A është i pavdekshëm shpirti?
NË HESHTJE, miqtë dhe familja kalojnë pranë arkivolit të hapur. Vështrimi i tyre është ngulur në trupin e një djaloshi 17-vjeçar. Shokët e shkollës mezi e njohin. Flokët i janë rralluar shumë për shkak të kimioterapisë; për shkak të kancerit ka humbur shumë në peshë. A mund të jetë me të vërtetë ai shoku i tyre? Vetëm disa javë më parë, ai ishte plot ide, pyetje, energji, plot jetë! Nëna e djalit, e mbytur në lot, përsërit vazhdimisht: «Tomi është i lumtur tani. Perëndia dëshironte që Tomi të ishte me të në qiell.»
Kjo nënë zemërplasur, gjen paksa shpresë dhe ngushëllim në idenë se, sidoqoftë, djali i saj jeton ende. Në kishë, asaj i kanë mësuar se shpirti është i pavdekshëm, se ai është vatra e personalitetit, mendimeve dhe kujtimeve, do të thotë «uni». Ajo beson se shpirti i djalit të saj nuk ka vdekur aspak, pasi shpirti është një qenie e gjallë frymore, i cili e lë trupin kur njeriu vdes dhe shkon në qiell, për të qenë atje me Perëndinë dhe engjëjt.
Në momente tragjike, zemra njerëzore e dëshpëruar mbërthehet fort pas çdo shkëndije shprese. Prandaj, nuk është shumë e vështirë për të kuptuar, se përse besime të tilla kanë fuqi të madhe tërheqëse. Të shqyrtojmë, për shembull, se si shprehet teologu J. Petërson Smith në librin Ungjilli mbi jetën e përtejme: «Vdekja është një gjë shumë e vogël në krahasim me atë që vjen pas saj, në krahasim me botën e mrekullueshme, e mrekullueshme, e mrekullueshme, në të cilën të vdekurit na kanë paraprirë.»
Anembanë botës dhe në shumë fe e kultura, njerëzit besojnë se kanë brenda vetes një shpirt të pavdekshëm, një frymë të vetëdijshme që vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit. Ky besim është pothuajse i përgjithshëm për mijëra fe dhe sekte të të ashtuquajturit krishterim. Ai është gjithashtu, një doktrinë zyrtare për judaizmin. Hindusët besojnë se pjesa e brendshme e trupit ose shpirti, me lindjen e njeriut burgoset në trup, ndërsa kur vdes, kalon në një trup tjetër, duke kryer kështu një cikël të vazhdueshëm rimishërimi. Myslimanët besojnë se shpirti vjen në jetë bashkë me trupin dhe vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes së trupit. Besime të tjera si, animizmi afrikan, shintoizmi, madje edhe budizmi, nga një pikë vështrimi, mësojnë variante të së njëjtës temë.
Disa pyetje shqetësuese
Megjithëse koncepti i një shpirti të pavdekshëm, ka një fuqi tërheqëse të pamohueshme dhe pothuajse të përgjithshme, lidhur me të, ngrihen disa pyetje shqetësuese. Për shembull, njerëzit pyesin veten se ku shkon shpirti i një njeriu të tyre të dashur, i cili nuk ka kaluar një jetë shembullore. A do të rimishërohet ai, ashtu si dhe shumë forma më të ulëta të jetës apo do të dërgohet në purgator, ku me anë të disa proceseve ku përdoret zjarri, do të pastrohet derisa të gjykohet si i denjë për të shkuar në qiell? Apo më keq akoma, mos do të torturohet përgjithmonë në një ferr të zjarrtë, apo ndoshta ai është, siç mësojnë fetë animiste, një frymë që duhet të qetësohet prej të gjallëve?
Koncepte të tilla, krijojnë mundësi të vështira për të gjallët. Mos jemi ne ata që do të qetësojmë frymërat e të vdekurve tanë të dashur, nga frika e hakmarrjes së tyre? A duhet t’i ndihmojmë për të dalë nga ndonjë purgator i tmerrshëm apo thjesht, duhet të dridhemi nga tmerri që s’mund t’i përkrahim kur mendojmë vuajtjet e tyre në ferr? Mos ndoshta i trajtojmë disa kafshë të gjalla, sikur të kishin brenda tyre shpirtin e të vdekurit?
Pyetjet që ngrihen lidhur me vetë Perëndinë, janë gjithashtu shqetësuese. Për shembull, shumë prindër, si nëna e përmendur më sipër, fillimisht ngushëllohen nga ideja se Perëndia «e mori» shpirtin e pavdekshëm të birit të saj në qiell, për të qenë me të. Megjithatë, shumë persona, shpejt fillojnë të pyesin veten se cila Perëndi do të shkaktonte sëmundje të tilla të tmerrshme tek një fëmijë i pafajshëm e do t’ia rrëmbente prindërve zemërplasur atë fëmijë të çmuar, duke e çuar para kohe në qiell. Ku është drejtësia, dashuria, mëshira e një Perëndie të tillë? Disa madje, ngrenë pyetje rreth mençurisë së një Perëndie të tillë. Përse, pyesin ata, një Perëndi i mençur do t’i vendoste fillimisht gjithë këta shpirtra në tokë, kur mendohet se të gjithë ata më pas do të jetojnë në qiell? A nuk do të thotë kjo, se krijimi i tokës ishte në të vërtetë një përpjekje e kotë?—Krahaso Ligjin e përtërirë 32:4; Psalmin 103:8; Isainë 45:18; 1. Gjonit 4:8.
Është e qartë pra, se doktrina e pavdekshmërisë së shpirtit njerëzor, në çfarëdo lloj forme të jetë mësuar ajo, bën që të lindin pyetje enigmatike, madje kontradiktore. Pse vallë? Një pjesë e madhe e problemit ka të bëjë me origjinat e këtij mësimi. Kërkimi shkurtimisht i këtyre rrënjëve, mund t’ju duket se hedh dritë mbi këtë çështje dhe ndoshta do të çuditeni, kur të mësoni se çfarë thotë vetë Bibla lidhur me shpirtin. Ajo ofron një shpresë shumë më të mirë për jetën pas vdekjes, se sa ajo që mësojnë zakonisht fetë e botës.