BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/11 f. 12-17
  • Një ftesë e dashur për të lodhurit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një ftesë e dashur për të lodhurit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Të munduar e të rënduar»
  • Shkaku i vërtetë i vështirësisë
  • Ftesa e Jezuit sot
  • Lehtësim dhe freskim
  • Mateu 11:28-30—«Ejani tek unë, . . . dhe unë do t’ju jap çlodhje»
    Shpjegim i vargjeve të Biblës
  • «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Lehtësim nga stresi: Një kurë praktike
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Pse duhet të mblidhemi bashkë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/11 f. 12-17

Një ftesë e dashur për të lodhurit

«Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje.»​—MATEU 11:28.

1. Çfarë pa Jezui në Galile, gjatë udhëtimit të tij të tretë të predikimit?

ATY nga fillimet e vitit 32 të e.s., Jezui ishte në udhëtimin e tij të tretë të predikimit në rajonin e Galilesë. Kalonte qytete e fshatra, «duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë». Duke bërë këto gjëra, ai pa turmat dhe «kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhura dhe të shpërndara si delet pa bari».​—Mateu 9:35, 36.

2. Si i ndihmoi Jezui njerëzit?

2 Megjithatë, Jezui nuk ndjeu vetëm mëshirë për turmat. Pasi i mësoi dishepujt e tij që t’i luteshin «Zotit të të korrave», Perëndisë Jehova, ai i dërgoi të ndihmonin njerëzit. (Mateu 9:38; 10:1) Pastaj, ai u ofroi personalisht njerëzve sigurinë se ekziston mënyra për të pasur lehtësi dhe ngushëllim të vërtetë. Ai u drejtoi atyre këtë ftesë që të ngroh zemrën: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.»​—Mateu 11:28, 29.

3. Përse ftesa e Jezuit është po kaq tërheqëse edhe sot?

3 Sot, ne jetojmë në një kohë kur shumë veta ndihen tepër të rënduar e të shtypur. (Romakëve 8:22; 2. Timoteut 3:1) Për disa, vetëm sigurimi i jetesës u merr kaq shumë kohë dhe energji, saqë u mbetet fare pak për familjen, miqtë apo për diçka tjetër. Shumë veta janë të rënduar nga sëmundje serioze, nga vuajtje, depresion dhe nga probleme të tjera fizike dhe emocionale. Duke e ndier shtypjen, disa përpiqen të gjejnë lehtësim duke u dhënë plotësisht pas kënaqësive, ngrënies, pirjes, madje edhe duke abuzuar me drogën. Natyrisht që kjo s’bën gjë tjetër, veçse i mbyll ata brenda një rrethi vicioz, duke u sjellë edhe më shumë probleme dhe presione. (Romakëve 8:6) Është e qartë se ftesa e dashur e Jezuit tingëllon sot po aq tërheqëse, sa ishte edhe në ato kohë.

4. Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë, që të përfitojmë nga ftesa e dashur e Jezuit?

4 Por, çfarë gjërave u ishin nënshtruar njerëzit në kohët e Jezuit, aq sa dukeshin «të lodhura e të shpërndara», duke e nxitur Jezuin të ndiente mëshirë për ta? Cilat pesha e ngarkesa duhej të mbanin ata dhe si i ndihmoi ftesa e Jezuit? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të jenë shumë të dobishme për ne, në mënyrë që të përfitojmë nga ftesa e dashur që Jezui u drejtoi të lodhurve.

«Të munduar e të rënduar»

5. Përse ishte e përshtatshme që këtë ngjarje në shërbimin e Jezuit ta raportonte apostulli Mateu?

5 Është interesant që vetëm Mateu raorton mbi këtë ndodhi në shërbimin e Jezuit. Pasi kishte qenë një tagrambledhës, Mateu, i njohur edhe si Levi, e njihte mirë një peshë të veçantë që duhej të mbanin njerëzit. (Mateu 9:9; Marku 2:14) Një libër thotë: «Taksat që [hebrenjtë duhej] të paguanin në para apo tjetërsoj, ishin jashtëzakonisht të rënda dhe rëndoheshin edhe më shumë ngaqë kishte dy forma tatimi, të cilat konkurronin njëra-tjetrën, taksat civile dhe taksat fetare; Dhe asnjëra nuk qe e lehtë.»​—Daily Life in the Time of Jesus.

6. (a) Cili ishte sistemi i taksave që përdorej në kohën e Jezuit? (b) Përse tagrambledhësit kishin një reputacion të tillë të keq? (c) Çfarë pa të nevojshme Pavli që t’u kujtonte të krishterëve?

6 Ajo që e bënte veçanërisht të rëndë gjithë këtë, ishte sistemi i taksave në atë kohë. Zyrtarët romakë ua jepnin me sipërmarrje të drejtën për të mbledhur taksat atyre që bënin ofertën më të madhe. Nga ana e tyre, këta punësonin nëpër bashkësitë lokale njerëz që mbikëqyrnin punën efektive të mbledhjes së taksave. Gjithsecili në këtë skemë piramidë ndihej i justifikuar të shtonte pjesën e vet. Për shembull, Luka tregon për «një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur». (Luka 19:2) «Kryetari i tagrambledhësve», Zakeu dhe ata që gjendeshin nën mbikëqyrjen e tij, duket se e shtonin pasurinë e tyre mbi mjerimin e njerëzve. Abuzimi dhe korrupsioni që nxiste ky lloj sistemi, bënte që njerëzit t’i rendisnin tagrambledhësit midis mëkatarëve dhe prostitutave dhe, me sa duket, në shumicën e rasteve me të drejtë. (Mateu 9:10; 21:31, 32; Marku 2:15; Luka 7:34) Pasi populli gjendej nën një peshë pothuajse të padurueshme, nuk habitemi që apostulli Pavël ndjeu nevojën që t’u kujtonte të krishterëve të mos mërziteshin nën zgjedhën romake, por t’u ‘jepnin të gjithëve atë që u përkiste, taksën atij që kërkonte taksën, haraçin atij që kërkonte haraçin’.​—Romakëve 13:7a, BR; krahaso Luka 23:2.

7. Si e rëndonin ligjet penale të Romës peshën e njerëzve?

7 Pavli i kujtoi, gjithashtu, të krishterët t’i jepnin «frikë atij që kërkon frikë, nderim atij që kërkon nderim». (Romakëve 13:7b) Romakët ishin të njohur për egërsinë dhe ashpërsinë e ligjeve të tyre penale. Për t’i mbajtur njerëzit të nënshtruar, përdoreshin vazhdimisht rrahjet me kamxhik, fshikullimet, periudha të vështira burgimi dhe ekzekutimi me vdekje. (Luka 23:32, 33; Veprat 22:24, 25) Edhe krerëve judenj u ishte dhënë madje autoriteti për të administruar ndëshkime të tilla, nëse e shihnin të përshtatshme. (Mateu 10:17; Veprat 5:40) Për këdo që jetonte nën të, ky sistem ishte sigurisht mbytës, për të mos thënë që të merrte frymën fare.

8. Çfarë peshe shtonin krerët fetarë mbi barrën e njerëzve?

8 Megjithatë, më e keqe se taksat dhe ligjet e romakëve, ishte barra që kishin vënë mbi popullin e thjeshtë krerët fetarë të kohës. Në fakt, duket se Jezui e kishte kryesisht fjalën për këta, kur i përshkroi njerëzit si «të munduar dhe të rënduar». Jezui tha se në vend që t’u jepnin njerëzve të shtypur shpresë e lehtësim, krerët fetarë ‘lidhnin barrë të rënda që barten me vështirësi dhe ua vinin mbi kurriz njerëzve; por ata nuk donin t’i luanin vetë as me gisht’. (Mateu 23:4; Luka 11:46) Nuk mund të lësh pa vërejtur portretizimin e pagabueshëm që ungjijtë u bëjnë krerëve fetarë, sidomos skribëve dhe farisenjve, si një grup njerëzish mburravecë, të pandjeshëm dhe hipokritë. Ata i përbuznin njerëzit e thjeshtë, si të pashkolluar e të papastër dhe përçmonin të huajt që ishin midis tyre. Një koment mbi qëndrimin e tyre vëren: «Sot, një njeri që mbingarkon kalin, është fajtor përpara ligjit. Ç’të themi, pra, për një njeri që ngarkonte 613 urdhërime mbi ‘njerëzit e thjeshtë’, të cilët s’kishin stërvitje fetare; e pastaj, pa bërë asgjë për t’i ndihmuar, i dënonin si të paperëndishëm?» Natyrisht, barra e vërtetë nuk ishte Ligji i Moisiut, por traditat e shumta që kishin vënë mbi popullin.

Shkaku i vërtetë i vështirësisë

9. Si ishin kushtet e popullit në kohën e Jezuit, në krahasim me ato në kohën e mbretit Solomon?

9 Disa herë, barra financiare mbi popullin ishte aq e rëndë, saqë kudo kishte varfëri. Izraelitët duhej të paguanin taksat e arsyeshme të Ligjit të Moisiut. Veç kësaj, gjatë periudhës së sundimit të Solomonit, populli mbështeti projekte kombëtare shumë të kushtueshme, si ndërtimin e tempullit dhe të ndërtesave të tjera. (1. Mbretërve 7:1-8; 9:17-19) Megjithatë, Bibla na thotë se njerëzit «pinin me gaz. Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni». (1. Mbretërve 4:20, 25) Cili ishte shkaku i ndryshimit?

10. Cili ishte shkaku i gjendjes së Izraelit në shekullin e parë?

10 Për sa kohë që kombi qëndroi i vendosur në adhurimin e pastër, gëzoi favorin e Jehovait dhe u bekua me siguri e lulëzim, pavarësisht nga shpenzimet e rënda kombëtare. Por, Jehovai paralajmëroi se nëse ata ‘do të largoheshin nga [ai] dhe nuk do të zbatonin urdhërimet [e tij]’, do të hasnin përmbysje serioze. Në fakt, ‘Izraeli do të bëhej gazi dhe tallja e tërë popujve’. (1. Mbretërve 9:6, 7) Punët vajtën pikërisht kështu. Izraeli ra nën sundimin e huaj dhe mbretëria njëherë e një kohë e lavdishme u shndërrua në një koloni të thjeshtë. Çfarë çmimi paguan ngaqë s’kishin përfillur detyrimet frymore!

11. Përse në sytë e Jezuit njerëzit ishin «të lodhur e të shpërndarë si delet pa bari»?

11 E gjithë kjo na ndihmon të kuptojmë se përse në sytë e Jezuit njerëzit ishin «të lodhur e të shpërndarë». Ata ishin izraelitë, populli i Jehovait, të cilët në përgjithësi përpiqeshin të jetonin sipas ligjeve të Perëndisë e të kryenin adhurimin e tyre në mënyrë të pranueshme. Megjithatë, ata shfrytëzoheshin e shtypeshin jo vetëm nga fuqia politike dhe tregtare, por edhe nga krerët apostatë fetarë. Ishin «si delet pa bari», sepse askush nuk kujdesej dhe nuk i mbronte ata. Kishin nevojë për ndihmë që të përballonin realitetin mjaft të ashpër. Sa e përshtatshme ishte ftesa e dashur dhe me mirësjellje e Jezuit.

Ftesa e Jezuit sot

12. Çfarë presionesh provojnë sot shërbëtorët e Perëndisë dhe njerëz të tjerë të sinqertë?

12 Në shumë mënyra, sot gjërat janë të ngjashme. Njerëzit e sinqertë që përpiqen të bëjnë një jetë të ndershme, e kanë të vështirë të mbajnë presionet e kërkesat e këtij sistemi të korruptuar gjërash. Edhe ata që i kanë dedikuar jetën Jehovait nuk janë të imunizuar nga kjo. Raportet tregojnë se disa nga shërbëtorët e Jehovait gjithnjë e më shumë e kanë të vështirë të përmbushin të gjitha përgjegjësitë e tyre, edhe nëse duan. Ndihen të rënduar, të lodhur e të sfilitur. Madje, disa mendojnë se do të gjejnë lehtësi po të lënë gjithçka e të zhduken diku gjetkë, për të mbledhur mendjen. A je ndier edhe ti ndonjëherë kështu? A njeh ndonjë të afërm që ndihet kështu? Po, ftesa e ngrohtë e Jezuit është plot me domethënie edhe për ne sot.

13. Përse mund të jemi të sigurt se Jezui mund të na ndihmojë me ngushëllim dhe freskim?

13 Përpara se të shtronte ftesën e tij, Jezui pohoi: «Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri do t’ia zbulojë.» (Mateu 11:27) Për shkak të kësaj marrëdhënieje të ngushtë midis Jezuit dhe Atit të tij, ne kemi sigurinë se, duke pranuar ftesën e Jezuit dhe duke u bërë dishepuj të tij, mund të lidhim një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain, «Perëndinë e çdo ngushëllimi». (2. Korintasve 1:3; krahaso Gjoni 14:6.) Përveç kësaj, meqë ‘i është dhënë çdo gjë’, vetëm Jezu Krishti ka fuqinë dhe autoritetin për të lehtësuar barrat tona. Cilat? Ato që na ka vënë mbi shpinë sistemi i korruptuar politik, tregtar dhe fetar, si edhe ato që na ka ngarkuar mëkati dhe papërsosmëria jonë e trashëguar. Çfarë mendimi inkurajues dhe sigurues!

14. Nga cilat mundime mund të na sigurojë freskim Jezui?

14 Jezui vazhdoi të thoshte: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje.» (Mateu 11:28) Sigurisht, nuk po fliste kundër punës së rëndë, pasi ai i këshilloi shpesh dishepujt që të përpiqeshin në punën që kishin për të kryer. (Luka 13:24) Por «të munduar» («të robtuar», BR; «punoj rëndë», Kingdom Interlinear) jep idenë e një pune të gjatë e sfilitëse, shpesh pa ndonjë rezultat që ia vlen. Ndërsa «të rënduar» mban idenë e dikujt që është rënduar përtej mundësive normale. Ndryshimi mund të jetë i ngjashëm me atë midis një burri që gërmon për të gjetur thesare të fshehura dhe një tjetri që hap gropa në një kamp pune. Të dy bëjnë punë të vështira. Njëri, ama, mezi pret t’ia fillojë punës, kurse për tjetrin ajo është një mundim pa fund. Ndryshimi qëndron në qëllimin e punës, apo në mospasjen e një qëllimi.

15. (a) Çfarë pyetjesh duhet t’i bëjmë vetes, nëse mendojmë se po mbajmë mbi supe një barrë të rëndë? (b) Ç’mund të thuhet në lidhje me burimin e barrave tona?

15 A mendon se je «i munduar dhe i rënduar», se po pretendojnë shumë nga ty, për sa u përket kohës dhe energjisë? Të duket se pesha që mban është tepër e rëndë për ty? Nëse po, mund të të jetë e dobishme të pyesësh veten: «Për çfarë po lodhem? Çfarë peshe po mbaj?» Në lidhje me këtë, një komentues i Biblës vërejti më shumë se 80 vjet më parë: «Nëse i shqyrtojmë peshat e jetës, ato ndahen në dy kategori; mund t’i ndajmë në ato që i vëmë vetes dhe në ato të pashmangshme: ato që vijnë për shkak të veprimeve tona dhe ato që s’varen prej tyre.» Më tej, ai shtoi: «Shumë nga ne do të habiteshin, kur pas një vetëshqyrtimi të saktë, të shihnin se sa e madhe është në proporcion me tërësinë e peshave tona, sasia e atyre që ne i ngarkojmë vetes.»

16. Cilat barra mund t’i ngarkojmë vetes, duke mos treguar mençuri?

16 Cilat janë disa nga peshat që mund t’i ngarkojmë vetes? Sot, ne jetojmë në një botë materialiste, që i pëlqejnë kënaqësitë dhe imorali. (2. Timoteut 3:1-5) Edhe të krishterët e dedikuar gjenden nën një presion të vazhdueshëm, për t’u konformuar me modën dhe stilin e jetesës së botës. Apostulli Gjon shkroi mbi ‘lakminë e mishit, lakminë e syve dhe krenarinë e jetës’. (1. Gjonit 2:16) Lehtësisht, këto mund të ndikojnë fuqishëm edhe mbi ne. Dihet se disa kanë hyrë në borxhe deri në grykë, vetëm për të gëzuar më shumë kënaqësitë e jetës e për të mbajtur njëfarë stili jetese. Pastaj, zbulojnë se u duhet të harxhojnë një sasi të madhe kohe në punë, apo të kryejnë punë të ndryshme, për të siguruar paratë e borxheve.

17. Cila situatë mund ta bëjë edhe më të rëndë barrën që mbajmë dhe si mund të shmanget kjo?

17 Edhe nëse dikush mund të arsyetojë që nuk është e gabuar të ketë apo të bëjë disa gjëra që edhe të tjerët i kanë apo i bëjnë, është e rëndësishme të analizohet nëse po e rëndon më kot peshën e tij. (1. Korintasve 10:23) Pasi nuk mund të mbahet më shumë se kaq, për të mbajtur një peshë tjetër duhet eliminuar diçka. Zakonisht, eliminohen të parat gjërat thelbësore për mirëqenien tonë frymore, studimi personal i Biblës, frekuentimi i mbledhjeve dhe shërbimi në fushë. Si rrjedhojë, humbet forca frymore, e cila, nga ana e saj, e bën akoma edhe më të rëndë mbajtjen e peshës. Jezu Krishti paralajmëroi kundër një rreziku të tillë, kur tha: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.» (Luka 21:34, 35; Hebrenjve 12:1) Është e vështirë të diktosh një lak e të shpëtosh prej tij, nëse je i rënduar dhe i lodhur.

Lehtësim dhe freskim

18. Çfarë u ofron Jezui atyre që vijnë tek ai?

18 Prandaj, me dashuri Jezui ofroi zgjidhjen: «Ejani tek unë, . . . dhe unë do t’ju freskoj.» (Mateu 11:28, BR) Fjala «freskoj» që është përdorur këtu dhe fjala «freskim» në vargun 29, vijnë nga fjalët greke që versioni Septuaginta i përdor për të përkthyer fjalët hebreje «sabat» dhe «mbajtja e sabatit». (Të Dalët 16:23) Pra, Jezui nuk premtoi se ata që do të shkonin tek ai nuk do të punonin më, por premtoi se do t’i freskonte, në mënyrë që të ishin të gatshëm për punën që do të kryenin në përputhje me qëllimin e Perëndisë.

19. Si mund ‘të shkojmë te Jezui’?

19 Por, si mund ‘të shkojë te Jezui’ një person? Dishepujve të tij, Jezui u tha: «Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin [shtyllën e mundimeve, BR] e vet dhe të më ndjekë.» (Mateu 16:24) Prandaj, që një person të shkojë te Jezui, duhet t’ia nënshtrojë vullnetin personal atij të Perëndisë e të Krishtit, duke pranuar njëfarë peshe me përgjegjësi, duke vepruar kështu vazhdimisht. A mos është e tepërt e gjithë kjo? Çmimi tepër i lartë? Le të shqyrtojmë çfarë tha Jezui, pasi kishte lëshuar ftesën e dashur për të lodhurit.

A të kujtohet?

◻ Në ç’mënyra ishin të rënduar njerëzit në ditët e Jezuit?

◻ Cili ishte shkaku i vërtetë i vështirësive të popullit?

◻ Si duhet ta shqyrtojmë veten, nëse ndihemi shumë të rënduar?

◻ Cilat barra mund t’i ngarkojmë vetes, duke mos treguar mençuri?

◻ Si mund ta marrim freskimin që premtoi Jezui?

[Figura në faqen 15]

Cilat janë disa nga barrat që mund të ngarkojmë mbi veten tonë?

[Burimi i figurës në faqen 15]

Me mirësjelljen e Ministrisë së Turizmit, Bahama

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo