Të bashkuar në shërbimin e Perëndisë në kohë të mira dhe të këqija
Treguar nga Mishel dhe Babeta Myller
«KAM lajme të këqija për ty,—tha mjeku.—Mund t’i thuash lamtumirë jetës tënde si misionare në Afrikë.» Duke shikuar nga gruaja ime, Babeta, ai tha: «Ke kancer në gji.»
Shtangëm pa fjalë. Shumë gjëra shkrepëtinë në mendjet tona. Kishim menduar se kjo vizitë tek mjeku do të ishte vetëm një kontroll përfundimtar. Biletat e avionit për t’u kthyer në Benin, në Afrikën Perëndimore, ishin blerë. Kishim shpresuar të ktheheshim atje brenda javës. Gjatë 23 vjetëve të martesës, kishim përjetuar kohë të mira dhe të këqija. Të hutuar dhe të frikësuar, tani u përgatitëm për një luftë kundër kancerit.
Le të fillojmë nga fillimi. Misheli lindi në shtator 1947, Babeta në gusht 1945. U rritëm në Francë dhe u martuam në vitin 1967. Jetonim në Paris. Një mëngjes, nga fillimi i vitit 1968, Babeta ishte vonë për në punë. Një zonjë erdhi në derë dhe i ofroi një broshurë fetare; ajo e pranoi. Pastaj zonja tha: «A mund të kthehem me burrin tim për të folur me ju dhe burrin tuaj?»
Babeta e kishte mendjen te puna. Ajo donte që gruaja të largohej, prandaj i tha: «Në rregull, në rregull.»
Mishel tregon: «Nuk më interesonte feja, por broshura më tërhoqi vëmendjen dhe kështu e lexova. Disa ditë më vonë, zonja Zhaklin Lëmuan, u kthye me burrin e saj, Klodin. Ai ishte mjaft i shkathët në përdorimin e Biblës. Iu përgjigj të gjitha pyetjeve të mia. Më bëri përshtypje.
Babeta ishte një katolike e mirë, por nuk kishte Bibël, gjë që nuk ishte e pazakonshme për katolikët. Ajo ishte shumë e etur për të shikuar dhe për të lexuar Fjalën e Perëndisë. Nga studimi mësuam se shumë ide fetare që kishim mësuar ishin të rreme. Filluam të flisnim me të afërmit dhe miqtë tanë për gjërat që po mësonim. Në janar të vitit 1969 u bëmë Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait. Nëntë nga të afërmit dhe miqtë tanë u pagëzuan pak kohë pas kësaj.»
Duke shërbyer ku kishte nevojë për predikues
Shpejt pas pagëzimit tonë menduam: ‘Ne nuk kemi fëmijë. Përse të mos fillojmë shërbimin e plotëkohor?’ Kështu në 1970-ën, i lamë punët tona, u futëm në radhët e pionierëve të rregullt dhe u transferuam në qytetin e vogël Manji-Lorm, pranë Neverit, në qendër të Francës.
Ishte një caktim i vështirë. Ishte e vështirë të gjeje njerëz që donin të studionin Biblën. Nuk mundëm të gjenim punë, prandaj kishim pak para. Disa herë kishim vetëm patate për të ngrënë. Gjatë dimrit, temperaturat uleshin mjaft nën zero. Periudhën që kaluam atje e quajtëm koha e shtatë lopëve të dobëta.—Zanafilla 41:3.
Por Jehovai na mbështeti. Një ditë, kur kishim mbetur pothuaj pa ushqim, portieri solli një kuti të madhe djathi nga motra e Babetës. Një ditë tjetër, kur u kthyem nga predikimi, gjetëm në shtëpi disa miq që kishin udhëtuar 500 km për të na takuar. Pasi kishin dëgjuar se sa e vështirë ishte gjendja, ata vëllezër i kishin mbushur të dyja makinat e tyre me ushqime për ne.
Pas një viti e gjysmë, shoqata na emëroi si pionierë specialë. Gjatë katër vjetëve të tjerë, shërbyem në Never, pastaj në Trojè dhe së fundi në Montinji-le-Mets. Në 1976-ën, Misheli u caktua për të shërbyer si mbikëqyrës qarkor në jugperëndim të Francës.
Dy vjet më vonë, gjatë një shkolle për mbikëqyrës qarkorë, morëm një letër nga Shoqata Watch Tower, e cila na ftonte të shkonim jashtë shtetit si misionarë; letra thoshte se duhej të zgjidhnim midis Çadit dhe Burkina Fasos (në atë kohë Volta e Sipërme). Zgjodhëm Çadin. Shpejt, morëm një letër tjetër që na caktonte të punonim nën degën e Tahitit. Kishim kërkuar për në Afrikë, një kontinent shumë i madh, por shpejt e pamë veten në një ishull të vogël!
Shërbimi në Paqësorin Jugor
Tahiti është një ishull i mrekullueshëm tropikal në Paqësorin Jugor. Kur mbërritëm atje, rreth njëqind vëllezër kishin dalë për të na takuar në aeroport. Ata na pritën me kurora lulesh dhe megjithëse ishim të lodhur pas një udhëtimi të gjatë nga Franca, ishim shumë të lumtur.
Katër muaj pas mbërritjes në Tahiti, hipëm në një anije lundrimi të mbushur me një sasi arrash kokosi të thata. Pesë ditë më vonë, arritëm në caktimin tonë të ri, ishulli Nuku Hiva në ishujt Markuesas. Në atë ishull jetonin rreth 1.500 banorë, por nuk kishte asnjë vëlla. Ishim vetëm ne.
Në atë kohë, kushtet ishin primitive. Jetonim në një shtëpi të vogël, të bërë me çimento dhe dru bambuje. Energji elektrike nuk kishte. Kishim një rubinet uji që funksiononte nganjëherë, por uji ishte i turbullt. Në shumicën e rasteve përdornim ujë shiu që e mblidhnim në një cisternë. Nuk kishte rrugë të shtruara, por vetëm shtigje të ndotura.
Për të shkuar në pjesët e largëta të ishullit duhej të merrnim kuaj me qira. Shalët e kuajve ishin bërë prej druri, aspak të rehatshme, veçanërisht për Babetën, e cila kurrë nuk kishte hipur mbi ndonjë kalë më parë. Mbanim një hanxhar për të prerë degët e bambuve që kishin rënë përgjatë shtegut. Ishte një ndryshim i madh nga jeta në Francë.
Bënim vetëm mbledhjen e së dielës, megjithëse vetëm ne të dy ishim të pranishëm. Në fillim nuk bënim mbledhje të tjera, pasi ishim vetëm ne të dy. Në vend të kësaj, lexonim së bashku materialin e mbledhjes.
Pas disa muajsh, vendosëm se nuk ishte mirë të vazhdonim në atë mënyrë. Misheli tregon: «I thashë Babetës: ‘Duhet të vishemi siç duhet. Ti ulu atje, ndërsa unë do të ulem këtu. Unë do të filloj me një lutje dhe pastaj do të bëjmë Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit. Unë do të bëj pyetjet dhe ti do të përgjigjesh, edhe pse je i vetmi person tjetër në dhomë.’ Ajo që bëmë ishte një gjë e mirë, sepse mund të biesh lehtë frymësisht kur nuk ka kongregacion.»
Na u desh kohë të gjenim njerëz që të vinin në mbledhjet tona të krishtere. Ne të dy ishim të vetëm gjatë tetë muajve të parë. Më vonë, me ne bashkoheshin një, dy, apo disa herë tre të tjerë. Një vit, vetëm ne të dy e filluam kremtimin vjetor të Darkës së Zotërisë. Pas dhjetë minutash erdhën disa njerëz, prandaj ndalova dhe e fillova fjalimin përsëri.
Sot, në ishujt Markuesas ka 42 lajmëtarë dhe 3 kongregacione. Edhe pse pjesa më e madhe e veprës u krye nga ata që erdhën pas nesh, disa njerëz që i takuam në atë kohë, tani janë të pagëzuar.
Vëllezërit tanë janë të çmuar
Në Nuku Hiva mësuam durimin. Na duhej të prisnim për çdo gjë, duke lënë mënjanë nevojat tona më themelore. Nëse doje një libër, për shembull, duhej të shkruaje për të dhe pastaj të prisje dy apo tre muaj para se të vinte.
Një tjetër mësim që nxorëm ishte se vëllezërit tanë janë të çmuar. Kur vizituam Tahitin ndoqëm një mbledhje dhe kur dëgjuam vëllezërit tanë duke kënduar, qamë. Mund të jetë e vërtetë që disa vëllezër e kanë të vështirë të përparojnë, por kur je vetëm e kupton se sa mirë është që të jesh me shoqërinë e vëllezërve. Në 1980-ën, Shoqata vendosi se duhej të ktheheshim në Tahiti dhe të shërbenim në veprën qarkore. Atje u inkurajuam shumë nga mikëpritja e ngrohtë e vëllezërve dhe dashuria e tyre për veprën e predikimit. Kaluam tre vjet në veprën qarkore në Tahiti.
Nga ishulli në ishull
Këtë herë u caktuam në një shtëpi misionare në Raïatéa, një tjetër ishull në Paqësor dhe qëndruam atje për rreth dy vjet. Pas Raïatéas, u caktuam në veprën qarkore në grupin e ishujve Tuamotu. Vizituam me barkë 25 prej 80 ishujve që ishin. Për Babetën ishte e vështirë. Sa herë që udhëtonte mbi një barkë, atë e zinte deti.
Babeta thotë: «Ishte e tmerrshme! Isha e sëmurë gjatë gjithë kohës që kalonim në barkë. Nëse ishim në det pesë ditë, isha e sëmurë pesë ditë. Asnjë ilaç nuk më bënte gjë. Por, megjithë sëmundjen time, mendoja se oqeani ishte i bukur. Ishte një pamje e mrekullueshme. Delfinët konkuronin me barkën. Ata shpesh kërcenin mbi ujë nëse përplasje duart!»
Pas pesë vjetësh në veprën qarkore, u caktuam përsëri në Tahiti për dy vjet dhe përsëri ia kaluam mirë në veprën e predikimit. Kongregacionet tona u dyfishuan nga 35 në 70 lajmëtarë për një vit e gjysmë. Dymbëdhjetë nga ata me të cilët studionim Biblën, u pagëzuan pak më përpara se të largoheshim ne. Disa prej tyre janë tani pleq në kongregacion.
Gjithsej, kaluam 12 vjet në Paqësorin Jugor. Pastaj morëm një letër nga Shoqata, ku thuhej se nuk kishin më nevojë për misionarë në ishuj, aq më tepër pasi kongregacionet tani ishin të forta. Kishte rreth 450 lajmëtarë kur arritëm në Tahiti dhe mbi 1.000 kur u larguam.
Më në fund Afrika!
U rikthyem në Francë dhe pas një muaji e gjysmë Shoqata na dha një caktim të ri: Benin, Afrika Perëndimore. Kishim dashur të shkonim në Afrikë 13 vjet më parë, kështu që ishim shumë të lumtur.
Në Benin mbërritëm më 3 nëntor 1990 dhe ishim ndër të parët misionarë që vinim pas heqjes së ndalimit prej 14 vjetësh të aktivitetit të predikimit të Mbretërisë. Ishte shumë emocionuese. Nuk kishim problem për t’u rehatuar, sepse jeta është e ngjashme me atë në ishujt e Paqësorit. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Mund të ndalosh dhe të flasësh me cilindo në rrugë.
Vetëm pak javë pasi mbërritëm në Benin, Babeta vuri re një kokërr në gji. Prandaj shkuam në një klinikë të vogël pranë zyrës së degës të ndërtuar para pak kohësh. Doktori e kontrolloi dhe i tha se duhej të operohej sa më shpejt. Të nesërmen, shkuam në një klinikë tjetër, ku pamë një mjeke evropiane, një gjinekologe nga Franca. Edhe ajo tha se duhej të shkonim menjëherë në Francë në mënyrë që Babeta të operohej. Dy ditë më vonë, ishim në aeroplan për në Francë.
Na vinte keq që po e linim Beninin. Me përtëritjen e lirisë fetare në vend, vëllezërit mezi prisnin të kishin misionarë të rinj dhe ne ishim të kënaqur që ndodheshim atje. Prandaj na vinte keq që duhej të largoheshim vetëm pas disa javëve që kishim qenë në atë vend.
Kur mbërritëm në Francë, kirurgu e kontrolloi Babetën dhe pohoi se ajo duhej operuar. Doktorët vepruan me shpejtësi, kryen një operacion të vogël dhe e nxorën Babetën nga spitali ditën tjetër. Menduam se me kaq mbaroi.
Tetë ditë më vonë, u takuam me kirurgun. Ishte momenti kur ai njoftoi lajmin se Babeta kishte kancer në gji.
Duke menduar mbi atë se si ndihej në atë kohë, Babeta thotë: «Në fillim, isha më pak e mërzitur se Misheli. Por ditën pas lajmit të keq nuk kisha më ndjenja. Nuk mundja të qaja. Nuk mundja të qeshja. Mendoja se po shkoja drejt vdekjes. Për mua, kanceri ishte njëlloj me vdekjen. Qëndrimi im ishte se duhej të bënim çfarëdo gjë që ishte e nevojshme.»
Lufta me kancerin
Lajmin e keq e morëm të premten dhe Babeta u programua për një operacion të dytë të martën. Qëndronim tek motra e madhe e Babetës, por edhe ajo ishte e sëmurë, prandaj nuk mund të vazhdonim të qëndronim më në apartamentin e saj të vogël.
Pyesnim veten se ku mund të shkonim. Pastaj na u kujtuan Iv dhe Brizhit Merd, një çift me të cilin kishim qëndruar më parë. Ky çift ka qenë shumë mikpritës me ne. Kështu, i telefonuam Ivit dhe i thamë se Babeta duhej të operohej dhe se nuk dinim ku të qëndronim. Gjithashtu, i thamë se Mishelit i nevojitej një punë.
Ivi gjeti për Mishelin një punë pranë shtëpisë së tij. Vëllezërit na mbështetën dhe na inkurajuan me shumë vepra dashamirësie. Na ndihmuan edhe nga ana financiare. Shoqata pagoi recetën e ilaçeve të Babetës.
Operacioni ishte mjaft i rrezikshëm. Mjekët duhej të hiqnin gjendrat e limfës dhe gjirin. Ata filluan menjëherë kimioterapinë. Pas një jave, Babeta mundi të dilte nga spitali, por i duhej të kthehej çdo tri javë për terapi të vazhdueshme.
Gjatë kohës që Babeta bënte trajtimin, vëllezërit në kongregacion ishin një ndihmë e madhe. Një motër, e cila kishte patur po ashtu kancer në gji, ishte një inkurajim i madh. Ajo i tha Babetës se çfarë duhej të priste dhe i dha shumë ngushëllim.
Megjithatë, ishim në ankth për të ardhmen. Duke e vënë re këtë, Mishel dhe Zhaneta Selerie, na çuan në një restorant për darkë.
U thamë se na duhej ta linim shërbimin si misionarë dhe se kurrë nuk mund të ktheheshim në Afrikë. Por vëllai Selerie tha: «Çfarë? Kush tha se duhet ta lini? Trupi Udhëheqës? Vëllezërit në Francë? Kush ua tha këtë?»
—Askush nuk e ka thënë,—u përgjigja,—unë po them.
—Jo, jo!—tha vëlla Selerie.—Ju do të ktheheni!
Kimioterapia u pasua nga rrezet, gjë që përfundoi nga fundi i gushtit të vitit 1991. Mjekët thanë se nuk shihnin ndonjë problem nëse ktheheshim në Afrikë, por duhej që Babeta të kthehej në Francë për kontrolle të rregullta.
Kthimi në Benin
Kështu, i shkruam selisë qendrore në Bruklin, duke kërkuar leje për t’u rikthyer në shërbimin si misionarë. Ishim në ankth deri në marrjen e përgjigjes së tyre. Ditët dukeshin sikur kalonin ngadalë. Së fundi, Misheli nuk mundi të priste më gjatë, prandaj telefonoi në Bruklin dhe pyeti nëse e kishin marrë letrën tonë. Thanë se e kishin shqyrtuar dhe mund të ktheheshim në Benin! Sa mirënjohës i ishim Jehovait!
Familja Merd organizoi një mbrëmje të madhe të gëzueshme, për të festuar lajmin. Në nëntor të vitit 1991 u kthyem në Benin dhe vëllezërit na pritën me gosti!
Babeta duket se është mirë tani. Herë pas here jemi kthyer në Francë për të përfunduar kontrollet mjekësore dhe mjekët nuk shohin më gjurmë kanceri. U gëzuam që u kthyem në caktimin tonë si misionarë. Ndihemi të nevojshëm në Benin dhe Jehovai e ka bekuar punën tonë. Që kur jemi kthyer, kemi ndihmuar 14 njerëz për t’u pagëzuar. Pesë prej tyre tani janë pionierë të rregullt dhe njëri është emëruar si shërbëtor ndihmës. Gjithashtu, kemi parë kongregacionin tonë të vogël të rritet dhe pastaj të ndahet në dy kongregacione.
Gjatë viteve, i kemi shërbyer Jehovait si burrë e grua, kemi gëzuar shumë bekime dhe kemi njohur shumë njerëz të mrekullueshëm. Por, gjithashtu, Jehovai na ka stërvitur e na ka forcuar për të duruar me sukses vështirësitë. Ashtu si Jobi, nuk e kuptonim gjithmonë se përse gjërat ndodhnin në atë mënyrë, por e dinim se Jehovai ishte gjithmonë atje, për të na ndihmuar. Është ashtu siç thotë Fjala e Perëndisë: «Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.»—Isaia 59:1.
[Figura në faqen 23]
Mishel dhe Babeta Myller me veshje tradicionale në Benin
[Figurat në faqen 25]
Vepra misionare mes polinezianëve në Tahitin tropikal