Kush e meriton të quhet rabi?
NJË turist që nuk e priste atë trafik aq të dendur, pak shpresa kishte për të mbërritur në kohë në aeroport. Qindra policë përpiqeshin të drejtonin trafikun, ndërkohë që vëzhgonin edhe kortezhin e përmortshëm prej 300.000 vetash, që kishin mbushur rrugët e Jerusalemit. Një gazetë e quajti «një kortezh të përmortshëm me përmasa të tilla që zakonisht ruhen vetëm për presidentët, mbretërit apo diktatorët totalitarë». (The Jerusalem Post) Kush mund ta kishte shkaktuar një vërshim të tillë devotshmërie, duke paralizuar kryeqytetin e Izraelit për orë të tëra? Një rabi i respektuar. Përse pozita e rabinit kërkon një respekt dhe devotshmëri të tillë ndër judenjtë? Kur u fut për herë të parë në përdorim termi «rabi»? Kujt i aplikohet me të drejtë?
A ishte Moisiu një rabi?
Emri më i respektuar në judaizëm është Moisiu, ndërmjetësi i besëlidhjes së Ligjit për Izraelin. Judenjtë fetarë e quajnë «Moisi, ‘rabini ynë’». Megjithatë, asgjëkundi në Bibël, Moisiut nuk iu është drejtuar me titullin «rabi». Në fakt, termi «rabi» nuk duket asnjëherë në Shkrimet Hebreje. Si, atëherë, judenjtë filluan t’i drejtoheshin Moisiut në këtë mënyrë?
Sipas Shkrimeve Hebreje, përgjegjësia dhe autoriteti për të mësuar dhe për të shpjeguar Ligjin, iu dha pasardhësve të Aaronit, priftërinjve të fisit të Levit. (Levitiku 10:8-11; Ligji i përtërirë 24:8; Malakia 2:7) Megjithatë, në shekullin e dytë p.e.s., brenda judaizmit filloi një revolucion i heshtur, i cili pati një ndikim të pashlyeshëm që nga ajo periudhë e më pas.
Në lidhje me këtë metamorfozë frymore, Daniel Jeremi Silver shkruan në një vepër historike: «Në [atë] kohë, një klasë skribësh dhe dijetarësh jopriftërorë filluan të sfidonin legjitimitetin e monopolit priftëror të interpretimit të Torës [Ligjit të Mosiut]. Të gjithë u pajtuan me mendimin se priftërinjtë nevojiteshin si funksionarë të Tempullit, por përse ata duhej të kishin fjalën e fundit, për sa u përket çështjeve në lidhje me Torën?» (A History of Judaism) Kush ishin nxitësit e kësaj sfide ndaj autoritetit të klasës priftërore? Ishte një grup i ri brenda judaizmit, me emrin Farisenj. Silver vazhdon: «Farisenjtë i bazonin pranimet e tyre nëpër akademi, sipas lindjes [pasardhjes priftërore] dhe sollën një klasë të re judenjsh në udhëheqjen fetare.»
Duke filluar nga shekulli i parë i e.s., të diplomuarit e këtyre akademive fariseje filluan të njiheshin si mësues ose mjeshtër të ligjit judaik. Në shenjë respekti, judenjtë e tjerë filluan t’u drejtoheshin atyre me fjalët «mësuesi im» ose «mjeshtri im», që në hebraisht do të thotë rabi.
Asgjë tjetër në botë nuk mund t’i jepte më shumë legjitimitet këtij titulli të ri, sesa t’ia aplikoje atë atij që konsiderohej si mësuesi më i madh në historinë judeje, Moisiut. Ndikimi i aplikimit të titullit rabi për Moisiun, do të zvogëlonte më tej theksin mbi priftërinë, ndërkohë që do të theksonte imazhin e ndikimit gjithnjë e në rritje të udhëheqjes fariseje. Kështu, Moisiu u quajt më pas «rabi», mbi 1.500 vjet mbas vdekjes së tij.
Duke imituar mjeshtrin
Ndërkohë që shprehja «rabi» («mjeshtri im») shpeshherë përdorej nga masat për t’iu drejtuar mësuesve të tjerë, të cilëve u tregonin respekt, kryesisht termi u zbatohej mësuesve të shquar mes farisenjve, «të urtëve». Me shkatërrimin e tempullit në vitin 70 të e.s., kur në fakt po merrte fund autoriteti i priftërisë, rabinët farisenj u bënë udhëheqësit e pakundërshtueshëm të judaizmit. Pozita e tyre e pashoqe i dha shkas zhvillimit të një lloj kulti, i cili përqendrohej në të urtët rabinikë.
Duke diskutuar mbi këtë periudhë tranzicioni në shekullin e parë të e.s., profesori Dov Zlotnik komenton: «‘Ndjekja e të urtëve’ u bë më e rëndësishme se studimi i Torës.» Dijetari jude, Jakob Noisner, shpjegon më tej: «‘Dishepull i të urtëve’ është një student që është lidhur me një rabi. Bën kështu, sepse dëshiron të mësojë ‘Torën’. . . . Tora nuk mësohet përmes Ligjit të Moisiut, por duke e parë ligjin të mishëruar në gjestet dhe veprat e të urtëve të gjallë. Ata mësojnë ligjin, jo vetëm me ç’ka thonë, por edhe me ç’ka bëjnë.»
Studiuesi për fushën e Talmudit, Adin Stinsaltz, e vërteton këtë, duke shkruar: «Vetë të urtët thoshin: ‘Bisedat e zakonshme, shakatë, ose deklaratat e shkujdesura të të urtëve duhen studiuar.’» Deri në ç’masë duhej zbatuar ky studim? Stinsaltz vëren: «Një shembull ekstrem për këtë, ishte dishepulli për të cilin thuhet se u fsheh nën krevatin e mësuesit të tij të madh për të zbuluar se si sillej ai me të shoqen në krevat. Kur e pyetën se ç’kishte zhbiruar, dishepulli i ri u përgjigj: ‘Është një çështje e Torës dhe meriton të studiohet.’ Është një rrugë e pranuar si e vlefshme si nga rabinët, ashtu edhe nga studentët.»
Në saje të theksit të vënë mbi rabinët dhe jo mbi Torën, gjatë procesit të mësimit të Torës përmes rabinëve, duke filluar nga shekulli i parë i e.s. e më pas, judaizmi u bë një fe e orientuar nga rabinët. Një person nuk i afrohej Perëndisë përmes Fjalës së shkruar të frymëzuar prej tij, por përmes një shembulli personal, një mjeshtri që ishte rabini. Në këtë mënyrë, logjikisht theksi binte nga Shkrimet e frymëzuara në ligjin dhe traditat gojore që mësonin këta rabinë. Që nga ajo kohë e më pas, literatura judeje, si Talmudi, përqendrohet më shumë mbi bisedat, anekdodat dhe sjelljen e rabinëve, sesa mbi shpalljet e Perëndisë.
Roli i rabinëve gjatë epokave
Megjithëse ushtronin autoritet dhe ndikim të jashtëzakonshëm, rabinët e hershëm nuk e siguronin bukën e gojës përmes aktivitetit të tyre fetar. Një enciklopedi thotë: «Rabinët e Talmudit ishin . . . krejtësisht të ndryshëm nga mbajtësit e këtij titulli në ditët e sotme. Rabinët e Talmudit ishin interpretues dhe shtjellues të Biblës e të Ligjit Gojor dhe kishin gati gjithmonë një punë prej nga nxirrnin bukën e gojës. Vetëm në Mesjetë rabini ishte . . . mësues, predikues dhe kreu frymor i kongregacionit apo i komunitetit jude.»—Encyclopaedia Judaica.
Kur rabinët filluan ta kthenin pozitën e tyre në një punë me pagesë, disa rabinë e kritikuan këtë akt. Maimonidi, rabin i famshëm i shekullit të 12-të, i cili e siguronte jetesën duke punuar si mjek, i qortoi ashpër këta rabinë. «[Ata] rregullonin për vete kërkesa në para nga individë e komunitete dhe i bënin njerëzit të mendonin me budallallëk se ishte e detyrueshme dhe e përshtatshme që të ndihmonin [financiarisht] të urtët, dijetarët dhe njerëzit që studionin Torën, sepse Tora ishte puna e tyre. Por e gjithë kjo është e gabuar. Nuk ekziston as edhe një fjalë e vetme, madje edhe në Torë apo në thëniet e të urtëve, që mbështet këtë mësim.» (Commentary on the Mishnah, Avot 4:5) Por denoncimit të Maimonidit nuk iu vu veshi shumë nga brezat e ardhshëm të rabinëve.
Ndërsa judaizmi hyri në epokën moderne, ai u nda në fraksionet e bindjeve reformiste, konservatore dhe ortodokse. Për shumë judenj, bindja dhe praktika fetare u bënë shqetësim i dorës së dytë. Si rrjedhojë pozita e rabinëve u dobësua. Kryesisht rabini u bë kreu i emëruar i një kongregacioni, duke vepruar si një mësues profesionist me pagesë dhe këshilltar për anëtarët e grupit të tij. Megjithatë, ndër grupet hasidike ultraortodokse, koncepti mbi rabinët si mjeshtër dhe shembull përfshinte akoma më tepër.
Le të shohim komentet që ka bërë Eduard Hofman në librin e tij për lëvizjen hasidike Habat Lubavic: «Hasidizmi i hershëm theksonte, gjithashtu, se në çdo brez ekziston një udhëheqës i vetëm jude, një zaddik [i drejtë], i cili është ‘Moisiu’ i kohëve të tij, dituria dhe devotshmëria e të cilit ndaj të tjerëve është e pashoqe. Përmes devotshmërisë mahnitëse të tij, çdo grup i Hasidimit mendonte se Rebbe i tyre [Yiddish për «rabi»] mund të ushtronte ndikim edhe mbi dekretet e të Plotfuqishmit. Ai jo vetëm që respektohej si shembull përmes ligjëratave të tij zbuluese, por edhe vetë cilësia e jetës që bënte (‘si i lidhte lidhëset e këpucëve’, siç shprehej) shikohej si një fakt që lartësonte njerëzimin dhe jepte shenja të pakapshme për në shtegun hyjnor.»
«Mos lejoni t’ju quajnë rabi»
Jezui, një jude i shekullit të parë, i cili vuri themelet e krishterimit, jetoi në kohën kur koncepti i farisenjve mbi rabinët kishte filluar në mbarë judaizmin. Ai nuk kishte qenë farise dhe as nuk ishte stërvitur nëpër akademitë e tyre; megjithatë edhe atë e quajtën rabi.—Marku 9:5; Gjoni 1:38; 3:2.
Duke paditur prirjen rabinike në judaizëm, Jezui tha: «Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut. Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga, si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit. Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti dhe ju të gjithë jeni vëllezër.»—Mateu 23:2, 6-8.
Jezui paralajmëroi kundër dallimeve kleriko-laike që po zhvilloheshin brenda judaizmit. Ai e shpalli të gabuar dhënien e kësaj spikatjeje të papërshtatshme njerëzve. «Vetëm një është mësuesi juaj»,—shpalli ai me guxim. Kush ishte Ai?
Moisiu «me të cilin Zoti fliste sy për sy» dhe që u quajt «rabini ynë» nga vetë të urtët, ishte një njeri i papërsosur. Edhe ai gaboi. (Ligji i përtërirë 32:48-51; 34:10; Eklisiastiu 7:20) Në vend se të nxirrte në pah Moisiun si shembullin më të madh, Jehovai tha: «Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj dhe do të ndodhë që nëse dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari.»—Ligji i përtërirë 18:18, 19.
Profecitë biblike dëshmojnë se këto fjalë e gjejnë përmbushjen në Jezuin, Mesinë.a Jezui jo vetëm që ishte «si» Moisiu; ai ishte më i madh se Moisiu. (Hebrenjve 3:1-3) Shkrimet zbulojnë se Jezui lindi si njeri i përsosur dhe ndryshe nga Moisiu ai i shërbeu Perëndisë «pa mëkatuar».—Hebrenjve 4:15.
Ndiq shembullin
Studimi intensiv i çdo veprimi dhe fjale të rabinëve, nuk i ka afruar judenjtë më shumë me Perëndinë. Ndërkohë që një njeri i papërsosur mund të jetë shembull në besueshmëri, nëse studiojmë dhe imitojmë çdo veprim të tij, do të imitojmë gabimet dhe papërsosmëritë e tij si edhe cilësitë e tij të mira. Do t’i japim lavdi të tepruar një personi të krijuar, në vend të Krijuesit.—Romakëve 1:25.
Por Jehovai siguroi një Shembull për njerëzimin. Sipas Shkrimeve, Jezui ka një ekzistencë paranjerëzore. Në fakt, ai është quajtur «shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese». (Kolosianëve 1:15) Duke qenë se ka shërbyer në qiell për mijëvjeçarë që s’kanë të numëruar, si «kryemjeshtri» i Perëndisë, Jezui është në pozitë më të mirë për të na ndihmuar të arrijmë në njohjen e Jehovait.—Proverbat 8:22-30; Gjoni 14:9, 10.
Prandaj, Pjetri shkroi: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, me qëllim që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1. Pjetrit 2:21, BR) Apostulli Pavël i inkurajoi të krishterët ‘të shikonin me kujdes Kryepërfaqësuesin dhe Përsosësin e besimit tonë, Jezuin’. Përveç kësaj, shpjegoi se «në të janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë dhe të njohurisë». (Hebrenjve 12:2, BR; Kolosianëve 2:3, BR) Asnjë njeri tjetër, as Moisiu, as të urtët rabinikë, nuk janë të denjë për një vëmendje të tillë. Nëse ka ndonjë që duhet imituar me kujdes, ai është Jezui. Shërbëtorët e Perëndisë nuk kanë nevojë për një titull të tillë, si rabi, veçanërisht duke pasur parasysh ngjyrimin e tij në ditët moderne, por nëse ndonjë meriton të quhet rabi, ai është Jezui.
[Shënimi]
a Për informacion të mëtejshëm mbi dëshminë se Jezui është Mesia i dukshëm, shiko broshurën A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?, faqet 24-30, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Burimi i figurës në faqen 28]
© Brian Hendler 1995. Të gjitha të drejtat të rezervuara