Të gëzuar në një botë pa gëzim
«NË ASPEKTIN e tij më të keq, ky ka qenë shekulli i Satanait,—fillon një artikull në gazetën The New York Times të 26 janarit 1995.—Në asnjë periudhë të mëparshme, njerëzit nuk kanë shfaqur një prirje dhe një etje kaq të madhe, për të vrarë miliona njerëz të tjerë për arsye race, feje apo klase.»
Përvjetori i 50-të i lirimit të viktimave të pafajshme, të burgosura në kampet naziste të vdekjes, u bë shkëndija që nxiti artikuj të tillë, si i lartpërmenduri. Megjithatë, të njëjtat lloje vrasjesh të egra ndodhin ende në disa pjesë të Afrikës dhe të Evropës Lindore.
Sido që të quhen: shfarosje të organizuara, spastrime etnike, masakra ndërmjet fiseve, ato sjellin dhimbje të mëdha. E megjithatë, në mes të këtyre kasaphanave ngrihen zëra të fuqishëm gëzimi. Le të shohim, për shembull, Gjermaninë e viteve ’30.
Që nga prilli i vitit 1935, Dëshmitarët e Jehovait ishin ndaluar nga të gjitha shërbimet civile prej Hitlerit dhe partisë së tij naziste. Gjithashtu, Dëshmitarët ishin arrestuar, burgosur dhe ishin dërguar nëpër kampet e përqendrimit, pasi mbanin asnjanësinë e krishterë. (Gjoni 17:16) Nga fundi i gushtit 1936, midis Dëshmitarëve të Jehovait u bënë arrestime në masë. Mijëra prej tyre u dërguan nëpër kampet e përqendrimit, ku shumë prej të cilëve mbetën deri në 1945-ën, nëse mbijetuan. Por, si reaguan Dëshmitarët kundrejt trajtimit çnjerëzor që iu bë nëpër kampe? Sado e habitshme që mund të duket, ata mundën të mbanin gëzimin, edhe pse përreth tyre gëzimi mungonte.
«Një shkëmb mes baltës»
Kristin King, një historiane britanike, intervistoi një grua katolike që kishte qenë në kamp. «Ajo përdori një frazë që unë s’do ta harroj kurrë,—tha dr. King.—Ajo foli me hollësi të madhe për tmerret e jetës, për kushtet e neveritshme në të cilat kishte jetuar. Tha se kishte njohur Dëshmitarë dhe se ishin një shkëmb mes baltës. Ata ishin si ca vende të forta mes gjithë asaj lluce. Tha se ata ishin të vetmit njerëz që nuk pështynin prapa rojeve kur ata kalonin. Ishin të vetmit njerëz që nuk e përballuan situatën me urrejtje, por me dashuri, me shpresë dhe me ndjenjën se ajo kishte një qëllim.»
Si mundën Dëshmitarët e Jehovait të ishin si ‘shkëmbinj mes baltës’? Falë besimit të patundur në Perëndinë Jehova dhe në Birin e tij, Jezu Krishtin. Prandaj, përpjekjet e Hitlerit për të mbytur dashurinë dhe gëzimin e tyre të krishterë dështuan.
Ja, ç’kujtojnë dy nga të mbijetuarit e kampeve, pesë dekada mbasi duruan me sukses këtë sprovë besimi. Një motër thotë: «Fluturoj nga gëzimi, duke ditur se kisha privilegjin e veçantë për të provuar dashurinë dhe mirënjohjen time ndaj Jehovait nën rrethanat më mizore. Askush s’më detyroi të veproja ashtu! Përkundrazi, ata që u përpoqën të na detyronin ishin armiqtë tanë, të cilët me kërcënime u munduan të na bënin që t’i bindeshim më shumë Hitlerit, se Perëndisë, por nuk arritën! Jo vetëm që jam e lumtur tani, por për shkak të një ndërgjegjeje të mirë, isha e lumtur edhe kur gjendesha prapa mureve të burgut.»—Maria Hombak, 94 vjeçe.
Një Dëshmitar tjetër pohon: «Mendoj me mirënjohje dhe me gëzim për ditët kur isha i burgosur. Vitet që kaluam nën Hitlerin, nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, ishin të vështira dhe plot me sprova. Por, s’do të doja të mos kisha qenë atëherë, pasi më mësuan të besoja në mënyrë absolute në Jehovain.»—Johanes Noibaker, 91 vjeç.
‘Të besosh në mënyrë absolute në Jehovain’, ky ishte sekreti i gëzimit që provonin Dëshmitarët e Jehovait. Për këtë arsye ata janë të gëzuar, edhe pse janë të rrethuar nga një botë pa gëzim. Gëzimi i tyre ishte i dukshëm nëpër kongreset krahinore «Lavdërues të Gëzuar», që u mbajtën muajt e fundit. Le të rishikojmë shkurtimisht këto grumbullime të gëzueshme.
[Figura në faqen 4]
Maria Hombak