë re nga ekipi i mjekëve. Brenda pak ditëve, atmosfera e rënduar ndryshoi për mirë. Infermieret që kujdeseshin për babain vazhdonin të interesoheshin për përmirësimin e tij, edhe pse nuk ishin më të caktuara për t’u kujdesur për të. Një mjek, i cili kishte qenë shumë i ashpër me ne, u zbut deri në atë masë saqë e pyeti mamanë se si po ia kalonte. Gjithashtu, edhe kongregacioni ynë dhe të afërmit na mbështetën me dashuri. Na dërguan ushqime dhe letra ngushëllimi, si dhe u lutën për ne.
Mjerisht, babai nuk e mori më veten. Vdiq dhjetë ditë pas operacionit të parë. Vdekja e babait na pikëlloi shumë. Ndonjëherë, ndjenjat e humbjes janë të papërballueshme. Jemi mirënjohës që Perëndia ynë premton se ‘përditë do t’i mbart barrat tona’ dhe kemi mësuar të mbështetemi tek ai si kurrë më parë.—Psalmi 68:19.
Të gjithë ne jemi të vendosur se do të vazhdojmë t’i shërbejmë besnikërisht Jehovait, në mënyrë që të kemi gëzimin për ta parë babain në botën e re.—Marku 5:41, 42; Gjoni 5:28; Veprat 24:15.
[Figura në faqen 21]
Frenk Smith me të ëmën, Filis, në Keip Taun
[Figura në faqen 22]
Babai dhe mamaja në kohën e martesës
[Figura në faqen 23]
Në pagëzimin e parë në Entebe, vëllezërit morën me qira pishinën e një udhëheqësi afrikan
[Figura në faqen 23]
Përshëndetje tradicionale
[Figura në faqen 24]
Babai dhe mamaja pak përpara vdekjes së babait