Siguria e vërtetë një synim i vështirë për t’u arritur
ARNOLDI ishte një fëmijë që e donte shumë tigrin e tij lodër. Kudo që shkonte, e merrte atë me vete: në lojë, në tavolinë, në krevat. Për të, tigri ishte ai që i jepte qetësim, siguri. Por një ditë, ndodhi një hata. Tigri humbi.
Arnoldi qante. E ëma, i ati dhe tre vëllezërit më të mëdhenj kthyen përmbys gjithë shtëpinë për të gjetur tigrin. Më në fund, njëri prej tyre e gjeti në një sirtar. Siç duket, Arnoldi e kishte futur atje e pastaj kishte harruar ku e kishte lënë. Tigri u gjet prapë dhe Arnoldi i fshiu lotët. Ai ndihej përsëri i lumtur dhe i sigurt.
Sa e mrekullueshme do të kishte qenë, sikur të gjitha problemet të zgjidheshin kaq lehtë, po kaq lehtë sa gjetja e një tigri lodër në një sirtar! Megjithatë, për shumicën e njerëzve, çështja e sigurisë është shumë më serioze dhe më e koklavitur sesa kaq. Gati kudo, njerëzit pyesin veten: «Mos vallë do të bëhem viktimë e krimit dhe e dhunës? A rrezikoj të humb punën? A është siguruar familja ime me ushqim të mjaftueshëm? A do të më shmangin të tjerët, për shkak të fesë dhe mjedisit tim etnik?»
Numri i njerëzve që s’kanë siguri është i pafund. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth tre miliardë njerëz nuk kanë të mundur jo vetëm trajtimin me kura mjekësore të sëmundjeve të zakonshme, por edhe me ilaçe të domosdoshme. Më shumë se një miliardë njerëz dergjen në varfëri ekstreme. Gati një miliardë persona, megjithëse të aftë për punë, nuk janë përdorur me rendiment. Numri i refugjatëve është në rritje. Duke filluar nga viti 1994, gati 1 ndër 115 banorë të tokës, ka qenë i detyruar të lërë shtëpinë. Miliona jetë janë shkatërruar si pasojë e hedhjes në treg të narkotikëve me një vlerë vjetore prej 500 miliardë dollarësh, të cilët shtojnë akte të panumërta krimi dhe dhune. Lufta ka rrënuar jetën e miliona njerëzve. Vetëm gjatë vitit 1993, 42 vende u përfshinë në konflikte më të mëdha, ndërsa 37 të tjera përjetuan dhunën politike.
Lufta, varfëria, krimi dhe të tjera kërcënime të sigurisë njerëzore janë të ndërlidhura dhe rriten gjithnjë e më shumë në numër. Për të tilla probleme, nuk ka zgjidhje «tigri në sirtar». E vërteta është se njerëzit as që kanë për t’i zgjidhur.
«Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë»,—paralajmëron Fjala e Perëndisë, Bibla. Po ku, atëherë, mund të besojmë? Po ky shkrim vazhdon: «Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij, që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to.»—Psalmi 146:3-6.
Përse mund të besojmë se Jehovai mund t’i sjellë siguri kësaj bote? A është e mundur të gëzojmë jetë të sigurt dhe të lumtur në këtë kohë? Si do t’i heqë Perëndia pengesat për sigurinë njerëzore?