Pyetje nga lexuesit
Efesianëve 3:14, 15 thotë se prej Perëndisë «merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë». A ka familje në qiej dhe a e merr në ndonjë mënyrë çdo familje njerëzore emrin e saj prej Jehovait?
Në qiell nuk ka familje ashtu siç ka mbi tokë, me një baba, mama dhe fëmijë, të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin në mënyrë mishore. (Luka 24:39; 1. Korintasve 15:50) Jezui tregoi qartë se engjëjt nuk martohen dhe asgjë nuk sugjeron se ata prodhojnë në ndonjë mënyrë pasardhës.—Mateu 22:30.
Sidoqoftë, Bibla flet në mënyrë figurative për Perëndinë Jehova sikur është martuar me organizatën e tij qiellore; ai është martuar në kuptim frymor. (Isaia 54:5) Kjo organizatë qiellore prodhon pasardhës të tillë si engjëjt. (Jobi 1:6; 2:1; 38:4-7) Në këtë kuptim, pra, ekziston një familje e mrekullueshme frymore në qiej.
Për më tepër, një familje figurative po krijohet në qiej, që përbëhet nga Jezu Krishti dhe nusja e tij kongregacionale e të 144.000-ve. (2. Korintasve 11:2) Shumica prej këtyre të mirosurve tashmë kanë vdekur, me perspektivën e një jete qiellore. Disa janë akoma gjallë në tokë. Të gjithë mezi presin ‘dasmën e Qengjit’ në qiell. Bibla e lidh këtë martesë me kohën e mjerimit të madh që po afron: shkatërrimi i Babilonisë së Madhe dhe më pas, eliminimi i pjesës tjetër të sistemit të Satanait.—Zbulesa 18:2-5; 19:2, 7, 11-21; Mateu 24:21.
Për sa u takon familjeve tokësore, apostulli Pavël në Efesianëve 3:15, nuk tregon që çdo grup familjar i veçantë merr emrin e tij drejtpërdrejt nga Jehovai. Më saktë, Pavli me sa duket ka në mendje rrethin e gjerë familjar që mban një emër. Josiu 7:16-19 na jep një shembull. Jehovai po zbulonte mëkatin e Akanit. Së pari, faji u përqendrua ose u kufizua mbi fisin e Judës. Më pas, u ngushtua në familjen e Zerahitëve. Më në fund, u zbulua shtëpia e Akanit. Akani, bashkë me gruan dhe fëmijët e tij u panë ose u cilësuan si pjesë e shtëpisë (ose familjes) së Zabdit, gjyshit të Akanit. Kjo familje, nga ana e saj, ishte grupi i gjerë që ruante emrin e stërgjyshit të tyre Zerahut.
Midis hebrenjve, rrethe të tilla familjare kishin një rëndësi të madhe, pasi shumë prej tyre radhiten në Bibël. Perëndia përkrahu ruajtjen e tyre duke marrë masa, kur ishte e nevojshme, në mënyrë që trashëgimtarët ta kalonin emrin e familjes nëpërmjet leviratit ose martesës me kunatin.—Zanafilla 38:8, 9; Ligji i përtërirë 25:5, 6.
Si një shembull tjetër i familjeve të tilla të mëdha ose të gjera, konsidero Jezuin si bir të Davidit. Ai pa dyshim që nuk ishte pasardhës i drejtpërdrejtë i mbretit David, pasi lindi disa shekuj pas vdekjes së Davidit. Por, një shenjë identifikuese e Mesisë ishte se do të rridhte nga familja e Davidit, siç e dinin në përgjithësi judenjtë. (Mateu 22:42) Jezui rridhte nga familja e Davidit, si nga e ëma, ashtu dhe nga i ati që e kishte adoptuar.—Mateu 1:1; Luka 2:4.
Por si e marrin këto familje emrin e tyre nga Jehovai? Fakti është se ka disa raste, të tilla si në rastin e Abrahamit dhe të Isakut, kur Jehovai në kuptim të drejtpërdrejtë emëron një kryefamiljar. (Zanafilla 17:5, 19) Këto ishin përjashtime. Në pjesën më të madhe, Jehovai nuk i jep çdo familjeje të veçantë emrin që u kalon fëmijëve.
Megjithatë, Jehovai krijoi njësinë familjare njerëzore, kur urdhëroi Adamin dhe Evën që ‘të ishin të frytshëm dhe të shumëzoheshin, të mbushnin tokën’. (Zanafilla 1:28) Jehovai lejoi që Adami dhe Eva, në papërsosmërinë e tyre të prodhonin pasardhës, duke hapur kështu rrugën për gjithë familjet njerëzore. (Zanafilla 5:3) Prandaj, në më shumë se një kuptim, Perëndia mund të quhet Krijuesi i emrave familjarë.
Shumë kultura sot nuk ndiejnë më nevojën për t’i mbajtur gjallë emrat e familjeve ndër breza. Megjithatë, në të gjitha vendet, të krishterët falënderojnë Jehovain për rregullimin familjar dhe e nderojnë atë, duke u përpjekur shumë për ta bërë njësinë e tyre familjare një sukses.